Kriminale, Rama, thirrje policisë të mbledhë votat

Edi Rama në një moment çekuilibrimi politik ka kërkuar dje nga forcat e policisë të angazhohen në fushatë elektorale, për të mbledhur sipas tij sa më shumë vota për Partinë Socialiste. Deklarata u bë dje gjatë takimit të tij në Berat, e cila është as më shumë e as më pak, por një shkelje e Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Kushtetuta e Shqipërisë e ka të përcaktuar qartë që forcat e armatosura e kanë të ndaluar të marrin pjesë në aktivitete politike, dhe aq më shumë në fushata elektorale. “Në momentin që lënë uniformën pas punës të përkushtohen për të marrë sa më shumë vota për PS. Në mënyrë që të mos e lejojmë rikthimin e hijes së turpit mbi uniformën blu, që ne e kemi pastruar dhe lartësuar më shumë se asnjëherë më parë”, është shprehur Rama, në shkelje të ligjit për Policinë e Shtetit, e cila në të gjitha rastet shprehet se ajo është e depolitizuar
Por jo vetëm kaq. Deklarata vjen në një moment, kur Edi Rama ka firmosur një marrëveshje dhe ka dorëzuar Ministrinë e Brendshme, pikërisht për të ulur ndikimin e parave të drogës, por edhe përfshirjen e punonjësve të policisë në fushatë. Që prej të paktën vitit 2001, të gjitha ndryshimet që janë bërë në Kodin Zgjedhor kanë pasur të paktën si synim mbajtjen larg të policisë nga zgjedhjet. Në të shkuarën, policia jo pak herë është parë si problem kryesor në zgjedhjet shqiptare. Kjo thirrje nuk është gjë tjetër vetëm se një mbrojtje që i bëhet militantëve të punësuar në Policinë e Shtetit, që nga koha e Sajmir Tahirit përgjegjës për kanabizimin e vendit.
Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë, një interviste dje ka konfirmuar rastin, duke u shprehur se një gjë e tillë nuk ka ndodhur as gjatë qeverisjes së diktatorit Alia. Basha tha se, kjo deklaratë tregon dëshpërimin e Ramës. “Kjo që po ndodh në Shqipëri është një bashkim kundër të keqes, dhe kjo e keqe mban vulën e Ramës dhe të Ilir Metës, dhe kjo e keqe do të smbrapset. Republika e vjetër jeton ditët e saj të fundit. Shiko çfarë bëri sot në Berat. Ju bëri thirrje policëve, që pas orëve të punës të bëjnë fushatë pas orarit të punës. Policët janë të depolitizuar që në vitin 1991. Akti i parë është që, policia është e depolitizuar.  Me kriminalizimin e shtetit dhe përdorimin e policisë, tregon ku ka mbërritur. Kjo tregon dëshpërimin e Edi Ramës. As Ramiz Alia nuk e ka bërë këtë, që t’i bëjë thirrje policisë dhe ushtrisë të mbledhë vota. Që në 1991, policia u depolitizua”.
Policia është e qytetarëve nuk është e politikës, dhe më 25 qershor do i japë fund kësaj.

Ministri kundër Ramës: 5 vjet burg për policët që dalin në fushatë

Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, ka reaguar menjëherë pas deklaratës së Kryeministrit Rama drejtuar punonjësve të policisë që pas orarit të punës të dalin të mbledhin vota për Partinë Socialiste. Në një konferencë për mediat, Demiraj theksoi se, Policia e shtetit është e depolitizuar dhe e ka të ndaluar me ligj pjesëmarrjen në aktivitete politike. Ai theksoi se, Policia e Shtetit është nën monitorim të rreptë, dhe kushdo që do të kapet, duke bërë fushatë do të dënohet sipas ligjit nga 1 deri në 5 vjet burg.
“Ju kam thirrur në këtë konferencë për të dhënë një mesazh të qartë për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, që të mos ketë asnjë moment dyshimi se çdo përfshirje e tyre në aktivitete të partive politike do të ndëshkohet rreptësisht sipas përcaktimeve të ligjit. Punonjësit e Policisë së Shtetit kanë marrë të gjithë trajnimin e nevojshëm ligjor për të kuptuar detyrimet dhe kufizimet që ata kanë në një proces zgjedhor.
Ligji për Policinë e Shtetit Nr.108, 2014, Kreu i 11-të, detyrimet dhe kufizimet kryesore të punonjësit të Policisë, Neni 90-të i tij, përcakton qartësisht kufizimet në jetën politike të punonjësit të policisë, të cilit i ndalohet:
a) të jetë anëtar i një partie ose organizate politike.
b) të mbështesë fushatën e një partie, organizate politike, të një anëtari partie politike apo të një kandidati të pavarur, duke marrë pjesë ose kontribuar fizikisht ose financiarisht.
Kodi Zgjedhor dhe udhëzimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve numër 7, viti 2009 i ndryshuar, Vendimit të Këshillit të Ministrave numër 473, datë 01.06.2017, përcaktojnë qartësisht këto kufizime ligjore”, deklaroi Demiraj.
Ministri Demiraj tha se, Kodi Penal i ndryshuar më 22 maj 2017 parashikon burg nga 1 deri në 5 vjet për punonjësit e policisë që influencojnë për një parti dhe nuk ushtrojnë funksionin me paanësi. “Dua t’ju rikujtoj se Kodi Penal, i ndryshuar më 22 Maj 2017, në nenin 332 a parasheh se: “Shpërdorimi i autoritetit policor nga punonjësi i Policisë së Shtetit ose i Policisë së Burgjeve për të influencuar në mbështetjen e një partie politike ose kandidati në zgjedhje, nëpërmjet mosushtrimit të funksionit me paanësi sipas ligjit, pjesëmarrjes në veprimtari politike të një partie politike ose kandidati në zgjedhje, me kryerjen e çdo veprimi ose dhënien e urdhrave, këshillave apo çdo lloji tjetër propagande që favorizon një parti politike ose kandidat në zgjedhje, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga 1 vit deri në 5 vjet. Më lejoni tju bëj me dije, se Policia e Shtetit është në monitorim të rreptë prandaj i ftoj të gjithë punonjësit e saj që të respektojnë çdo gërmë të ligjit, përndryshe masat do të jenë proporcionale me shkeljet e kryera”, deklaroi ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj.

Tahiri vjedh regjistrin elektronik të votuesve

Ish-ministri Saimir Tahiri akuzohet se ka vjedhur regjistrin elektronik të votuesve nga Ministria e Brendshme, dhe tashmë ai është duke u përdorur nga drejtori i IT-së në Policinë e Shtetit, Ernest Dimashi, i cili njihet si militant i PS-së. Skandali është denoncuar nga një punonjës i policisë, dhe është bërë publik nga ish-kryeministri Berisha në Facebook. Berisha i ka bërë thirrje Prokurorisë së Përgjithshme të nisë menjëherë hetimin për këtë çështje.
“Saje qorri vjedh të gjitha të dhënat e regjistrit elektronik të votuesve nga Ministria e Brendshme dhe ato po i përdor drejtori i IT të Policisë, Ernest Dimashi, një militant fanatik i PS. Lexoni mesazhin e sapo ardhur të oficerit dixhital. I bëj thirrje Prokurorisë të nisë me urgjencë hetimin ndaj këtij akti që shkatërron procesin zgjedhor!”, shkruan Berisha.
“16/06/2017, 18:15:37: Saimir Tahiri ka transferuar në zyrat e PS të gjithë të dhënat e regjistrit elektronik të votuesve që ka MB dhe po i përdor drejtori i IT të Policisë Ernest Dimashi një militant i PS dhe mik i Saimirit”, shkruan punonjësi i policisë.
Regjistri  elektronik i zgjedhësve në duart e kreut të bandës së drogës që sot kryeson PS e Tiranës është një kërcënim dhe rrezik për qytetarët jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë.
Kemi të bëjmë me një tjetër skandal të bandës në pushtet, e cila po shfrytëzon të dhënat personale të qytetarëve për t’i përdorur në mënyrë kriminale në fushatë. Regjistri elektronik është një vjedhje e rëndë për të cilët do të duhet të nisin në mënyrë të menjëhershme hetimet nga Prokuroria për të parandaluar të gjithë skenarët e intimidimit të votuesve dhe keqpërdorimit të të dhënave personale të qytetarëve nga një klikë kriminale në qeverisje.
Ditët e ardhshme duket se do të jenë akoma më të vëshira për bandën në pushtet. Ndërsa fakte skandaloze po shtohen nga ora në orë ato po provojnë mungesën e vullnetit politik të qeverisë për të bërë zgjedhje të lira. Nga ana tjetërm opozita është e vendosur që të përballet me çdo kusht dhe me çdo çmim me këta banditë të votës së lirë me të gjitha mënyrat ligjore. Basha ka bërë një paralajmërim mbrëmë në një intervistë në “Zonë e Lirë” se të gjthë ata që do të prekin votën e lirë do të marrin ndëshikm të rreptë. “Nuk do t’i ndahemi derisa t’i çojmë para dyerve të burgut”, ishte deklarata e mbrëmshme e Bashës.

Exit mobile version