Koncesioni i shkollave, afera 79 miliardë lekë

Nga Valmora Gogo

Prej disa ditësh vëmendja e qytetarëve dhe zërave të opinionit publik është fokusuar te rritja e çmimit të ujit për metër kub: nga 45 lekë në 65 lekë. E shoqëruar edhe me protesta, qytetarët vazhdojnë ta kundërshtojnë. Këshilltarët e PD-së dhe LSI-së janë pozicionuar kundër rritjes së çmimit të ujit. Megjithatë pas gjithë këtij debati fshihet diçka edhe më e madhe. S’ka të bëjë me rritjen e çmimit, por me një tjetër “Projekt” të kryebashkiakut Veliaj, që ka gjasa të kalojë fare pa u vënë re: Miratimin e një skeme koncesioni për ndërtimin e plot 17 shkollave në kryeqytet.
Dy ditë më parë “Exit.al” nxori i pari informacionin rreth këtij projekti, shumë ambicioz sa u përket kostove, por dje “Shuplaka” zbulon relacionin për kontratën TIP, ku thuhet qartësisht: “Ndërtimi i këtyre 17 shkollave të reja përmes një skeme koncesioni/partneriteti publik privat, ku shkollat e reja projektohen, financohen, ndërtohen dhe mirëmbahen nga koncesionari për një periudhë kohore 7-vjeçare, është teknikisht dhe ekonomikisht i realizueshëm dhe financiarisht i përshtashëm”.

Kostot e një afere të pistë

Mbi 460 mijë lekë të vjetra për metër katrorë. Kaq ka llogaritur projektuesi i Veliajt për koston e ndërtimit të shkollave. Mbi 54 miliardë lekë të vjetra do të kushtojë ndërtimi për 17 shkollat (5,406,768,353 lekë të reja).
“Bazuar në relacionin e marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Punëve Publike, nr.prot. 21407/2, datë 09.08.2016, kostoja për ndërtimin e shkollave është 46,331.67 lekë/m2, ndërsa për ndërtimin e kopshteve është 54,380.83 lekë/m2. Llogaritur gjithashtu edhe kostot e tjera të projektit, si kostoja e mobilimit, kostoja e mirëmbajtjes, studim projektimi, mbikëqyrja e punimeve, kolaudimi, oponenca teknike, mbrojtja ndaj zjarrit dhe leja mjedisore. Në total, kostoja direkte e investimit për ndërtimin e 17 shkollave të reja është përllogaritur 5,406,768,353 lekë”, thuhet në relacionin e kontratës TIP.
Si do të punohet me koncesionarin? Fare thjeshtë sipas llogarive të bashkisë: për 7 vjet do të rimbursohet për vlerën në kohë të parasë që i përdor bashkia.
“Duke qenë se koncensionari do të paguhet me këste vjetore nga Bashkia Tiranë për një periudhë 7-vjeçare, atëherë ai do të duhet të rimbursohet për vlerën në kohë të parasë. Për këtë arsye si marzh fitimi kemi marrë si tavan normën mesatare të obligacioneve të qeverisë shqiptare, për obligacione 7-vjeçare fikse, e cila është përllogaritur 6,28%”, thuhet më tej.
Mendoni se 54 miliardë lekë është kostoja totale? Jo! Asaj do t’i shtohen miliarda të tjera.
“Pas 7 vjetësh, në përfundim të kontratës, së bashku me koston e mirëmbajtjes, kostoja totale e skemës së koncesionit/partneritetit publik privat do të jetë 7,997,517,960 lekë”, sqarohen miliardat “stratosferike”, mbi 79 miliardë lekë të vjetra.

Mënyra e prokurimit

Veliaj me projektuesit e tij mendon se ky koncesion jo vetëm është fitimprurës për sektorin privat, por “lehtësisht i realizueshëm brenda mundësive buxhetore të Bashkisë Tiranë”.
“Këstet vjetore që do t’i paguhen koncesionarit do të mbulohen nga të ardhurat nga taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore dhe transferta e kushtëzuar nga Ministria e Financave. Në këtë mënyrë, ky koncesion/partneritet publik privat nuk e vendos aspak në vështirësi kapacitetin financiar të Bashkisë Tiranë, duke bërë të mundur që fondi i invesimeve dhe gjithë zërat e tjerë të buxhetit të mbeten të paprekur”, thuhet më tej.
Për prokurimin, Veliaj mendon se një kontratë me koncesion/PPP është më e dobishme. Vërtet?! Dyshohej të thuhej ndryshe për këtë plan që po kalon në fshehtësi kaq të madhe?!
“…realizimi i këtij projekti nëpërmjet dhënies së një kontrate me koncesion/PPP është më e dobishme krahasuar me mundësinë e dhënies përmes një kontrate prokurimi publik. Për ndërtimin e 17 shkollave të reja përmes metodave tradicionale të prokurimit, Bashkia Tiranë mund të përdorë tri mënyra: prokurimin e drejtpërdrejt të menjëhershëm të 17 shkollave të reja, prokurimin e 17 shkollave të reja duke e shtrirë në një periudhë 3-vjeçare dhe prokurimin e një apo disa shkollave në vit sipas mundësive të veta financiare”, thuhet në relacion ku shtohet se duke pasur parasysh koston totale të projektit, dy mundësitë e para janë dukshëm përtej mundësive financiare të Bashkisë Tiranë.
“Pra, përmes këtyre dy metodave tradicionale të prokurimit, projekti është financiarisht i parealizueshëm. Mundësia e tretë e sipërpërmendur nuk e realizon plotësisht projektin pasi përmes saj mund të ndërtohen vetëm 14 nga 17 shkollat që nevojiten. Gjithashtu, edhe 14 shkollat që mund të ndërtohen, nuk ndërtohen menjëherë, por përgjatë 9 viteve të ardhshme.
Në ndryshim nga tre mundësitë e prokurimit tradicional të projektit, me skemën e propozuar të koncesionit/partneritetit publik privat, projekti është jo vetëm i realizueshëm menjëherë dhe me fizibilitet, por edhe pa kosto shtesë për buxhetin e Bashkisë Tiranë duke qenë se ai nuk e prek fare fondin e investimeve për vitet e ardhshme. Përmes kësaj skeme, Bashkia Tiranë e zgjidh brenda dy viteve të ardhshme problemin e mbipopullimit dhe të zhvillimit të mësimit me dy turne”, përfundon versionin e saj Bashkia.
Pas gjithë këtyre detajeve që “Shuplaka” ka mundur t’i mësojë me të drejtë lindin disa pyetje:
– Pse u mbajt i fshehtë ky koncesion?!
– A duhej diskutuar mënyra më efikase për ndërtimin e 17 shkollave, për të cilat ka nevojë Tirana?!
– Cilat janë kompanitë që do të përfitojnë?!
– Si do të pozicionohen këshilltarët e PD-së dhe LSI?!
– A u nxit debati për rritjen e çmimit të ujit me qëllim mbulimin e miliarda lekëve të tjera, vendimi për të cilat po kalon pa u diskutuar aspak?!

Ku shkojnë taksat që i paguajmë Bashkisë?

Njësoj siç veproi më 30 dhjetor të vitit 2015, kur kaloi në Këshillin Bashkiak vendimin për të rritur çmimin e biletës së transportit urban në kryeqytet, Erion Veliaj pritet të kalojë edhe vendimin për të dyfishuar çmimin e ujit të pijshëm në Tiranë. Përtej kundërshtisë se rritja e çmimit të ujit nuk bazohet në kurrfarë argumenti dhe se UKT është një ndërmarrje rentabël, interesant është edhe një detaj që nuk mund të anashkalohet. Pikërisht momenti që Veliaj ka zgjedhur të kalojë në Këshill këtë vendim që kurrsesi nuk mund të duartrokitet nga banorët e Tiranës. Fundkorriku dhe muaji gusht shfrytëzohen nga qytetarët për të pushuar.
Jo më kot kryebashkiaku ka zgjedhur tinëz këtë kohë. Tirana është pothuajse e zbrazët, vëmendja e publikut është e ulët, protestat në këtë pikë vape zor dhe të mendohen e jo më të organizohen. Prandaj, si manipulator dhe mjeshtër i propagandës, Erion Veliaj kërkon ta shfrytëzojë këtë periudhë për të kaluar pa shumë zhurmë në Këshillin Bashkiak vendimin për dyfishimin e çmimit të ujit. E njëjta strategji u përdor edhe për të rritur çmimin e biletës nga 30 në 40 lekë.
Kujtoni se vendimi në Këshillin Bashkiak u miratua me shumicë një natë përpara se shqiptarët të festonin Vitin e Ri. Sigurisht që nuk ishte e rastësishme të lihej ai vendim për atë kohë. Sikundër nuk është rastësi që vendimi për çmimin e ri të ujit të kalojë. Ky është vendimi më i fundit në serinë e disa vendimeve të tjera të Erion Veliajt, që kanë shtrenjtuar ndjeshëm jetesën në kryeqytet. “Lapsi.al” sjell në vëmendje disa prej tyre.
Në nëntor 2015 janë miratuar tarifat e reja të parkingjeve. 71 rrugë të Tiranës, rreth 60% e parkingjeve janë bërë me pagesë. Tarifat variojnë nga 20 lekë deri në 100 lekë/orë. Në rrugët kryesore për të parkuar makinën duhet të paguani 100 lekë/orë.
Jashtë çdo logjike, Erion Veliaj vendosi për banorët e kryeqytetit edhe taksën e arsimit, 1800 lekë në vit për familjarët dhe 4000 lekë për bizneset e vogla dhe akoma më shumë për bizneset e mesme e ato VIP. Heqja e taksës për biznesin e vogël nuk ishte asgjë përpara këtyre taksave.
Që prej shkurtit të vitit 2016, qytetarët në Tiranë e paguajnë më shtrenjtë biletën e autobusit pas vendimit të Veliajt për ta rritur në 40 lekë. Ndërkohë që shërbimi që ofrojnë kompanitë e transportit vazhdon të jetë katastrofë. KLSH në një raport kishte konstatuar se rritja ishte jo transparente dhe e paargumentuar.
Taksa 8% e ndërtimit e vendosur prej kryebashkiakut Erion Veliaj është një tjetër rëndesë në xhepat e atyre që duan të blejnë apartamente në Tiranë apo njësi shërbimi në kryeqytet. Kjo taksë, tha Veliaj, shihet si një mënyrë për të siguruar më shumë të ardhura nga fitimet e ndërtuesve. Por këta të fundit e transferojnë këtë taksë në çmimin me të cilin shesin apartamentet apo njësitë e tjera të shërbimit.
Në faturën e ujit, e cila do të vijë dyfish më shumë, janë ndërkohë që prej shkurtit 2016 edhe tri taksa të reja të vendosura nga Veliaj. Bëhet fjalë për taksën për pronën, atë të pastrimit dhe infrastrukturës arsimore.
Dje Erion Veliaj u shpreh se nuk dorëzohet për të kaluar vendimin për rritjen e çmimit të ujit, qoftë edhe sikur “e gjithë qenëria e Tiranës t’i vihet pas”.
PD është shprehur kundër, ndërsa LSI ka kërkuar dëgjesë publike me kryebashkiakun dhe kategorizim për abonentët familjarë. Kryebashkiaku Erion Veliaj në dy vitet e para të mandatit, me taksat dhe tarifat që ka vendosur, i ka dhënë një goditje të madhe xhepave të kryeqytetasve dhe bizneseve që operojnë në Tiranë. Mbase edhe në këtë rast vlen ajo që ka thënë Rama në fillim të mandatit si Kryeministër, se s’kemi parë gjë akoma…

“Lapsi.al”

Exit mobile version