Basha: Opozitë të fortë, 20 mijë të larguar në dy muaj

Opozita bëhet gati për një opozitë të fortë kundër Ramës dhe qeverisë së re socialiste. Kryetari i PD, Basha ka mbledhur grupin e ri parlamentar për të vendosur piketat e para të lëvizjes opozitare. Mbedhja e grupit është bërë vetëm pak pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve çertifikoi rezultatin e zgjedhjeve të 25 qershorit.
Porosia kryesore e Bashës për deputetët ka qenë kontakti direkt dhe i vazhdueshëm me njerëzit.
“Ishte mbledhja e parë e grupit të ri parlamentar të opozitës, të Partisë Demokratike. Ishte një takim i parë midis të gjithë deputetëve të këtij grupi parlamentar, ku ka një ndërthyrje midis përvojës dhe prurjeve të reja.
Mesazhi i parë dhe kryesor është që Partia Demokratike bëhet gati për një opozitë të fortë, të pakompromis dhe ballore me Edi Ramën dhe qeverinë e tij me të cilën nuk na bashkon asgjë, as vizioni, as qëllimet dhe as vlerat tona”, tha Basha.
Basha ka denoncuar faktin se vetëm brenda dy muajve të fundit, qershorit dhe korrikut janë larguar nga Shqipëria 20 mijë shtetas, të cilët kërkojnë azil në vendet e Bashkimit Europian. Kjo për Bashën është e qartë. Për shqiptarët nuk ka shpresë me Ramën.
“Ne na bashkojnë këto vlera, këto qëllime dhe ky vizion me shumicën dërrmuese të shqiptarëve, në emër të të cilëve do të bëjmë një opozitë të fortë që nis nga kontakti i drejtpërdrejtë me njerëzit, që është edhe porosia ime kryesore për deputetët, i vazhdueshëm me ta. Vazhdon me denoncimin që është një detyrë akoma më e rëndësishme në kushtet kur pavarësisht prej punës tuaj si gazetarë, kapja e mediave e bën denoncimin e problemeve më të vështirë. Përmenda një fakt: sipas të dhënave zyrtare, në qershor dhe në korrik, 20 mijë shqiptarë janë larguar për të kërkuar azil në vendet e Europës Perëndimore. Kjo tregon edhe një herë atë që kemi thënë prej fillimit se me Edi Ramën dhe qeverinë e tij nuk ka dhe nuk mund të ketë as shpresë as dritë në fund të tunelit”, tha Basha.
Kryetari i PD tha se demokratët janë të hapur të mirëpresin këdo në opozitë që është gati të bëjë opozitë të fortë dhe jo pazar, ndërsa prioritet do të jenë vetëm hallet e njerëzve.
“Opozita jonë do të jetë një opozitë, e cila buron nga hallet dhe problemet e njerëzve që denoncon paudhësitë, zullumet e qeverisjes së lidhur me krimin, me bandat, me drogën, me korrupsionin, por që po kështu propozon në emër të qytetarëve zgjidhjet për të cilat jam i sigurtë që do të marrin jetë vetëm përmes mbështetjes në vlerat e vërteta, me opozitën e vërtetë, siç ka qenë dhe siç është Partia Demokratike, në të cilën mirëpresim këdo që është gati të bëjë opozitë, por jo pazar-opozitë…”, tha Basha.

Exit mobile version