Çfarë po ndodh me shqiptarët, me mijëra po ikin edhe nga Kosova

Jo vetëm nga Shqipëria ikja masive e shqiptarëve, por edhe nga Kosova. Me fëmijë para duarsh që i ka zënë gjumi, Fatime Feta të mërkurën mbrëma priste bashkë me bashkëshortin autobusin e linjës Prishtinë-Beograd.
Afër tyre janë edhe dhjetëra qytetarë të tjerë që presin autobusët e së njëjtës linjë, duke synuar më pas ilegalisht kalimin e kufirit drejt Hungarisë.
Për shkak të kushteve të vështira ekonomike ata nuk dëshirojnë të qëndrojnë më në Kosovë, por synojnë të arrijnë në një shtet të Bashkimit Evropian, ku edhe do të kërkojnë azil.
“Populli po e lëshon Kosovën, po ikën për një euro”, thotë Fatimja për “Zërin”, derisa rrëfen se deri te vendimi për të ikur jashtë vendit e shtyu mungesë e punësimit.
Ajo thotë se më parë kishte punuar si pastruese, por ishte larguar nga puna padrejtësisht.
“Me gjashtë fëmijë po largohem, të voglin e kam katër vjeç, për këta fëmijë po e bëj këtë sakrificë”, thotë ajo.
Bashkëshorti i saj Fetahu thotë se kanë paguar 15.5 euro për një biletë për në Beograd.
“Veç mos pastë vend se sonte kam mu nis, biletat i kam”, thotë ai derisa shpreh mllefin në qeverinë që, sipas tij, nuk po krijojnë vende pune.
Drejtori i Stacionit të Autobusëve Ylber Çitaku, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se përkohësisht kanë ndërprerë të gjitha linjat e relacionit Prishtinë – Beograd.
Ky vendim, sipas tij, është marrë pasi që siç thotë Çitaku, ‘individë të papërgjegjshëm së fundi kanë blerë bileta dhe gjatë rrugës kanë kërkuar të zbresin nga autobusi’.
“Për shkak të gjendjes së krijuar dhe sjelljeve të pa përgjegjshme të disa individëve të cilët blejnë bileta futen në autobusë dhe gjatë rrugës kërkojnë të zbresin ose nuk futen fare në autobus, me që rast krijojnë situata joserioze, shkaktojnë çrregullim, krijojnë edhe humbje për operatorët transportues”, thotë Çitaku.
Vendimi për ndërprerjen e linjës së autobusëve Prishtinë – Beograd, thotë ai, fillon së zbatuari që nga sot dhe do të zgjasë deri në një njoftim të radhës.

Exit mobile version