BMI (FITCH) parashikon rritjen e betonizimin në Shqipëri

Njësia BMI Research, pjesë e agjencisë së njohur të vlerësimit Fitch Group ka publikuar raportin për Shqipërinë për tremujorin e tretë të  vitit 2017. Agjencia, në përmbledhjen ekzekutive për Shqipërinë thotë se ka rishikuar në rritje ecurinë ekonomike të vendit për dy vitet e ardhshme, i nxitur nga një përmirësim i situatës së aktivitetit të jashtëm. Por, ky efekt i jashtëm, thotë raporti, nuk do të veprojë për një kohë të gjatë dhe BMI beson se kërkesa e brendshme do të jetë faktori kryesor i rritjes gjatë dy viteve të ardhshme, ku ndërtimi do të jetë veçanërisht një sektor që do të shkëlqejë. Në tabelën e publikuar, BMI parashikon që rritja ekonomike në vitin 2017 do të jetë 3.6% dhe më pas do të ngadalësohet në 3.3% në vitin 2018. Indeksi i Çmimeve të konsumit pritet të rritet në 3.1% në 2017 dhe 3.4% në vitin 2018. Në përmirësim pritet deficiti i llogarisë korente që do të arrijë në -7.7% të prodhimit të brendshëm bruto në 2018-n, nga -9.4%, që u mbyll 2016-a. Edhe deficiti buxhetor do të ulet në -2.6% të PBB-së në vitin 2018. Numri i lejeve të ndërtimit të dhënë në të gjithë vendin është 101 në tremujorin e parë të vitit me një rënie vjetore 4.7 për qind, por në kryeqytet numri ka pësuar një rritje vjetore 138 për qind. Sipas të dhënave nga INSTAT në janar-mars në Tiranë janë dhënë gjithsej 43 leje ndërtimi nga 18 leje që ishin dhënë vitin e kaluar. Gjithashtu, lejet për të ndërtuar në kryeqytet ishin edhe më të larta se në tremujorin e fundit të 2016, ku u dhanë 41 të tilla. Nga janari i 2016 deri në fund të marsit 2017 u dhanë 149 lekë në kryeqytet. Numri i lejeve të dhëna sinjalizon se sektori i ndërtimit do të vijojë rritjen edhe këtë vit.
Në tremujorin e parë 2017 janë miratuar gjithsej 101 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, me një sipërfaqe rreth 91.864 m2.
Numri i lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa rezidente (ku përfshihen ndërtesat për banim) zë 75,2% të numrit gjithsej të lejeve, ndërkaq numri i lejeve miratuar për ndërtesa jo rezidente (ku përfshihen ndërtesat për hotele dhe të ngjashme, zyra, tregtare, industriale dhe të tjera) zë 24,8%. Gjatë tremujorit të parë 2017, në numrin e lejeve të ndërtimit të miratuara për ndërtesa të reja, përqendrimin më të madh e kanë Qarku i Tiranës me 42,6% dhe i Vlorës me 15,8%. Në Vlorë janë 16 leje në tremujorin e parë, ndërsa në Durrës u dhanë 12 leje, në Berat 5 leje, në Elbasan dhe në Fier nga 7 leje. Shqipëria vlerësohet të ketë pasur një bum në sektorin e ndërtimit për vitin 2016, duke qenë se lejet e dhëna panë rritjen më të madhe në rang europian. Sipas të dhënave të Eurostat, numri i lejeve të ndërtimit pësoi një rritje mesatare në vendet e Bashkimit Europian më 2016 me 10.3 për qind, ndërsa në Shqipëri sipas të dhënave të INSTAT, numri i lejeve të ndërtimit në vitin 2016 pati pothuajse një trefishim ose një rritje me 167 për qind. Shqipëria futet në vendet me sipërfaqe të vogël teksa projeksionet e popullsisë janë me tkurrje në vitet në vijim. Sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në vitin 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë 1,754,540 banorë me një rënie prej 1.2 milionë personash nga popullsia aktuale (2.9 milionë) sipas portalit të OKB.

Exit mobile version