Kryefjalët e munguara në Athinë

Nga Preç Zogaj

Në Greqi dhe Itali jetojnë e punojnë mbi një milion emigrantë shqiptarë. Po aq pothuajse në mbarë Perëndimin: Gjermani, Angli, Kanada, SHBA, e tjerë. Makina organizative e qeverisë dhe ajo e Partisë Socialiste nuk ka vështirësi të mbledhë disa mijëra syresh. Nga kjo pikëpamje nuk është fare në pyetje a mund të mbledhë emigrantë kryeministri, por përse i thërret, çfarë kërkon t’u thotë.

Në fjalimin e tij në Athinë Rama tha shumë gjëra. Por “tingëlluan” më fort kryefjalët e munguara.
Mungoi pikëpari një falenderim i madh, i drejtpërdrejtë, i zhvilluar për Greqinë dhe popullin grek që priti valën më të madhe të emigrantëve shqiptarë pas rënies së komunizmit. Ata u nisën si në një shpërngulje biblike të preknin e të gëzonin një nga liritë më të mëdha të qënies njerëzore, që është ajo për të shkuar në një vend tjetër, për të jetuar në një vend tjetër. Greqia i priti, grekët i pritën, u ofruan bukë, strehë, punë. Duhet të jesh i prishur mendsh të mendosh se derdhja e një populli të tërë pa letra dhe pa asgjë drejt Greqisë, Italisë dhe vendeve të tjera të Perëndimit do të kalonte si një festë, pa vështirësitë dhe frustrimin që i shkakton vendit pritës përballja me një vërshim të tillë. Në Itali, në verën e vitit 1991, i mbyllën në stadiumin e vjetër të Barit për disa ditë emigrantët shqiptarë të radhës, prej nga i kthyen në Rinas me ngut, me zemërim përmes urës ajrore që u vu në veprim nga Roma apostafat ato ditë. Kanë ndodhur ndërkaq tragjedi të mënzyrshme që të rrënqethin ti kujtosh. Në det më shumë se në tokë.

Por historia e madhe e emigrimit masiv të shqiptarëve qoftë në Itali, qoftë në Greqi ka si konstante dhe si fill të ndritshëm mikpritjen dhe bujarinë e grekëve dhe italianëve për fqinjët e tyre të rraskapitur dhe varfëruar nga regjimi i telave me gjëmba të Enver Hoxhës. Po të ishte ndryshe nuk do të kishin shkuar kaq shumë dhe nuk do të ishin kaq shumë sot e kësaj dite në tokën helene, meqë po flasim për Greqinë. Ndaj çdo takim i politikanëve të lartë shqiptarë me emigrantët duhet të nisë me një falenderim të madh për shtetin dhe popullin e vendit mikpritës. Këtë e dikton kodi i mirënjohjes njerëzore që është i racës sonë gjithashtu.

Një falenderim tjetër i munguar, që duhej të shprehej e zhvillohej me zë të lartë, me përulje, mirënjohje, me shifra gjithashtu është ai për ndihmën e jashtëzakonshme që kanë dhënë e vijojnë të japin emigrantët shqiptarë për familjet e tyre, për Shqipërinë, për ekonominë shqiptare. Sasia e parave të dërguara prej tyre gjatë prej më shumë se tri dekadave, në rrugë formale dhe informale, llogaritet të ketë qenë mesatarisht në vlerën e dy miliard eurove në vit, një shumë kolosale që në trajektoren e rimëkëmbjes dhe rritjes ekonomike të vendit ka qenë e barabartë me një të tretën e prodhimit të brëndshëm bruto. Dërgesat (remitancat) e emigrantëve kanë mbajtur me bukë, veshmbathje, ilaçe familje të tëra; paratë e tyre kanë dy-tre fishuar de fakto pensionet minimale që ka dhënë e jep shteti për qindra mijëra pensionistë; emigrantët kanë ndërtuar shtëpi dhe vila në vendlindje me paratë e djersës dhe mundit të tyre. Ata kanë investuar, kanë sjellë zhvillim dhe qytetërim në Shqipëri. Paratë e tyre kanë ndikuar për të mbajtur stabilitetin e treguesve makroekonomikë. Vetë ata, bashkë me banorët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, kanë përbërë përgjatë viteve numrin më të madh të turistëve, ashtu siç i ka rregjistruar dhe i rregjistron “defteri” propagandistik i qeverisë sa herë vinë në Shqipëri.
Si është e mundur që në takimin me të madh me emigrantët shqiptarë gjatë tridhjetë e tre viteve kryeministri i Shqipërisë, zoti Rama, anashkalon falenderime elementare që duhet të jenë në majë të fjalëve dhe zemrës së çdo shtetari në takime të këtij lloji?

Rama as i kishte menduar kur shkroi fjalimin në Tiranë, as u kujtua kur pa njerëzit që kishin ardhur ta dëgjonin. Liderve të vetprojektuar si shpëtimtarë u ndodh rëndom të shohin në masën e njerëzve para syve një njollë të madhe, të zezë, gri apo të kuqe, që u duket si prizë ku ata ushqejnë egocentrizmin, narcizizmin, kapërdisjen.

Kryeministri kishte tjetër gjë në mendje. Fjala e tij për emigracionin ishte gatuar me kujtime të këqija. Siç ishte për shembull evokimi i operacionit grek “Fshesa“ i para tridhjetë vjetëve, një operacion fyes në kontekstin e një acarimi mes dy qeverive të asaj kohe, por që zgjati pak dhe u arkivua përgjithmonë si kujtim i shëmtuar nga qeveritë greke në tridhjetë vitet që pasuan.

Po ashtu, dokëndisja e tyre gjakndezëse, gjoja duke u qarë hallin nga largësia e tri dekadave, sikur në ato fillime ishin shërbëtorë, leckamanë, rezidentë të damkosur të Greqisë – fjalë krejt të pasakta për natyrën dhe specifikën e emigrimit masiv të shqiptarëve në Greqi dhe kudo në Europë; fjalë fyese për Greqinë dhe për vetë emigratët.

Shqiptarët emigruan për të shijuar lirinë pas gjysmë shekulli izolim; emigruan si hallexhinj, për bukën e gojës shumë syresh, për një jetë më të mirë shumë të tjerë. Emigruan për të punuar. Në ndërtim, në tregti, në shërbime, aty ku punojnë me shumicë sot e kësaj dite me dinjitetinqë të jep puna e ndershme dhe mirëpaguar, cilado qoftë ajo. Secili prej emigrantëve në Greqi e di vetë se çfarë ishte kur shkoi dhe çfarë u bë duke punuar e jetuar atje. Shqiptarët kanë një shprehje shumë të bukur për të stigmatizuar mosmirënjohësin: Ha bukën dhe përmbys kupën. Besoj se shumica e emigrantëve nuk sugjestionohen të përmbysin kupën ngaqë dikush u thotë nga maja e thanës se ju kanë shkelur me këmbë.
Çfarë kuptimi kanë evokime dhe trajtime spekulative kësisoj përveçse të kruhesh kot, të fyesh vendin mikpritës, të nxisësh ndjenja negative dhe keqkuptime të tjera kundër vendit mikpritës te ata që të besojnë?

Është e vërtetë se shqiptarët emigruan si njerëz të traumatizuar nga izolimi dhe varfëria. Nëqoftëse një kryeministër i ditëve tona i rikthehet kësaj historie, gjëja më e drejtë që mund të bëjë është që në kuadrin e vazhdimësisë që ka shteti nga një regjim në tjetrin, t’u kërkojë falje shqiptarëve, të cilët emigruan masivisht, si jetimë sa i takon kujdesit shtetëror, me vështirësi dhe sakrifica shumë të mëdha, deri duke rrezikuar jetën.

Asnjë kryeministër a President i këtyre tridhjetë e katër viteve nuk e ka çuar nëpër mend ta bëjë këtë. Përse?
Thjesht nuk e kanë koshiencën e vazhdimësisë së shtetit? Jo vetëm kjo. Asnjë, as Rama nuk ka si kërkon falje për një arsye të thjeshtë: emigrimi masiv i shqiptarëve, hemoragjia kombëtare nuk është thjesht një histori e viteve të para të demokracisë që ka ngrirë atje. Është një realitet i përditshëm, i pandalshëm. Shpopullimi masiv nën qeverisjen e Ramës dhe “fshesa” britanike e përjavshme ndaj emigrantëve klandestinë shqiptarë atje, kësaj radhe me vendim të përbashkët mes qeverisë së Londrës dhe asaj të Tiranës, janë antistrofa, ironia dhe hipokrizia më e madhe e gjithë çfarë tha Rama për emigracionin në takimin në Athinë./ Liberale.al

Exit mobile version