Allegri fiton “Stolin e Artë”

Massimiliano Allegri ka fituar çmimin “Stoli i Artë” për sezonin 2016-‘17. Ai ka lënë mbrapa Gasperini-n dhe Sarri-n. Kjo është hera e tretë që trajneri i Juventus e fiton këtë çmim në karrierën e tij, pas atyre të marrë në sezonin 2008-‘09 me Cagliarin dhe 201011 me Milanin, kur fitoi titullin. I krijuar në 1993-in, “Stoli i Artë” është fituar tri herë nga Fabio Capello dhe Antonio Conte. Kështu, Allegri i ka arritur në krye të renditjes.
“Falënderoj lojtarët, klubin, që çdo vit më vë në dispozicion një organikë cilësore, dhe stafin tim”, ka thënë Allegri Më pas, ai i ka uruar fat të gjithë trajnerëve të tjerë për fundin e sezonit dhe, duke bërë shaka, “më pak Sarri-t”.
I pyetur në lidhje me Juventus-Milan, ndeshja e radhës në kampionatin italian, ai ka thënë: “Do të jetë një sfidë e vështirë, ne duhet të kthehemi menjëherë te fitorja. E ardhmja ime? Kam një kontratë deri në 2020-ën me Juventusin dhe këtu ndihem shumë mirë. Më pas, dihet e ardhmja e trajnerëve varet gjithmonë nga rezultatet”.

Gatusso, trajner i Milanit edhe për tri vite të tjera
Gennaro Gattuso do të rinovojë këtë javë edhe për tri vite me Milanin dhe do të shohë rritjen e pagës së tij. Drejtimi i mirë i skuadrës dhe referencat e lojtarëve e kanë bërë rinovimin e tij me Milanin si diçka të domosdoshme dhe tani mungon vetëm firma, pasi marrëveshja në parim është dakordësuar. Rinovimi zyrtar pritet të ndodhë këtë javë, para ndeshjes kundër Juventusit. Ish-kapiteni kuqezi e mori drejtimin e ekipit, pasi u largua nga stoli Montella, më 27 nëntor. Gatusso e ka udhëhequr Milanin në 23 ndeshje, me një mesatare fitimi prej prej dy pikësh për lojë, duke i çuar kuqezinjtë në vendin e gjashtë të Seria A, pesë pikë larg zonës që shërben për të luajtur në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Mertens: Ajo do të jetë finalja jonë
Dries Mertens është i përqendruar te kjo fazë finale e sezonit dhe te lufta për titull me Juventus-in: “Më vjen mirë që më 22 prill do të jetë përballja direkte. Do të jetë finalja jonë, ajo sfidë mund të jetë vendimtare. Për këtë arsye dua të jem gjithmonë në maksimumin e formës në këto javë të fundit”, ka thënë sulmuesi i Napolit. “Italia më ka bërë një futbollist më të mirë. Do të ishte fantastike të shpallesha kampion me Napolin”.
Napoli i Dries Mertens është vetëm 2 pikë larg Juventusit kryesues pas ndalesës së papritur të bardhezinjve në javën e fundit të kampionatit: “Fatmirësisht Juventus ka barazuar me Spal”, ka pranuar belgu, i cili është një pikë referimi i sulmit të Maurizio Sarri-t.
“Është e vështirë të kem të njëjtin rol sulmuesi në kombëtare, ashtu siç e kam te Napoli”, ka thënë Mertens, që është aktualisht i grumbulluar me Belgjikën. “Është e rëndësishme që të luaj. Ndonjëherë duhet të lësh mënjanë egon në interes të skuadrës”.

Emre Can kërkon të bëhet më i paguari te Liverpool
E ardhmja e mesfushorit të Liverpool, Emre Can, mbetet në dyshim. Kontrata e tij skadon në fundin e këtij sezoni dhe ai kërkohet nga skuadra, si Manchester City, Real Madrid dhe Juventus. Por janë këta të fundit klubi favorit për të siguruar shërbimet e lojtarit të kombëtares gjermane.
Gjithsesi, 24-vjeçari i ka dhënë pak shpresë drejtuesve të Liverpool se mund të qëndrojë, pasi i ka kërkuar atyre një rritje rroge marramendëse. Sipas “Mirror”, Can kërkon të paguhet 200.000 sterlina në javë, një shumë kjo që do ta bënte atë lojtarin më të paguar në “Anfield”. Ka pak mundësi që “Të Kuqtë” t’ia plotësojnë dëshirën.
Mesfushori ka zemëruar tifozët e Liverpool javën e kaluar pas një interviste të dhënë në Gjermani, në të cilën ka thënë: “Cilësitë e mia janë të mjaftueshme për të luajtur te një klub i madh sezonin e ardhshëm. Nuk mund të përjashtoj asgjë, sepse nuk di se çfarë do të bëj pas verës”.

Exit mobile version