Tregu, sekreti pas programit ekonomik të PD-së

Nga Vehap KOLA

Programi i Partisë Demokratike për ekonominë ka ngjallur shumë diskutime në media. Disa zëra e quajnë programin më shumë optimist se sa duhet, ndërsa të tjerë pyesin se ku do t’i marrë paratë Lulzim Basha për të realizuar programin. Për të dy shqetësimet përgjigjia është një: tregu. Tregu i lehtësuar nga barra e lartë e taksave, nga shteti i madh dhe nga monopolizimi do të përdorë paratë e kursyera për investime dhe kështu do të krijojë vende të reja pune dhe rritje të ekonomisë. Rritja e ekonomisë dhe rritja e bazës së tatimpaguesve do të mbulojë efektet negative që krijon në buxhet ulja e taksave.

110 mijë vendet e punës

Një ndër objektivat kryesorë të prezantuar nga Basha në programin e tij të ekonomisë është krijimi i 110 mijë vendeve të punës. Ndonëse një shifër mjaft e përmbajtur krahasuar me premtimin utopik të 300 mijë vendeve të punës të dhënë nga Rama 8 vite më parë, prapëseprapë angazhimi për 110 mijë vende pune në 4 vite nuk ka kaluar pa skepticizëm.
Pyetja që skeptikët shtrojnë është se si do t’i krijojë Partia Demokratike këto vende pune? Nga sa kuptohet nga programi i Bashës, pritshmëritë janë që shumë vende të reja pune të krijohen duke nxitur sipërmarrjen private dhe duke sjellë investime të huaja. Për këtë ka mjaftueshëm modele ekonometrike që tregojnë se si mund të stimulosh tregun për të hapur vende të reja pune.

Ekonomistët që kanë studiuar marrëdhënien e normave të tatimit mbi fitimin e kompanive me krijimin e vendeve të reja të punës kanë gjetur se në vendet me taksa të larta, kompanitë private krijojnë më pak vende të reja pune. Të njëjtat studime kanë arritur në përfundimin se taksat më të larta rrisnin normën e papunësisë në atë vend.

Teoria e përgjithshme e maksimizimit të fitimit na mëson se kompanitë përpiqen të maksimizojnë fitimet dhe të ulin kostot. Në këtë kuptim, taksat e larta veprojnë si kosto shtesë që reduktojnë rentabilitetin e një firme dhe aftësinë e saj për të investuar dhe punësuar. Pra, ulja e taksave e propozuar nga Partia Demokratike në programin e saj për ekonominë pritet të prodhojë efekte pozitive për punësimin. Ajo që mbetet të verifikojmë është se sa vende pune do të krijohen nga një program i tillë.

Taksat dhe investimet e huaja direkte (IHD)

Politika fiskale ka ndikim të madh edhe mbi investimet e huaja direkte (IHD). Marrëdhënien e politikës së taksimit me flukset e investimeve të huaja e kemi parë qartësisht edhe në Shqipëri. Ulja e madhe e taksave e ndërmarrë në vitin 2007 disafishoi investimet e huaja që për herë të parë në historinë e vendit kaluan nivelin 1 miliard dollarë. Në sajë të atyre politikave, Shqipëria ia doli të tërheqe projekte të mëdha investimesh si TAP, hidrocentralet e kaskadës së Devollit dhe qindra HEC të vegjël dhe sot sektori privat prodhon shumicën e energjisë që konsumon vendi.

Një studim i efekteve të taksave mbi investimet e huaja direkte në 25 vendet e OECD (Beck & Chavez, 2012) zbulon se rritja e normës efektive të taksimit mbi fitimin nxit fluturimin e kapitalit jashtë vendit. Qeveritë vendosin taksa relativisht të larta mbi të ardhurat nga kapitali mund të orientojnë më shumë investime jashtë dhe të tërheqin më pak investime të huaja brenda – konkludion studimi. Asgjë e ndryshme nuk ka ndodhur në Shqipërinë e 8 viteve të fundit. Investimet e huaja janë larguar drejt vendeve fqinje, që kanë ruajtur politika tërheqësve ndaj tyre.

Studime të tjera (Djankov et al, 2010) kanë konstatuar se rritja e normës së taksës me 10%, ul nivelin e përgjithshëm të investimeve me 2.2%. Për këtë arsye, është e besueshme se projekti i PD-së për taksë të sheshtë 9% mbi fitimin pritet të rikthejë Shqipërinë të paktën në të njëjtin rresht me vendet e rajonit sa i takon atraktivitetit të politikës fiskale për investimet e huaja. Pa dyshim që kjo do të sjellë rritje të investimeve e për pasojë rritje të punësimit, konsumit dhe të ardhurave në buxhetin e shtetit.

Taksat dhe sipërmarrja

Përfundimet nga studimet empirike tregojnë se normat e larta të tatimit mbi fitimin reduktojnë numrin e bizneseve, ulin numrin e hyrjeve të reja në treg dhe rrisin madhësinë e kapitalit për firmat e reja. Nga ana tjetër, natyra progresive e normës së tatimit mbi fitimin rrit hyrjet e reja në treg. Ndërsa kompleksiteti i kodeve, njësoj si normat e larta të tatimit, ul numrin e hyrjeve të reja. Studimi i përmendur më lart (Djankov et al, 2010) ka gjetur se një rritje prej 10% në nivelin e tatimit mbi fitimin shkakton një rënie prej 1.4% në numrin e bizneseve të reja që krijohen.

Ulja e taksave duke filluar me taksën e sheshtë 9%, ulja e normës së kontributeve të sigurimeve shoqërore nga 24.5% që është sot në 18%, rritja e pragut të sipërmarrjeve të vogla dhe mbajtja nën kontroll e barrës së përgjithshe fiskale mbi to në jo më shumë se 0.5% të xhiros, ulja e kostos së karburantit dhe stampa që mban larg inspektorët nga bizneset e vogla do të kenë vetëm një efekt kryesor: hyrjen e më shumë sipërmarrjeve në treg. Më shumë sipërmarrje do të thotë më shumë të punësuar, më shumë formalizim dhe më shumë të ardhura në buxhet, në sajë të zgjerimit të bazës së tatimpaguesve.

Taksat dhe rritja

Impakti negativ që norma e lartë e tatimit mbi fitimin ka mbi prodhimin në tërësi është një gjetje tjetër e studimeve empirike në këtë fushë. Sa më të larta normat e taksimit për fitimet e kompanive, aq më i ulët priret të jetë prodhimi i tyre – thonë studiuesit. Rritja e shpenzimeve qeveritare e financuar me taksa që ka ndodhur gjatë dekadave të fundit ka shkaktuar papunësi dhe ka ngadalësuar rritjen ekonomike.

Ulja e taksave ndikon sjelljen e individëve dhe bizneseve në dy drejtime. Së pari, sipas atij që quhet efekti i të ardhurave, taksat e ulëta rrisin paratë që mbeten pas taksave që mund të përdoren për shpenzuar, kursyer ose investuar. Kur individët dhe bizneset shohin një shpërblim më të madh të punës së tyre, ata ndjehen më të motivuar për të punuar, kursyer dhe investuar. Ky është në fakt efekti i synuar i politikave të reduktimit të taksave mbi madhësinë e një ekonomie.

Një tjetër efekt pozitiv i uljes së taksave është se një politikëe tillë redukton fuqinë shformuese të taksave dhe shkakton një zhvendosje me synim efiçencën drejt atyre aktiviteteve që deri më sot penalizoheshin nga taksat e larta.
Prandaj, në tërësi politikat fiskale të planifikuara nga Partia Demokratike në programin e saj ekonomik pritet të sjellin një ripërtëritje të shpejtë të ekonomisë, nxitje të sipërmarrjes dhe rritje të punësimit, rritje të investimeve të huaja direkte dhe rritje ekonomike më të shpejtë.

 

Exit mobile version