18 qershori u asgjësua, listat jashtë afateve

Kryetari i opozitës, Basha deklaroi dje se 18 qershori u asgjësua edhe nga ana proceduriale, pasi partitë e koalicionit qeverisës nuk dorëzuan listat e kandidatëve për deputetë brenda afatit ligjor. Basha paralajmëroi se ligji do të shkelet, pasi tani nuk ekziston më shteti i ligjit.
“Vetë procesi elektoral ka kolapsur edhe në kuptimin ligjor të fjalës. Mbrëmë në mesnatë, ka skaduar afati i fundit i Kodit Zgjedhor për dorëzimin e listave emërore të kandidatëve për deputetë të atyre partive që ishin regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Bëhet fjalë kryesisht për partitë e pushtetit, për partinë e Edi Ramës dhe partinë e Ilir Metës. Deri tani, asnjë prej këtyre partive kryesore të pushtetit nuk kanë dorëzuar listat emërore të kandidatëve. Me këtë akt, dhe sipas Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, në këtë moment është asgjësuar 18 qershori si një datë ligjore për zgjedhje në Republikën e Shqipërisë.
Atë, që kjo lëvizje dhe ky bashkim qytetar, e ka asgjësuar përmes qëndresës demokratike dhe paqësore, atë që ju e keni asgjësuar politikisht mbrëmë në mesnatë, dy partitë, duke mos dorëzuar listën e tyre shumëemërore, e kanë asgjësuar edhe ligjërisht. Natyrisht në këto katër vite, jo zbatimi i ligjit, por shkelja e tij ka qenë tipari i kësaj qeverisje dhe me siguri tellallët do të dalin sot me lloj-lloj justifikimesh e interpretimesh, se pse data nuk ishte dje, por ishte sot. Nuk kam ndërmend dhe nuk ju ftoj ta ndiqni këtë shfaqje të shëmtuar. Fakti është se data ka skaduar. Fakti është, po kështu, se këta nuk duan tia dinë as për ligj, as për Kod Zgjedhor dhe as për Kushtetutë. Ndaj, është në dorën tonë të vazhdojmë së bashku”, tha Basha.

Dy janë mundësitë para nesh

Basha ka deklaruar se ofertat e bëra nga mazhoranca kanë synuar që opozita t’i bashkohet pazarit të pistë të mazhorancës në qeveri dhe në këmbim të këtij pazari të shitej edhe vota e lirë e shqiptarëve. Basha tha se nuk ka ndërmend të dorëzohet dhe ai apeloi shqiptarët për vendosmëri deri në fitore.
“E para që republika e vjetër të vazhdojë avazin e saj. Asgjë nuk do të ndryshojë. Gjërat do të shkojnë keq e më keq me një tjetër parlament dhe një tjetër qeveri të zgjedhur, jo nga populli, por nga krimi, droga dhe paratë e korrupsionit. Ftesa ndaj opozitës, Partisë Demokratike dhe meje personalisht dhe presioni ndaj nesh ka një qëllim; që të bëhemi pjesë e këtij pazari të fëlliqur, alibi dhe perde për një proces zgjedhor të paracaktuar nga krimi dhe droga. Ne i kemi thënë jo. Unë i them jo e do të vazhdoj t’i them jo deri në fund. Rruga tjetër para nesh, është të vazhdojmë këtë betejë për votën e lirë, themelin e bashkëjetesës demokratike. Kjo është një sakrificë tashmë 71 ditore. Unë nuk mund t’ju premtoj se sa më shumë do të zgjasë kjo sakrificë. As nuk mund t’u premtoj se mund ta bëj këtë betejë më të lehtë apo më luksoze për ju. Por unë, ju premtoj ju, këtu në këtë shesh, para sakrificës që keni bërë deri më sot, para këtij bashkimi qytetar dhe para Zotit të madh se, në qoftëse jemi të bashkuar, nëse jemi të vendosur, nëse jemi të frymëzuar nga i vetmi interes i lartë patriotik, kombëtar dhe demokratik, për të siguruar me çdo kusht vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme, ne do të fitojmë, ju do të fitoni, Shqipëria do të fitojë. Eshtë në dorën tuaj, por edhe fitorja do të jetë e juaja dhe e mbarë shqiptarëve”, tha Basha.

Anulim që në orën e parë të ligjit për Arsimin e Lartë

PD do të anulojë ligjin klientelist të arsimit menjëherë sapo të vijë në pushtet. Duke u ndalur tek arsimi, Basha deklaroi se në programin e saj, PD parashikon forcimin e pavarësisë së universiteteve, ndërsa garantoi se asnjë të riu e të reje nuk do t’i mohohet e drejta për të ndjekur studimet e larta.
“Për studentët, Republika e Re do të mundësojë anulimin që në orën e parë të këtij ligji të tmerrshëm për Arsimin e Lartë, kthimin dhe forcimin e autonomisë universitare, që do të thotë që, për fatet e universiteteve do të vendosin vetë kolegjet e padagogëve dhe studentëve dhe jo ministrat e korruptuar, të kupolës së korruptuar të republikës së vjetër.
Me uljen e tarifave shtetërore, mbështetjen financiare të universiteteve publike, Republika e Re do të mundësojë që asnjë studenti, asnjë biri dhe bije shqiptari të mos i mohohet e drejta për shkollën e lartë, për shkak të pamundësisë ekonomike.
Dhe, studentëve që mbarojnë studimet, Republika e Re do t’u mundësojë një urë 1-vjeçare nga bankat e shkollës tek tregu i punës, përmes stazheve të paguara, 200 mijë lekë të vjetra në muaj, plus sigurimet, me qëllim që të rinjtë dhe të rejat shqiptare të kenë erën e mbarë në velat e anijeve të tyre, të cilat do të hyjnë në tregun e punës të një ekonomie të çliruar nga oligarkia, nga terrori, nga taksat e larta, nga pasiguria dhe nga krimi.
Në Republikën e Re koncesionet e derrave të korrupsionit që mblidhen nga mëngjesi deri në darkë, për të ndarë mes tyre, paratë e gjakut dhe djersës së shqiptarëve, do t’u kthehen edhe pensionistëve shqiptarë dhe në krye të katër viteve të para të qeverisë së parë të Republikës së Re, pensioni minimal i shqiptarëve do të jetë jo më i vogël se 250 mijë lekë të vjetra, dhe do të ketë rritje prej 40% në të gjithë sektorët e pensionit. Këto do të jenë avantazhet e para të një Shqipërie, ku asgjë nuk do të jetë si sot”, u shpreh kreu i PD.

Pazari i peshkut u kushton shqiptarëve qindra milionë euro

Pazaret përmes interesave klienteliste çimentuan pushtetin më të korruptuar dhe të inkriminuar që qeverisi për katër vite vendin, duke zhvatur qindra milionë euro të taksave të qytetarëve. Basha denoncoi dje se, pazari i koalicionit qeverisës vijon të zhvasë paratë e shqiptarëve, duke çuar ekonominë e vendit dhe të çdo familjeje shqiptare në faliment.
“Por asgjë nuk do të ndryshojë, nëse ne lëmë në këmbë mekanizmin kriminal dhe korruptiv që ndërtoi dhe çimentoi kupolën kriminale dhe korruptive të Republikës së Vjetër. Ju e njihni fare mirë se cili është ky mekanizëm, ia keni parë bëmat e një Shqipërie me ekonomi të falimentuar, e një Shqipërie me taksat më të larta në rajon, me çmimin e energjisë më të lartë në rajon, me çmimin e naftës ndër më të lartët në Europë, që prapë se prapë, jo vetëm nuk ia del t’i përgjigjet nevojave të qytetarëve, por i bën hi 600 milionë euro me qoka korruptive të Edi Ramës, me buzëkuqin e fasadave të të ashtuquajturës Rilindje Urbane, me shëndetësi të falimentuar, ku shushunjat pijnë gjakun e pacientëve dhe familjarëve të tyre përmes koncesioneve korruptive që janë bërë të larta sa mali i Dajtit. Me arsim në recension total, me pasiguri në rrugët tona, me Shqipërinë në pararojë të krimit dhe prodhimit të drogës, këto janë gjëmat e republikës së vjetër, këto janë gjëmat e kupolës kriminale.
Ju i dini të gjitha këto, por sot është rasti t’u përsërisim së bashku shqiptarëve mekanizmin kriminal, se si të gjitha këto bëhen të mundura. Mekanizmi kriminal i kupolës kriminale të republikës së vjetër, është mekanizmi i pazarit me interesin qytetar, me të ardhurat e qytetarëve, me burimet e vendit dhe me drogën që ka lulëzuar kudo. Emri i mekanizmit është pazari, njësoj si pazari i 1 Prillit para katër vitesh, që është dhe themeli i kupolës politike të republikës së vjetër, pazari ka vazhduar pa pushim ditë e natë.
Kupola politike e republikës së vjetër ekziston vetëm për një qëllim: që të pasurohet dhe të mbrojë pasuritë që vë në kurriz të shqiptarëve”, u shpreh Basha.
Kreu i PD paralajmëroi se bashkimi i shqiptarëve do t’i japë fund pushtetit të inkriminuar dhe t’i hapë rrugën krijimit të një qeverie që do të kontrollohet nga vetë qytetarët.
“Ky bashkim shqiptarësh do ta zëvendësojë qeverinë që ekziston vetëm për pasurimin dhe pushtetin e saj dhe që kontrollohet nga krimi dhe droga me një qeveri që kontrollohet nga qytetarët shqiptarë. Ky është thelbi i Republikës së Re, të zëvendësojmë pazarin e peshkut që është qelbur nga koka me kontratën morale mes bashkimit më të madh të shqiptarëve në histori dhe një qeverie që do të dalë vetëm nga vota e lirë e qytetarëve shqiptarë.
Pazari i peshkut që u qelb nga koka, që kur ishte ngjalë e u rikthye si peshk në Pazarin e Ri, ka përpirë qindra milionë euro çdo muaj e çdo vit, para të shqiptarëve. Ka përpirë qindra milionë euro çdo muaj e çdo vit para të shqiptarëve. Kjo është arsyeja se pse ekonomia është në faliment. Kjo është arsyeja pse biznesi ka mbyllur qepenat, biznesi i Korçës dhe i mbarë Shqipërisë vuan ditë për ditë. Baza e shkatërrimit të biznesit të vogël është abuzivizmi i një qeverie arrogante dhe një ushtrie taksidarësh mizorë të cilët janë sulur mbi familjet e vetëpunësuara dhe biznesin e vogël që është vetë shtylla e punësimit në Shqipëri”, tha Basha.

Binzesi i vogël, taksë nën 1.5% të xhiros vjetore

Frymëmarrje biznesit. PD parashikon taksë nën 1.5% të xhiros vjetore për bizneset e vogla.
“Biznesi i vogël e di se në republikën e re, asnjë taksidar nuk do të lejohet në premisat e biznesit që afishon pullën e pagesës së detyrimeve, të cilat kurrsesi nuk do të kalojnë 1.5% të xhiros vjetore. Ky do të jetë limiti maksimal i detyrimeve qendrore dhe lokale që paguan biznesi i vogël. Nuk do të ketë pagesë mbi 1.5% të xhiros. Nuk do të ketë sharlatanë që shpikin taksa siç është kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe disa të tjerë që ndjekin shembullin e tij. Qeveria me ligj do të vendosë si kufi maksimal të taksave të biznesit të vogël 1.5%, të cilat do të shlyhen me këste dhe me vetëdeklarim dhe çdokush që i përmbahet këtij rregulli dhe që demonstron pullën përkatëse, ka fituar të drejtën që asnjë taksidar, asnjë inspektor, asnjë punonjës i shtetit të mos i shkojë ndër mendje t’i futet biznesit të vogël përveçse si konsumator i biznesit të vogël”, tha Basha.

Meta, President i Ramës dhe peshkut të qelbur nga koka

Zgjedhjet e Ilir Metës President, Basha e cilësoi si presidentin e dalë nga pazari i “peshkut të qelbur nga koka”, ndërsa tha se kjo zgjedhje nuk përfaqëson vullnetin e shqiptarëve. Basha tha se, ky akt është kapitulli i fundit i pazarit që ka mbajtur deri më sot këtë qeveri në pushtet. “Pazari i republikës së vjetër u kurorëzua dje me zgjedhjen e presidentit, me caktimin e presidentit nga pazari i Pazarit të Ri. E dua demokracinë, thotë presidenti i sapo zgjedhur, dhe ja, po e shijoj demokracinë. Por kjo nuk është demokracia e vërtetë. Pazari mbi shishet e verës, që kushtojnë më shumë se pensionet e një qyteti të vogël, për të zgjedhur presidentin nuk është demokraci e vërtetë. Nuk përfaqëson as vullnetin e popullit dhe as gjendjen kritike të përplasjes sociale dhe krizën politike në vend.
Ky është thjesht dhe vetëm kapitulli i fundit i pazarit politik të republikës së vjetër, mekanizmit që ka mbajtur në këmbë dhe ka ushqyer tash 4 vite këtë komplot ekonomik që ka zhveshur shqiptarët nga fuqia blerëse, që ka shpunësuar bijtë dhe bijat e tyre. Që ka bërë prindërit të paguajnë tarifa më të larta për universitetet, që ka dergjur pacientët dhe familjet e tyre në një sistem shëndetësor të falimentuar. Që ka krijuar një shtet të falimentuar, të korruptuar e të inkriminuar deri në palcë.
Ky është akti i fundit i teatrit me kukulla, i pazarit politik, i modelit që mbajti në këmbë republikën e vjetër tash 4 vite. Duke mbyllur njëherë e përgjithmonë jetën e saj me këtë akt politik, republika e vjetër po mbyll turpshëm ekzistencën e saj dhe barrën e saj tashmë të papërballueshme e të padurueshme për qytetarët shqiptarë.
Ilir Meta e di këtë. Edhe Edi Rama e di këtë fare mirë. Ai më kot dhe i dëshpëruar u përpoq të thoshte dje, se Ilir Meta është një president më afër PD-së se sa partive të tjera. Le t’i themi sot, se për ne, Partinë Demokratike dhe gjithë qytetarët që na besojnë, Ilir Meta është vetëm afër pazarit të peshkut, që është qelbur nga koka ndaj Edi Rama ta gëzosh ti, atë, dhe peshkun e qelbur nga koka”.
Basha ritheksoi edhe njëherë se e vetmja rrugë për të mundësuar zgjedhje të lira dhe të ndershme është largimi i Ramës nga pushteti dhe krijimi i një qeverie teknike që do të garantojë votën e lirë të shqiptarëve.
“Ne nuk kemi ardhur në këtë betejë për pazare të fëlliqura politike. Ne nuk kemi ardhur në këtë betejë për pushtetin tonë. Ne nuk kemi ardhur në këtë betejë as që t’u sigurojmë luksin disa deputetëve të opozitës që ta kenë edhe nga një karrige për 4 vitet e ardhshme. Ne kemi ardhur në këtë betejë për një mision të madh qytetar dhe kombëtar, dhe ky mision është të zëvendësojmë qeverisjen e kontrolluar nga krimi dhe droga me një qeverisje të kontrolluar nga qytetarët shqiptarë.
Që qeverisja të kontrollohet nga qytetarët shqiptarë, ne duhet dhe do të kemi vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme, ku shqiptarët të votojnë të pashitur e të pablerë, të pakërcënuar dhe të pavënë në rresht nga një shtet kriminal dhe i dështuar, i bërë njësh me partitë në pushtet. Prandaj e vetmja rrugë për zgjedhje të lira dhe të ndershme është largimi i Edi Ramës, një qeveri teknike me mandat popullor dhe politik, për të luftuar drogën, për të larguar kriminelët dhe për të garantuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, u shpreh kreu i PD.

Fermerët do financohen me 100 milionë euro në vit

100 milionë euro në vit do të jetë fondi përmes të cilit PD do të financojë fermerët për të nxitur zhvillimin e prodhimit të tyre. Basha ndau dje me qytetarët dhe fermerët e Korçës programin e PD për zhvillimin e bujqësisë.
“Sot me kënaqësi të jashtëzakonshme kemi dëgjuar në këtë agorë fjalën, të vërtetën e korçarëve, e qytetarëve dhe fermerëve të Korçës, që janë sot, jo për herë të parë, jo vetëm pjesëtarë të këtij tempulli të lirisë, por edhe flamurtarë të këtij bashkimi të madh qytetar, popullor për Republikën e Re dhe për zgjedhje të lira e të ndershme.
Dita e sotme është fillimi i javës së 11-të të kësaj proteste, protestë e cila ka një qëllim, një objektiv; zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Por ajo që lindi përmes kësaj proteste, ky bashkim i madh i shqiptarëve, pa dallim bindjesh politike, përkatësie krahinore, fetare apo statusi ekonomik dhe social, ajo që lindi përmes këtij bashkimi të madh popullor, ëndrra për Republikën e Re, ka hedhur vetëm hapin e parë.
Ne me forcën e bashkimit do t’ia dalim ta fitojmë totalisht betejën për zgjedhje të lira e të ndershme. Por kjo betejë është vetëm e para, vetëm e para betejë që na pret në rrugën drejt Republikës së Re, drejt atij realiteti për çdo shqiptar, për çdo kryefamiljar, për çdo nënë e baba, për çdo të ri e të re, për pensionistët, për studentët, drejt atij realiteti që nuk do të ketë asgjë të përbashkët me realitetin e sotëm ku është kredhur Shqipëria.
Të vërtetat e sotme të çdo shqiptari shpalosen këtu, pa censurë, me njëri-tjetrin, sepse arma e fuqishme e oligarkisë, që janë mediat e kapura, për fat të keq, kanë 70 ditë që censurojnë fjalën e qytetarëve dhe japin vetëm fjalën time, ndaj unë, përpiqem të bëj një përmbledhje. Kjo armë e fuqishme që grasatohet me zhaget e korrupsionit, që lyhet me paratë e taksave të shqiptarëve dhe madje është dhe pjesë e narko-kartelit, kjo media, nuk kam fjalën natyrisht për operatorët, për gazetarët, të cilët i përshëndesim dhe që kanë qenë dhe janë pjesë e pandashme e këtij bashkimi qytetar, po për një grusht pronarësh që e kanë lidhur fatin e tyre me fatin e kupolës së Republikës së Vjetër, përmes parave të korrupsionit dhe 101 marifeteve, i pret zërin qytetarëve, teksa flasin të vërtetat e tyre të dhimbshme, këtu në këtë çadër, siç e kanë censuruar tash 4 vjet, Shqipërinë e halleve dhe problemeve, duke mos shikuar kudo ku ajo është, në shtëpi, në punë, në fusha e kudo tjetër.
Pra, hallet e njerëzve, që shpalosen këtu ditë për ditë dhe Republika e Re, ai realitet që nuk do të ketë asgjë të bëjë me realitetin e sotëm. Gjithçka do të ndryshojë dhe asgjë nuk do të jetë më si më parë. Republika e Re do t’i adresojë këto probleme, duke vënë në dispozicion të zgjidhjes gjithë asetet e Republikës së Re, asetet e Shqipërisë, që do t’i kthehet shqiptarëve.
Kështu do të mundësojmë në Republikën e Re që fermerët e mashtruar, të zhgënjyer, të braktisur, e të goditur deri në palcë, nga padrejtësitë, dredhitë, taksat, dhe tregu i shkatërruar për prodhimet e tyre, të rikthehen fuqishëm në ekonominë shqiptare, jo thjesht duke prodhuar sa për të mbajtur frymën gjallë, por duke u bërë një pjesë e rëndësishme e luftës kundër varfërisë, e zhvillimit rural dhe një tregu ku përfitojnë jo vetëm ata, por edhe konsumatorët e prodhimeve të tyre, e djersës së tyre.
Ne do ta mundësojmë këtë në Republikën e Re, kur qindra milionë euro që sot i përpijnë kuçedrat e koncesioneve dhe tenderave me në krye Edi Ramën, do t’i rikthejmë sipas një skeme prej 1.5% të prodhimit të brendshëm, shpenzime për bujqësinë.
Në Republikën e Re, 100 milionë euro subvencione të drejtpërdrejta për fermerët dhe 50 milionë euro investime në infrastrukturën bujqësore vit për vit, çka do të thotë se, mesatarisht, siç u shpreh këtu edhe profesor Bardh Sallaku, do të thotë, afërsisht pesëdhjetë mijë lekë për dynym asistencë, subvencion, çdo fermeri, çdo familjeje fermere. Zerim pra, i akcizës, i taksave dhe i gjithë peshës së madhe që sjell abuziviteti me fidanët, me farërat, me plehrat kimike dhe inpute të tjera bujqësore, që i shërbejnë një qëllimi, pasurimit të një grushti njerëzish”, tha Basha.

Korça me 970 biznese të mbyllura në një vit dhe përgjysmim të fuqisë blerëse

Në ditën e 71 të protestës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, qytetarët e Qarkut të Korçës bashkëbiseduan me kryedemokratin Lulzim Basha për keqqeverisjen që ka rritur varfërinë në këtë qark.
Qyteti i Korçës ka sot vetëm investime fasadë e kulla korrupsioni, ndërkohë që të rinjtë po ikin nga qyteti, varfëria është rritur, bizneset po mbyllen dhe fermerët e kësaj zone nga më të njohurat nuk po prodhojnë më.
Kryetari i Shoqatës së Biznesit të vogël e të mesëm në Qarkun e Korçës, Koli Biraj tha se është premtuar se do hiqeshin xhandarët tatimorë, por ndërkohë ata janë akoma aty. “Premtimi për ulje taksash kompensohet me vendosje gjobash që vetëm shumëfishojnë taksat”, tha Biraj.
Bujar Muço nga shoqata e biznesit të vogël tha se, biznesi në Korçë është në prag të falimentit. “180 familje që punonin në pazarin e Korçës u hodhën në rrugë. Sot biznesi është drejt falimentimit. 42% ka rënë fuqia blerëse sipas të dhënave tona. 27 mijë biznese janë mbyllur vjet dhe vetëm në Korçë falimentuan 970 biznese të vogla e të mesme”, tha ai.
Fermeri Mustafa Zhurka tha se po dëgjojnë të njëjtat premtime nga Rama, ndërkohë që nuk kanë më besim se do të mbështeten.
Por sot, Korça është mbërthyer nga një oligarki, e cila po përqendron vendimmarrjen në duart e veta. Mirela Qeleshi, financiere me eksperiencë mbi 20-vjeçare në Korçë, u largua padrejtësisht nga puna. Ajo akuzoi të majtët se kanë marrë peng qytetin, duke e zhytur në mjerim të thellë. “Korçën e ka rrëmbyer dhe hipotekuar një oligarki peleshjane, e cila ka mbërthyer këtë qytet, duke marrë çdo vendim nga një lokal që e di çdo korçar”, tha ajo.
Viola Tasi, nënë e re e papunë tha se nuk ka asnjë mbështetje dhe shpreson nga Republika e re. Edhe psikologia Katerina Mullalli tha se priste të niste punë në qytetin e saj, por edhe pse me kriteret e duhura, asaj iu refuzua puna, sepse nuk ishte pjesë e listave të partisë në pushtet.
Pedagogia, Ledina Aliolli tha se gjendja e të rinjve është e pashpresë. Ajo shprehu vlerësimet për programin ekonomik të Partisë Demokratike. “Të rinjtë korçarë nuk kanë shpresë të gjejnë punë dhe të vetmen shpresë kanë të ikin nga qyteti. 50% e të rinjve korçarë sot janë të papunë. Sot, Korça identifikohet si Korça e kullës së shëmtisë dhe e fasadave të rikonstruktuara, por të një pazari të falimentuar. Kanë nisur të shantazhojnë të rinjtë, por edhe mësuesit. Këtu me vete kam një formular patronazhi që ata u kërkojnë të sjellin në këmbim të vendit të punës. Kjo nuk është republika që ne duam. Duam një republikë të re”, tha ajo.
Enina Facaj, avokate nga Korça akuzoi qeverisjen, duke treguar se vite më parë ka punuar në administratën e Ramës në Bashkinë e Tiranës dhe kishte dhënë dorëheqjen për shkak se punohej vetëm për fasadë. “Duhet të marrim shembullin e Rumanisë me protestat e vazhdueshme për të arritur të drejtat e në veçanti të drejtën e votës. Kjo është arsyeja që unë po vazhdoj të luftoj si ju”, tha Facaj.
Pedagogia Sorina Koti tha se, “të rinjtë duan të ikin nga Korça dhe shoh që studentët duan të ikin. Sot nuk jemi vetëm të denoncojmë, por ne po shpalosim programin tonë për të treguar se çfarë do të bëjmë për Korçën”.
Kryedemokrati Lulzim Basha tha se, republika e re do të kthejë shpresën, duke nisur nga shkulja e korrupsionit, krimit dhe narkotrafikut.
“Në Republikën e Re, 100 milionë euro subvencione të drejtpërdrejta për fermerët dhe 50 milionë euro investime në infrastrukturën bujqësore vit për vit, çka do të thotë se, mesatarisht, siç u shpreh këtu edhe profesor Bardh Sallaku, do të thotë, afërsisht pesëdhjetë mijë lekë për dynym asistencë, subvencion, çdo fermeri, çdo familjeje fermere. Zerim pra, i akcizës, i taksave dhe i gjithë peshës së madhe që sjell abuziviteti me fidanët, me farërat, me plehrat kimike dhe inpute të tjera bujqësore, që i shërbejnë një qëllimi, pasurimit të një grushti njerëzish”, tha Basha.
Ai premtoi mundësi për të rinjtë dhe studentët shqiptarë, si dhe taksa të ulëta dhe lehtësi për biznesin.
“Qeveria me ligj do të vendosë si kufi maksimal të taksave të biznesit të vogël 1.5% të cilat do të shlyhen me këste dhe me vetëdeklarim dhe çdokush që i përmbahet këtij rregulli dhe që demonstron pullën përkatëse, ka fituar të drejtën që asnjë taksidar, asnjë inspektor, asnjë punonjës i shtetit të mos i shkojë ndër mendje t’i futet biznesit të vogël përveçse si konsumator i biznesit të vogël”, tha Basha.

Exit mobile version