125 mijë vende të reja pune në Britani

Tregu i punës në Mbretërinë e Bashkuar është fuqizuar në tremujorin e dytë, ndërkohë që norma e papunësisë ra në nivelin më të ulët që prej vitit 1975. Të dhënat e Zyrës Kombëtare të Statistikave treguan se norma e papunësisë në tremujorin e dytë, ra në 4.4%, poshtë vlerësimeve të analistëve prej 4.5%.
125 mijë vende pune u krijuan në periudhën prill-qershor, duke e çuar treguesin e papunësisë poshtë normës së ekuilibrit të Bankës së Anglisë prej 4.5%.
Megjithatë, të dhënat për rritjen e pagave theksuan sfidat që paraqiten për Theresa May dhe qeverinë e saj, ndërkohë që ekonomitë familjare po ndjejnë vështirësitë nga rritja e çmimeve që prej daljes nga Bashkimi Europian.
Ndërsa inflacioni është ngadalësuar lehtë që prej muajit maj ku shënoi nivelin më të lartë në 4 vite prej 2.9%, çmimet po rriten ende më shpejtë se pagat.
Zyra e Statistikave, raportoi se të ardhurat totale përfshirë bonuset u rritën me një normë vjetore prej 2.1% në tremujorin e dytë, nga 1.9% që ishte rritja për të parin, duke marrë nxitje nga pagesat e bonuseve në sektorin financiar.
Pavarësisht se projeksionet qëndronin për një rritje më të ulët, të ardhurat reale ranë me 0.5% gjatë kësaj periudhe.
Banka e Anglisë po monitoron me detaje rritjen e pagave dhe projektoi një rritje me 2% për këtë vit, duke u përshpejtuar në dy vitet e ardhshme. Stërlina u rrit lehtë pas publikimit të të dhënave, duke arritur 1.29 kundër dollarit amerikan.

Exit mobile version