Zhgënjimi i madh i Brexit

PIERRE VIMONT
Kur Theresa May foli për Konferencën e Partisë Konservatore në vitin 2016 për çështjen e votës së Britanisë së Madhe më 23 qershor për t’u larguar nga Bashkimi Europian, ajo bëri premtimin e “Britanisë globale” të çliruar nga kufizimet europiane dhe ruajtje të plotë të sovranitetit politik dhe ekonomik të vendit. Kryeministrja britanike theksoi në veçanti se, ky ndryshim do të mundësojë marrëveshje më fitimprurëse të tregtisë krahasuar me ato që Britania ka si anëtare e BE-së dhe se vendi do të mbrohej edhe nga prurja e refugjatëve, por duke ruajtur gjithmonë aksesin në tregun e përbashkët të Bashkimit Europian.
Nëse dëgjon një fjalim të tillë, nuk mund të bëhesh skeptik. Për ata që kanë moshën e duhur për të mbajtur mend adoptimin e vështirë të Traktatit të Mastrihtit të Bashkimit Europian në vitin 1992, premtimet e May-t ishin reminishenca të premtimeve të hiperbolizuara që janë dëgjuar në atë kohë nga shtete anëtare, për faktin se integrimi europian përfaqësonte mënyrën më të mirë për t’u mbrojtur nga kërcënimet e globalizimit. Në atë kohë argumenti politik prevaloi, por realiteti mori hak trembëdhjetë vite më vonë, veçanërisht në Francë dhe Holandë, ku drafti i traktatit kushtetues të Bashkimit Europian u refuzua në mënyrë demonstrative nga referendumet përkatëse. Premtimet nuk ishin mbajtur dhe votuesit nuk e kishin harruar këtë. Ky model premtimesh të pambajtuara dhe zhgënjimi të vazhdueshëm të qytetarëve rrezikon të përsëritet teksa populli britanik fillon të zbulojë se vizioni që iu prezantua për jetesën pas Brexit, nuk është gjë tjetër veçse utopi. Për ta prishur rrethin vicioz, Bashkimi Europian dhe liderët kombëtarë duhet të shqiptojnë disa të vërteta të hidhura rreth arritjeve të Europës deri më sot. Ata duhet të angazhohen më shumë edhe në debatet kombëtare në secilin vend anëtar rreth së ardhmes së BE-së dhe t’i ofrojnë një narrativë të re popujve të tyre.

Pritshmëritë e hiperbolizuara
Një krahasim i Bashkimit Europian pas Traktatit të Mastrihtit dhe të Britanisë së Madhe pas votës së Brexit sjell dy pozicione të kundërta politike. Në vitet 1990, liderët pro europianë e mbivlerësuan kapacitetin e bashkimit për të mbrojtur modelin social europian kundër presioneve në rritje të botës së re të globalizuar. Sot, lidershipi i Britanisë ka nisur të bëjë sërish mbivlerësimin e saj të kapacitetit të Britanisë për një marrëveshje më të mirë tregtare pas divorcit me BE-në krahasuar me ato që Londra ka pasur deri tani.
Megjithatë, në të dy rastet qytetarët shkuan drejt së njëjtës zgjedhje politike, duke pranuar premtimet që nuk mund të përmbusheshin dhe që liderët politikë e dinin që nuk mund të mbaheshin. Nëse vëzhgojmë këtë tejpritshmëri të vazhdueshme të politikës europiane gjatë 25 viteve të fundit, kushdo mund të pyesë veten se përse ka ndodhur. Disa mund ta shohin këtë trend si ilustrimin e mënyrës se si politikanët janë të mësuar me artin e zhgënjimit të votuesve të tyre (ndoshta edhe veten), ndërsa të tjerë mund të fajësojnë mungesën e informimit publik se çfarë është në të vërtetë Bashkimi Europian dhe si funksionon ai.
Cilado qoftë arsyeja, rezultati i kësaj narrative të shtrembëruar është i qartë: gjeneron pakënaqësi të mëdha, madje edhe zemërim ndërmjet qytetarëve europianë kundrejt institucioneve europiane. Duhet theksuar fakti se njerëzit që kanë votuar kundër Traktatit të Mastrihtit në referendumin e vitit 1992 në Francë kanë të njëjtat karakteristika – të ardhura të mesme ose të ulëta, nivel të ulët edukimi – me votuesit që mbështetën Brexit. Me pak fjalë, BE-ja po përballet me të njëjtin realitet politik tani si atëherë: një mesazh pozitiv i ekzagjeruar për të ardhmen e Europës që takohet me skepticizëm të madh nga qytetarët që janë lënë jashtë sistemit.
Me kalimin e kohës nuk është parë asnjë ndryshim i qëndrimit të liderëve europianë dhe si rezultat euroskeptikët janë shtuar krahasuar me pro europianët. E njëjta recetë çon drejt të njëjtit rezultat, pasoja të ngjashme do të dalin në pah në anën e kundërt të politikës europiane dhe narrativa e Brexit për sovranitetin britanik mund të pësojë të njëjtin fat me hiperbolën e Mastrihtit.
Kjo paradigmë e premtimeve jorealiste formon një kërcënim të madh për historinë e Europës. Ka patur paragjykime të shumta për narrativën europiane dhe është kuptuar se rezultatet e pritshme janë të ekzagjeruara. Tashmë qytetari i mesëm europian nuk mund të ushqehet më me optimzëm të tejfryrë që të ruajë besimin kundrejt të ardhmes europiane. Kjo nuk do të thotë se nuk ka pasur progres gjatë këtyre viteve, por tendenca drejt pritshmërive të fryra ka qenë një karakteristikë e vazhdueshme e trashëguar nga epoka e Mastrihtit.
Në fakt, që pas Traktatit të Mastrihtit, Bashkimi Europian nuk ka propozuar asnjë horizont të ri politik për qytetarët europianë për të mobilizuar përpjekjet dhe për të kapur imagjinatën popullore. Hiperbola u kthye në strategjinë kryesore për të kompensuar mungesën e ambicies europiane. Kjo ishte mënyra se si liderët europianë promovuan idenë në vitin 2000 se, Traktati i Lisbonës do ta bënte Europën ekonominë më të avancuar dhe të suksesshme të botës gjatë shekullit 21, euro do të kthehej në monedhën më konkurruese dhe politikat e jashtme dhe të sigurisë do ta transformonin BE-në në një aktore permanente në arenën globale.
Qytetarët europianë nuk u gënjen. Ata e nuhatën realitetin që fshihej pas fjalëve, thjesht duke parë përçarjet e mëdha gjatë pushtimit të Irakut nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara në vitin 2003, shkatërrimin që solli kriza e eurozonës në vitin 2008 pas krizës financiare globale apo nga mungesa e plotë e rolit të Bashkimit Europian në luftën civile siriane që nisi në vitin 2011.

Edhe Bashkimi Europian do të vuajë pa Britaninë

Të njëjtat pasoja mund të ndjekin e narrativën e Brexit që po promovohet nga elita britanike. Thirrjet për rivendosjen e plotë të sovranitetit britanik mbi politikën dhe veprimet e saj ndjekin premtimin e të ardhmes më të ndriçuar për vendin – një e ardhme që duket e vështirë për t’u parashikuar në rast se shqyrton faktet.
Tregtia është shembulli më i dukshëm që vërteton se premtimet e tejkalojnë realitetin. Nëse Londra implementon opsionin e të ashtuquajturit Brexit i egër, nuk do të transferohen pushtete të reja në institucionet e BE në të ardhmen. Kjo do të thotë se asnjë prej skenarëve të parashikuar deri tani për marrëdhënien e re të Britanisë me BE – bashkimi doganor, anëtarësimi në Zonën Ekonomike Europiane, marrëveshje të posaçme të ngjashme me atë të Zvicrës – nuk mund të jetë i aplikueshëm. E vetmja zgjidhje që mbetet do të jetë marrëveshja e tregtisë së lirë ose mundësi e Marrëveshjes së Asociimit për të vendosur bashkëpunimin ekonomik dhe politik. Të dy këto opsione e vendosin Britaninë në një pozicion më pak të favorshëm për sa i përket tregtisë, krahasuar me pozicionin e saj aktual të aksesit të vendit në tregun e përbashkët.
Në të njëjtën mënyrë, një marrëveshje e tillë mund t’i bëjë negociatat e ardhshme të tregtisë së Britanisë me partnerët e vendeve të treta akoma më të vështira, pasi pozicioni negociues i Britanisë vetëm mund të dobësohet kur Londra të mbetet vetëm. Sot, vetëm Britania përfaqëson një fraksion të rrjedhës së plotë të tregtisë në Bashkimin Europian me partnerët e rajonit. Është e vështirë të besosh se vendet e treta do të kërkojnë të akomodojnë të gjitha interesa e një partneri të tregtisë që ka humbur mundësinë e influencimit të tregtisë më të madhe të koalicionit të BE-së.
Natyrisht, edhe Bashkimi Europian do të vuajë pa Britaninë. Perceptimi aktual i shumicës së partnerëve më strategjikë të Europës si Kina, India dhe Japonia, duket se mbart dyshime të shumta se drejt cilës rrugë po shkojnë 27 vendet e mbetura të BE-së. Sfidat e shumta që e kanë tronditur fort stabilitetin e Bashkimit Europian – kriza e eurozonës, keqmenaxhimi i prurjes së refugjatëve apo rritja e opozitës së shumë vendeve anëtare për marrëveshjet e tregtisë së lirë – e kanë goditur shumë pozicionin strategjik të bashkimit. Brexit vetëm mund ta përkeqësojë situatën. Britania nga ana e saj, një mbështetëse e tregtisë së lirë, do të jetë më pak aktive në debatet e brendshme të BE-së për sa i përket këtyre marrëveshjeve që do të ndikojnë ekonominë e saj.
Më tej, tërheqja e Britanisë do ta dobësojë akoma më shumë ekonominë e dobët europaine. Për sa i përket politikës së jashtme, ndarja ndërmjet BE-së dhe Britanisë mund të jetë vetëm e dëmshme për pozicionin global të të dy palëve, cilado qoftë marrëveshja që do të bëjnë për të ruajtur partneritetin pragmatik. Ky vlerësim bëhet mëse i qartë në një kohë kur europianët, të ndodhur përballë epokës së re të administratës së presidentit Donald Trump, duhet të paraqiten të bashkuar dhe të vendosur për të mbrojtur interesat e përbashkëta.

E njëjta narrativë?
Pra, nuk ka arsye përse europianët dhe britanikët duhet të ushqehen me narrativën e premtimeve jorealiste. Megjithatë, mbledhjet e fundit të Bashkimit Europian duket se kanë aplikuar pikërisht të njëjtën recetë të vjetër. Edhe pse shfaqen të ndërgjegjshëm se rajoni ndodhet në një kohë të vështirë pas vendimit të Brexit, fjalimet e BE-së kanë përsëri tendencën të shkojnë drejt pritshmërive të hiperbolizuara.
Sfida e emigracionit e ilustron më së miri situatën. Liderët thonë se e kanë devijuar rrugën e emigracionit përmes Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë, kampet e tranzitit në Greqi po tejmbushen, brigjet italiane po mbyten nga një numër i madh emigrantësh dhe popullsitë e shumicës së shteteve anëtare janë gjithnjë e më pak të kënaqur me perspektivën e pritjes së emigrantëve në fqinjësinë e tyre. I njëjti arsyetim mund të përdoret edhe për sfidat e tjera aktuale si ato të sigurisë dhe ekonomisë që liderët i paraqesin me shpresa të mëdha, por me shumë pak rezultate të dukshme.
Megjithatë, duket se ka shenja të ndjekjes së një qasjeje të re, sikur leksionet e së shkuarës kanë filluar të mësohen. Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker duket se po adopton një tjetër qëndrim, kur bëhet fjalë me përshkrimin e realitetit politik të Europës në ditët e sotme. Pasi mori pushtetin në nëntor të vitit 2014, ai theksoi qartë se nuk do të kishte zgjerim të mëtejshëm të BE-së gjatë mandatit të tij, i cili përfundon në vitin 2019.
Më vonë, gjatë një fjalimi në Parlamentin Europian më 14 shtator 2016, ai theksoi se Bashkimi Europian nuk ishte “Shtetet e Bashkuara të Europës”. Në të njëjtin fjalim dhe me të njëjtin qëndrim realist, Juncker pranoi se në lidhje me çështjen e refugjatëve, nuk mund të imponohet asnjë zgjidhje mbi vendet anëtare pa pëlqimin e tyre. Duket se pasi kanë preferuar për një kohë të gjatë të ushqejnë qytetarët me premtime të ekzagjeruara që nuk mund të mbahen, liderët do të jenë më në fund të detyruar të përballen me realitetin dhe të fillojnë të artikulojnë qartë të tashmen dhe të ardhmen e Bashkimit Europian.

Përktheu:
KLARITA BAJRAKTARI

Exit mobile version