Vrasja për kanabisin në Sarandë, autorët ende të lirë

Ndonëse kanë kaluar 48 orë nga vrasja në Ksamil të Sarandës, policia ende nuk ka arritur të zbulojë dhe arrestojë autorët. Ngjarja ka ndodhur të dielën në mbrëmje ku 53-vjeçari Agron Xhezairi është vrarë me breshëri arme, ndërsa burimet bënë të ditur se ka dyshime të forta që vrasja mund të jetë bërë për hakmarrje, pasi djali i tij është personi kryesor i dyshuar për vrasjen e Aleksandër Bardhit më 24 shtator në fshatin Shëndëlli.
Policia e Sarandës bëri të ditur se, ka shoqëruar familjarë, shokë dhe të afërm të Aleksandër Bardhit. Familjarët e Aleksandër Bardhit janë shoqëruar në polici pas ekzekutimit të Agron Xhezairit. Nga të dhënat e deritanishme ata nuk e kanë marrë përsipër vrasjen e 53-vjeçarit. Por policia ka dyshime për një hakmarrje midis familjeve për shkak se djali i viktimës, Albi Xhezairi është person në kërkim për vrasjen e Aleksandër Bardhit.
Madje për të thuhet se është larguar në drejtim të Greqisë dhe kjo shpjegon edhe arsyen pse shënjestër e ekzekutimit ishte prindi i tij. Agron Xhezairit i kishte shpëtuar një atentati në 30 tetor, por jo mbrëmjen e së dielës. Ai u qëllua me breshëri në derë të shtëpisë, në sy të kunatës dhe të mbesës së vogël. Sipas Policisë së Sarandës, njëri nga autorët ka qëlluar kurse tjetri ka ndihmuar që të dy të largoheshin me shpejtësi me motor nga vendi i ngjarjes.
Kurse Xhezairi u qëllua me automatik pasi, kishte dalë për të lidhur qenin. Ai tentoi t’u largohej atentatorëve, por ata e ndoqën deri edhe në korridor të banesës. Gjatë natës u bënë kontrolle të shumta, megjithëse autorët nuk janë kapur. Dyshohet që hasmit e Xhezairit të kenë vepruar me vrasës me pagesë. Përplasja mes dy familjeve deri më tani ka sjellë dy vrasje. Albi Xhezairi bashkë me dy persona të tjerë vranë Aleksandër Bardhin në 24 shtator të këtij viti. Kjo vrasje erdhi për shkak të konflikteve për kanabisin.

Exit mobile version