Vrasja e dyfishtë në Vlorë, Prokuroria hetime jashtë vendit

Vrasja e biznesmenit Mirvjen Hyseni dhe drejtorit të OSHEE-së së Vlorës, Roland Saliu, ka bërë që policia të shtrijë hetimet jashtë vendit. Burime nga grupi hetimor thanë se, hetuesit po verifikojnë destinacionet e muajve të fundit të Hysenit në Itali, apo vende të tjera të BE-së. Aktualisht janë dokumentuar të gjitha hyrje-daljet në sistemin tims.
Të njëjtat burime thanë, se po shtrijnë hetimet edhe në të kaluarën e biznesmenit si dhe problemeve që ai ka pasur në Spanjë apo vende të tjera. Por specialistët e Krimeve të Policisë së Vlorës, nuk kanë lënë jashtë vëmendjes së tyre edhe probleme apo konflikte që vetë Hyseni mund të ketë pasur në Shqipëri.
Të gjitha informacionet e mbledhura që prej ditës së atentatit të dyfishtë, pritet të analizohen gjatë të hënës. Grupi hetimor i kësaj çështjeje, pritet të raportojë në lidhje me veprimet hetimore përpara Prokurorit të rrethit dhe drejtorit të Policisë së Qarkut, Gentian Shehaj.
Mbi bazën e këtyre informacioneve dhe të dhënave, pritet që ata të orientojnë hetimin e çështjes në ditët në vijim.
Për Policinë dhe Prokurorinë e Vlorës dy autorët e vrasjes nuk janë treguar të kujdesshëm. Dy autorët, të cilët kanë lëvizur me një BMW të vjedhur në Durrës kanë kaluar në rrugët kryesore të qytetit bregdetar dhe janë filmuar nga disa kamera sigurie. Përveç kësaj, hetuesit thonë se ata kanë zgjedhur ta kryejnë vrasjen në një orar, ku ka pasur mjaft lëvizje të qytetarëve, të cilët kanë fiksuar lëvizjet e tyre. Disa prej dëshmitarëve okularë kanë dhënë detaje të vlefshme për hetimin.
Një tjetër gabim i autorëve sipas grupit hetimor është braktisja e makinës në dalje të fshatit Panaja. Dy autorët i kanë vënë flakën mjetit me idenë se ajo do të digjej pa ardhur zjarrfikësja. Por, ata i kanë lënë xhamat e mjetit të mbyllura, gjë e cila nuk ka ndihmuar djegien.
Zjarrfikëset kanë mundur të shuajnë flakën dhe ekspertët kriminalistikë kanë arritur të gjejnë aty prova, të cilat do të ndihmojnë në identifikimin e autorëve. Aty janë gjetur fije flokësh që mund të çojnë në identifikimin e autorëve të vrasjes së dyfishtë. Me mbetjet biologjike, pritet që të ndërtohen edhe profilet gjenetike të autorëve, për t’i krahasuar më pas me ato të personave të dyshuar. Në Institutin e Policisë po ekzaminohet edhe kallashnikovi i gjetur në mjetin që u tentua të digjej, për të parë nëse është përdorur në ngjarje të tjera kriminale.

Exit mobile version