Vetëm 10% e shqiptarëve kursejnë për pleqërinë

Vendet me popullsi relativisht të re, ku përfshihet edhe Shqipëria, e konsiderojnë të pazakontë të kursejnë për moshën e pleqërisë. Banka Botërore, duke iu referuar Global Findex i vitit 2014, në një studim të fundit të saj, vëren se vetëm 10% e familjeve në Shqipëri kursejnë për moshën e pensionit.
Të rriturit me të ardhura të ulëta kanë shumë gjasa për t’u përballuar me mungesë totale të kursimeve pas daljes në pension. Në vendet e varfëra zakonisht jo më shumë se 8% e familjeve mendojnë të kursejnë për pleqërinë.
Studimi sheh një lidhje më të madhe që vendet me popullsi të plakur kanë më shumë prirje të kursejnë për moshën e pensionit.
Përqindja e të rriturve, të cilët kursejnë për moshën e vjetër është 22% në Bjellorusi, 18% në Hungari, dhe 15% në Federatën Ruse. Por në vendet me popullsi relativisht të re, kursimet për pension janë relativisht të pazakonta. Vetëm 5% e të rriturve në Republikën e Kirgistanit, dhe vetëm rreth 10% në Shqipëri dhe Turqi, kursejnë për moshën e vjetër.
Në përgjithësi, ekziston një nevojë për të rritur kursimet e daljes në pension në rajon. Kursimet e ulëta mund të rrisin vulnerabilitetin dhe të krijojnë një ekspozim më të lartë ndaj krizave të mundshme-vë në dukje Banka Botërore në analizën e saj.
Plakja e popullsisë në rajonin e Europës Qendrore dhe në Ballkan po çon në rënie të të ardhurave për skemat e pensioneve. Ndaj Banka Botërore sugjeron se politikëbërësit duhet të gjejnë mënyra të reja për t’u kujdesur për të moshuarit. Krizat e viteve 1990 dhe ajo e vitit 2008 kanë bërë që rajoni të braktiset nga moshat e reja.
Mesatarja e kursimit për moshën e vjetër në rajon është vetëm 12%, më pak se gjysma e këtij treguesi në vendet e zhvilluara.
Skemat aktuale të pensioneve sigurojnë kthime të ulëta në pleqëri, ndaj pensionistët do të duhet të punojnë më gjatë, sugjeron BB.

Exit mobile version