Vdekja e foshnjës 15 muajshe në Durrës, babai akuzon mjekët

Një fëmijë e seksit femër është paraqitur në orët e para të ditës së djeshme, pa shenja jete në Urgjencën e Spitalit Rajonal Durrës. Mësohet se vajza 15 muajshe me iniciale N.A., banuese në Fllak të Durrësit ishte e shoqëruar me prindërit në momentin që kanë hyrë në urgjncë rreth orës 02:30 të ditës së djeshme, siç bën me dije policia.
Ndërsa grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të vdekjes dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes, bëhet e ditur se fëmija që ka shkuar e vdekur në urgjencë para tre ditësh është vizituar në Pediatri për virozë. Madje prindërit e saj, kanë thënë në polici se, mjeku i ka dhënë edhe një recetë me ilaçe, të cilat ia kanë përdorur vajzës.
Babai i foshnjës 15-muajshe Kujtim Aga, shprehet se fëmija kishte vështirësi në frymëmarrje, prandaj edhe më 14 prill ai bashkë me të shoqen e çuan për vizitë në Pediatrinë e Durrësit. “Ne e sollëm para tre netësh vajzën në Pediatrinë e Durrësit, kishte vështirësi në frymëmarrje. Mjekja i bëri një vizitë dhe na dha një mjekim për në shtëpi. Disa ilaçe ia bleva që atë natë, disa të tjera në mëngjes. Vajza gjatë këtyre ditëve ka pasur vetëm vështirësi në frymëmarrje. Ia kemi bërë mjekimin siç na tha mjekja”, u shpreh i ati.
Për gjithë këtë histori tronditëse, ai bën përgjegjëse, mjeken. “Duhej ta kishte shtruar vajzën në spital, ne ja thamë shqetësimet”, shtoi Aga. Në lidhje me ngjarjen ka folur edhe shefi i Pediatrisë së Durrësit, Fatmir Shanini, i cili ka deklaruar se vajza është paraqitur në 14 prill në orën 23:00 të mbrëmjes, me probleme në rrugët e frymëmarrjes. Ai tregon se i është dhënë ndihma e nevojshme atë natë, por mohon që viroza e stinës të jetë shkak për vdekjen. Shahini thekson se, shkakun do ta nxjerrë vetëm ekspertiza.
“I kemi bërë një aerosol që u zhbllokua nga sekrecionet, me aparatin e frymëmarrjes. Iu dha një mjekim nga doktoresha që ishte roje, shkak për vdekjen nuk është viroza e stinës. Shkaqet mund të jenë të ndryshme, por do përcaktohen nga ekspertiza. Mund të jetë një vdekje e menjëhershme, por edhe për shkak të mbytjes nga kalimi i sekrecioneve në rrugët e frymëmarrjes”, sqaroi ai.

Exit mobile version