Ujët & diamantet

Aurel PLASARI

Nuk e kam me ujin dhe çmimin e tij, jo, por pikërisht rragatjet për çmimin e ujit më kujtuan paradoksin e ujit dhe të diamanteve. Është njëri nga paradokset e njohura të ekonomisë klasike, i quajtur edhe “paradoksi i vlerës”. Mund të shprehet shkurt kështu: ndonëse uji është më i dobishëm / madje i domosdoshëm / se diamanti, janë diamantet ato që kanë çmim më të lartë në treg. U mor me këtë paradoks z. Adam Smith, ai që sot në Shqipëri ka sevdallinjtë e vet, në veprën “Mbi pasurinë e kombeve”. Edhe të tjerë e kishin vënë re para tij. Por ishte z. Smith që e formuloi habinë e vet paradoksale kështu:
“Gjë më të dobishme se uji s’ka, mirëpo pakogjë mund të blihet me të dhe asgjë me vlerë me të nuk mund të shkëmbehet. Një diamant, përkundrazi, ka vlerë të paktë përdorimi, porse me anë të tij mund të blihen ose të këmbehen shumë gjëra”.
Kur erdhi Marx-i shpjegoi atë çfarë mendja e Adam Smithit me shokë nuk e kishte përkapur: vlerën-punë. Madhësia e vlerës së një malli, tha Marx-i, varet nga puna socialisht e nevojshme për prodhimin e tij. Ajo nuk përcaktohet aspak nga “vlera e përdorimit” dhe nga përdorimi konkret që i bëhet më mbas atij malli, si dhe as nga nevoja konkrete që ai mall përmbush.
Prandaj vlera e ujit është zakonisht më e vogël se ajo e një diamanti ngaqë puna socialisht e nevojshme për të siguruar ujin është më e vogël, ndërsa puna socialisht e nevojshme për të siguruar një diamant është më e madhe dhe kjo pavarësisht nëse uji përdoret për të përmbushur një funksion jetik, ndërsa diamanti jo. Ishte e qartë, për Marx-in, që në situata mungese vlera është më e madhe sepse kushtet e mungesës kërkojnë një shtim të punës socialisht të nevojshme për të prodhuar / ose siguruar / një mall të caktuar. Mungesa ose rrallësia e diamanteve kërkon më shumë punë për t’i siguruar, prandaj ata janë aq “të vlershëm”. Në të njëjtën mënyrë shpjegohet se përse në zona shkretëtirash, ku kërkohet më shumë punë për ta siguruar, uji ka vlerë më të madhe sesa në zona që nuk janë shkretëtira. Pra, sipas pikëpamjes së Marx-it, paradoksi i ujit dhe diamanteve, domethënë ai që quhet paradoksi i vlerës, është vetëm një shembull i gabimit teorik në të cilin patën rënë ekonomistët klasikë duke ngatërruar dhe bërë lëmsh vlerën me vlerën e përdorimit, si dhe një shembull i trajtimit të mallit si fetish nga ana e ekonomistëve të tillë.
Ishte edhe ky paradoks njëri nga shkaqet e shumta që në ekonominë neoklasike të shpikej teoria që njihet në angl. si “marginal utility”. Fjalë për fjalë ajo përkthehet e “dobisë anësore”, por ka kuptimin e dobisë joparësore, të dobisë së dorës së dytë a të tretë etj., pra të dobisë që mund të lihet mënjanë. Kjo teori e zgjidhte paradoksin me përfundimin që nuk është kërkesa e një të mire / pasurie / ajo që përcakton çmimin e saj, por “dobia margjinale” e saj. Sipas saj vlera e një të mire / pasurie / nuk përcaktohet nga sasia e punës që është harxhuar për prodhimin e saj, si teoria e vlerës-punë marxiste, as nga dobia në përgjithësi, porse çmimi përcaktohet nga “dobia margjinale” e saj, që është përdorimi më pak i rëndësishëm i asaj të mire / pasurie / për personin.
Për sipërmarrjet dhe bizneset “dobia margjinale” ka të bëjë me cakun delikat mes fitimit dhe humbjes, që janë në ekuilibër të pasigurt. Për ne që nuk kemi qëlluar as sipërmarrës dhe as biznesmenë, teoria e “dobisë margjinale” ndihmon për të kuptuar diçka nga situata që po përjetojmë, sepse duhet të përpiqemi të kuptojmë, apo jo? Më shqip: ajo ndihmon për të dalluar ekuilibrin e paqëndrueshëm mes të pasurit dhe të mospasurit, mes kamjes dhe skamjes. Më pëlqen ajo sidomos kur debatoj me mjeshtër të librit, të botimit, të promovimit të kulturës, të cilët një e dy ankohen: “Librat nuk shiten”, “Librat nuk blihen”, “Për librat nuk ka më interes”, “Njerëzit nuk e duan librin”, “Njerëzit janë indiferentë ndaj kulturës”, “Njerëzit nuk e çajnë më kokën për kulturën”. Etj. Nëse do të bënim ndonjë orvatje për të depërtuar, fjala vjen, në një vepër të cilën e kam rekomanduar mëse një herë, “Manual of Political Economy” të ekonomistit sociolog të përsyshur Vilfredo Pareto, padyshim që do ta kuptonim ndryshe edhe titullin ironik të Hemingway-t për romanin “To have and to have not”. Ndonëse autor “i përsyshur”, shoh që më në fund e ka ribotuar edhe Oxford University Press më 2014.
Po përdor një shembull “katundarësh”, që e ka shtënë në punë jo vetëm Pareto, por edhe kolegu i tij Böhm-Bawerk para Paretos dhe që tanimë përdoret rëndom në tekste të ekonomisë politike: Një fermer ka prodhuar pesë barrë grurë. Me të parën do të bëjë bukë për të siguruar atë që quhet “bukë e gojës”. Të dytën do ta përdorë për farë për vitin e ardhshëm. Me të tretën do të ushqejë kafshët që ka në fermë. Të katërtën do ta shtjerë në punë për të prodhuar whisky. Me të fundit do të ushqejë pëllumbat. Nëse i heqim njërën nga këto barrë, kjo nuk do të thotë që ai do të thjeshtojë gjithë sa bën në një të pestat, jo: ai do të lërë pa ushqyer pëllumbat. Kështu që vlera e një barre grurë rezulton e barabartë me kënaqësinë që ai provon kur ushqen pëllumbat. Duke hequr këtë barrë grurë, përdorimi më pak i domosdoshëm cili mbetet? Mbetet barra me të cilin bën whisky. Nëse ia heqim edhe atë, ai as whisky nuk do të prodhojë më. Dhe kështu me radhë: nëse nuk ka më mundësi të ketë katër barrë, mandej as tre dhe as dy, i mbetet vetëm barra e grurit për bukën e gojës dhe fermerit i duhet të bëjë llogaritë për kafshatën, në mos po edhe të hajë më pak. Ky i fundit është përdorimi i skajshëm më produktiv i grurit: barra e fundit është baras me jetën e tij. Barrët e tjera, të prodhimit më pak produktiv, përbënin “dobitë margjinale” të tij, ato që mund të lihen “mënjanë”.
Kështu, nëpërmjet “dobisë margjinale”, shpjegohet edhe se përse shishja e fundit e ujit në shkretëtirë ka aq shumë vlerë dhe se përse në një situatë të tillë gjithkush do të ishte i gatshëm të jepte një diamant për një shishe ujë, ndonëse një shishe ujë kushton shumë shumë më pak se një diamant.
Ka qenë e pritshme që edhe teorisë së “dobisë margjinale” t’i bëhen kritika, – në shkencë kritikat për çdo teori të re përbëjnë kusht për përparimin shkencor, – nga shkolla e Ludwig von Mises-it për shembull. Por në Shqipërinë tonë teorinë e “dobisë margjinale” e vërteton realiteti. “Librat nuk shiten”?, “Librat nuk blihen”?, “Për librat nuk ka më interes”?, “Njerëzit nuk e duan librin”?, “Njerëzit janë indiferentë ndaj kulturës”?, “Njerëzit nuk e çajnë më kokën për kulturën”? E pra nuk qenka krejt kështu. Qytetarëve u janë ngritur taksat e banesës e të jetesës dhe ju keni heshtur, sepse ju i përballoni. Atëherë qytetarët nuk kanë mundësi të ushqejnë pëllumbat me barrën e grurit që nuk e kanë më. Qytetarëve u janë rritur taksat e arsimit dhe të gjelbërimit a të automjetit e të qarkullimit, ndërsa ju përsëri keni heshtur, sepse ju i përballoni. Qytetarët mbaskëtaj, edhe me një tjetër barrë gruri më pak, nuk mundin më të prodhojnë whisky. Qytetarëve mund t’u dyfishohet deri edhe çmimi i ujit. Dhe ju përsëri heshtni, sepse ju e përballoni, ndërsa vijoni të ankoheni që librat “nuk blihen”. Por qytetarët, të cilëve u hiqet edhe një tjetër barrë gruri, rrezikojë të thjeshtohen te barra simbol e bukës së gojës. Atëherë, ju mjeshtër të librit, ende do të vazhdoni të shtireni kinse nuk e kuptoni që këta qytetarë, blerës potencialë, nuk është se nuk e duan librin a se e kanë zët kulturën, por ata me të drejtë numërojnë natë për natë “barrët e grurit”, duke llogaritur atë më të fundit? Dhe të heshtni? Nuk është më çështje “libri”.

Exit mobile version