Trump kërkon rinegocim për klimën

US President Donald Trump (C) and French President Emmanuel Macron (R) during the unveiling ceremony of the new headquarters of NATO (North Atlantic Treaty Organization) on May 25, 2017 in Brussels during a NATO Summit. / AFP PHOTO / BELGA / BENOIT DOPPAGNE / Belgium OUTBENOIT DOPPAGNE/AFP/Getty Images

Presidenti i SHBA, Donald Trump tha se, “diçka mund të ndodhë” në lidhje me vendimin e Uashingtonit për t’u tërhequr nga marrëveshja e Parisit për klimën.
Në komentet që bëri në Paris pas bisedimeve me homologun francez Emmanuel Macron, zoti Trump gjithashtu nuk i kushtoi rëndësi një takimi vitin e kaluar midis djalit të tij dhe një avokateje ruse. “Në takim nuk ndodhi asgjë”, tha Presidenti Trump.
Para pak ditësh, djali i madh i Presidenti Trump, Donald Trump Jr., publikoi një e-mail, nga i cili dilte se takimi ishte bërë për të diskutuar mbi materiale të mundshme që e dëmtonin fushatën e kandidates demokrate Hillary Clinton.
Rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016 dhe pohimeve se fushata e zotit Trump ka bashkëpunuar me interesat ruse, janë duke u zhvilluar disa hetime.
Lidhur me ndryshimet klimatike, Presidenti francez, Macron, pranoi se dy palët nuk pajtohen në këtë çështje, por “respektojnë” vendimin e zotit Trump për t’u tërhequr nga marrëveshja e Parisit.
Zoti Trump la të kuptohej se rihyrja e SHBA në marrëveshje është diçka që mund të ndodhë në të ardhmen. “Do të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha ai.
Me vizitën e tanishme në Francë, Presidenti Trump synon të tregojë se administrata e tij mbetet e angazhuar me aleatët tradicionalë evropianë.
Ashtu si zoti Trump, edhe Presidenti Macron është i sapozgjedhur në këtë post dhe vjen në krye të vendit si një personalitet jashtë politikës.
Pak përpara se të fillonin bisedimet, Presidenti Macron tha se është “e natyrshme dhe e domosdoshme” për të patur shkëmbime me zotin Trump, motoja politike e të cilit, “Amerika e para” i ka shqetësuar disa aleatë të rëndësishëm evropianë.

Një vizitë e shpejtë
Presidenti Trump arriti në kryeqytetin francez pas një fluturimi gjatë natës nga Uashingtoni për një vizitë të shpejtë 36 orëshe, për të diskutuar me udhëheqësin francez mbi zgjidhjet e mundshme të krizës në Siri dhe mbi strategjitë më të gjera kundër terrorizmit.
Presidenti dhe Zonja e Parë Melania Trump u përshëndetën nga zoti Macron dhe bashkëshortja e tij, Brigitte, në Les Invalides, vendvarrimi i Napoleonit.
Presidenti amerikan mori pjesë të premten në festimet e Ditës së Bastijës dhe në ceremonitë me rastin e 100-vjetorit të hyrjes së SHBA në Luftën e Parë Botërore.
Në festimet me rastin e Ditës së Bastijës, trupat amerikane marshuan së bashku me ato franceze në bulevardin e famshëm Champs Elysees. Të enjten, një ditë para festimeve, presidenti amerikan u takua me homologun francez për të gjetur një gjuhë të përbashkët për çështje si Siria dhe lufta kundër terrorizmit.
Në takimin e tyre në muajin maj, tërhoqi vemendjen shtrëngimi i duarve mes tyre, që u përhap me shpejtësi virale në mediat sociale – një udhëheqës i ri francez, i cili jepte mesazhin se Franca do t’i rezistonte Presidentit Trump dhe politikës së tij “Amerika e Para”.
Veç klimës, një tjetër çështje delikate është marrëdhënia e zotit Trump me Presidentin rus Vladimir Putin, që u shfaq të premten, në punimet e G20-ës. Franca, sikurse edhe pjesa tjetër e Europës Perëndimore, e ndoqi takimin Trump-Putin me nervozizëm.
“Nuk ka asgjë substanciale për t’u shqetësuar për këtë, por vetë procesi, gjuha e përdorur, mënyra se si ai është aq i gatshëm të përdorë një gjuhë të ashpër ndaj aleatëve dhe hezitimi për të përdorur të njëjtën gjuhë ndaj Rusisë, i bën njerëzit të mendojnë, nëse do të ketë në muajt e ardhshëm një nismë amerikane për Sirinë, Rusinë apo Ukrainën; ose nëse është rënë dakord me Kremlinin para se të diskutohet me Parisin, Berlinin apo edhe me Londrën…”, thotë analisti britanik Malcolm Chalmers.
Ky është udhëtimi i tretë përtej oqeanit dhe në Evropë i zotit Trump, që kur ai filloi mandatin e Presidentit në janar të këtij viti.

Macron: Asgjë nuk do e ndajë Francën nga SHBA

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ka qenë “nder i madh” për të, për të përfaqësuar SHBA-në në Paradën e Ditës së Bastilles në Paris.
Dita e Bastille është festë kombëtare në Francë, ndërsa këtë vit ka përkuar edhe me 100-vjetorin e hyrjes së SHBA-së në Luftën e Parë Botërore. Në një postim në Twitter, Trump tha se parada e trupave amerikane dhe franceze në Paris ka qenë “madhështore”.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha në anën tjetër se SHBA-në dhe Francën “nuk do t’i ndajë kurrë asgjë”.
“Prania e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe e bashkëshortes së tij janë shenjë e një miqësie që ka vazhduar me kalimin e kohës. Dua t’i falënderoj ata, dua t’i falënderoj Shtetet e Bashkuara për zgjedhjen që kanë bërë 100 vjet më parë”, tha Macron.
Trump dhe Zonja e Parë, Melania, kanë qëndruar dy ditë në Paris. Të enjten, Trump dhe Macron kanë zhvilluar një takim zyrtar, gjatë të cilit është folur për luftën kundër terrorizmit, marrëveshjen për klimën e të tjera.

Exit mobile version