Tri vendimet strategjike të Bashës

Rritja e pensioneve, shkollat sipas modelit europian me orare europiane dhe drekën e paguar nga shteti, dhe rritjen e ndihmës ekonomike për të gjitha familjet në nevojë do të jenë tre vendime madhore të Lulzim Bashës në katër vitet e qeverisjes së ardhshme. Lulzim Basha u tha qytetarëve të Beratit dje të mbledhur në mitingun përmbyllës të fushatës, që të dalin derë me derë, të përhapin lajmin se ndryshimi i madh po vjen. Basha tha se, ai është gati të jetë kryeministri i njerëzve, i halleve të tyre, i kërkesave të tyre. Kryeministri që do ndezë motorin e ekonomisë, sepse ka një plan që do hapë vende pune, që do sjellë investime, do rrisë konsumin e prodhimin në vend. “Ne kemi planin, ne kemi vendosmërinë, ne kemi mbështetjen. Edi Ramës nuk ia blen askush premtimet për herë të dytë. E ka kuptuar edhe vetë. Ndaj refuzon çdo përballje. E di se në një përballje dhe një debat do t’i duhen vetëm 5 minuta t’i bjerë të fikët para meje dhe para gënjeshtrave të tij. Jo vetëm i ka të shkurtra gënjeshtrat e tij, por nuk e mbajnë as gjunjët më. 1 muaj i iku debatit dhe tani do të zëvrndësojë debatin për hallet tuaja me cic-micet me mua. Kjo nuk ka për të ndodhur. Një timon fëmijësh t’ia blejmë tek tregu e ta largojmë njëherë e mirë se, Shqipëria nuk ka nevojë për një kryeministër që mendon vetëm për veten e tij e pushtetin e tij. Mendon vetëm qejfet dhe tekat e tij, që nuk ndan prioritetet e qytetarëve, por ka vetëm prioritetet e tij. Sepse kjo nuk është lojë. Kjo është jeta e shqiptarëve. Këto janë miliardat e shqiptarëve dhe nuk mund të përfundojnë si xhixha loje për palma e për fasada, e për tendera e koncensione korruptive. Ndaj me 25 Qershor, na duhet e do të kemi një plan, një ekip dhe një kryeministër që do të ndezë motorin e ekonomisë. Ky do të jem unë, kryeministri i njerëzve punëtorë të Beratit, Kuçovës, Urës Vajgurore, Poliçanit, Çorovodës dhe gjithë Shqipërisë. Jam gati me mbështetjen tuaj, ta nisim punën e madhe që na pret, punën e vërtetë për ndryshimin e vërtetë që do të doni e do të keni në familjet tuaja”, tha Basha. Kryedemokrati tha se, plani i tij ekonomik do rrisë konsumin, prodhimin, do rrisë pensionet, do sigurojë shkolla të mira me drekë për fëmijët e shqiptarëve dhe do garantojë mbështetje për nevojtarët. “Ndaj këto 5 ditë, që nga ky moment, kur të ndahemi nga ky miting i jashtëzakonshëm, gjithsecili prej jush gjeni dhe afroni 5 të tjerë. Jo ata qindra e mijëra që tashmë i kemi në mesin tonë, por 5 të tjerë nga ata të heshtur, kokëulur. Merrini dhe jepuni nga kurajoja juaj. Ndriçojini me programin dhe planin tonë ekonomik. I tregoni se ne do t’i ulim taksat, se ne do ta ulim TVSh-në, se ekonomia do të ringjallet dhe se rritja ekonomike do të garantojë punë dhe punësim, se rinia do të ketë 10 mijë stazhe të paguara dhe se me të ardhurat e shtetit kurrë më nuk do të bëhen lojëra, fasada, palma, tendera e koncesione korruptive, bileta avioni 2.5 milionë euro në muaj për qeveritarët e shpenzime pa fund për ata. Por ne do të bëjmë 3 gjëra të rëndësishme këto 4 vite të para; rritjen e pensioneve, shkollat sipas modelit europian me orare europiane dhe drekën e paguar nga shteti, dhe rritjen e ndihmës ekonomike për të gjitha familjet në nevojë. Ndajeni planin tonë, shpërndajeni frymën tonë të fitores. Fitorja po vjen, askush nuk e ndal dot”, tha Basha.

Votat e bashkuara të shqiptarëve do rrëzojnë Ramën

Basha paralajmëroi Ramën të ndalë humorin e zi me hallet e shqiptarëve, pasi këta të fundit do të hedhin në Osum me 25 qershor Rilindjen bashkë me tepsinë. “Rilindja, katastrofa më e madhe kombëtare në 27 vite. Sot në fundin e saj, gjetën rastin Edi Rama bashkë me sejmenët e tij të bëjnë humor me hallet e shqiptarëve, të bëjnë humor të zi me një lojë të tmerrshme që po afekton fëmijët anembanë botës dhe që i shtyn drejt vetëvrasjes, por harrojnë se këto katër vite numri i të vetëvrarëve nga Rilindja është shtuar me 50%, se në vend të 300 mijë vendeve të punës çuan 300 mijë shqiptarë nga dëshpërimi jashtë Shqipërisë. Zbrazën Beratin, zbrazën Shqipërinë. Ndal humorit të zi Edi Rama, vëri fre gjuhës se me 25 qershor do të marrësh ndëshkimin popullor me votë. Nuk të lejoj të sillesh si klloun cirku nëpër Shqipëri dhe të pretendosh se ti nuk je autori i njëmijë e një të zezave dhe halleve që hoqi Berati dhe beratasit. Dëgjoje mirë Edi Rama zërin e këtij populli fisnik, por të rebeleuar, në këmbë dhe të vendosur për ta hedhur në Osum tepsinë, por edhe Rilindjen bashkë me tepsinë. Kush i rriti taksat këto katër vite, kush rriti faturën e energjisë, çmimin e naftës, kush i mbushi institucionet me kriminelë, kush bënte pazare për pushtetin, kush mbylli qepenat e biznesit të vogël, kush bëri sikur ua uli taksat dhe pastaj i mbyti me gjoba biznesin e vogël, kush e la rininë e Beratit jashtë Universitetit”. Basha iu përgjigj dhe kritikave të Kryeministrit për planin ekonomik të PD-së. “Sot, ka guximin të marrë në gojë të vetmin plan ekonomik që ka kjo fushatë, planin e PD, të ekipit tim fitues. Planin ekonomik që e mbështet Europa, Amerika, që ka nxjerrë këto vende nga kriza. Që ekonomia të rritet, taksat duhet të jenë të ulëta. Edi Rama nuk e di, nuk do t’ia dijë, kurrë nuk ka menduar për ekonominë, por vetëm për timonin. Kjo merr fund me 25 qershor. Do të nisim së bashku punën e vërtetë. Do të ikë me votën e bashkuar të Beratit dhe gjithë Shqipërisë. Do të ikësh Edi Rama, mos u kap kot pas pantallonave të mia se do të ikësh. Do largohesh me votën e shqiptarëve, askush nuk t’i harron katër vite të shkatërrimit ekonomik, kolapsit në shëndetësi”. Nga ana tjetër, Basha tha se vëmendja do të përqendrohet tek elektorati i pavendosur ndaj dhe ai ftoi qytetarët t’i bashkohen projektit mdhor të opozitës së bashkuar. Na duhet që këtë javë t’i drejtohemi atyre që nuk e kanë ndarë akoma mendjen dhe t’u themi se ndryshimi është i qartë. Bardh e zi. Nga njëra anë kemi Edi Ramën që do të rrisë prapë taksat, nuk do rrisë pensionet, por do mbjellë prapë palma. Nga ana tjetër, kemi planin tonë ekonomik me vulat e ekspertëve gjermanë siç ua tha dhe këshilltari i kancelares Merkel një javë më parë. E vetmja mënyrë për rritjen ekonomike, që është ulja e taksave, stazhe për rininë, subvencione për fermerët dhe liri për sipërmarrjen e që krijon vende pune. Liri jo kërpaç, jo lakun tek fyti. Me këtë ndryshim janë bashkuar shumica dërmuese e shqiptarëve. Edhe 6 ditë frika juaj do marrë fund njëherë e përgjithmonë. Të heshturit e Beratit votoni numrin 6, votoni PD-në dhe ndahuni nga frika.

Basha dënon dhunën mes PS dhe LSI

Basha ka dënuar episodet e dhunës ndaj anëtarëve të LSI-së dhe u ka uruar shërim të shpejtë të lënduarve. Basha tha se, pushteti nuk merret me dhunë dhe se qytetarët do të ndëshkojnë me votë “partitë e vjetra të ‘Republikës së Vjetër’”. “I bëj thirrje, duke dënuar dhunën që ka shpërthyer mes PS e LSI. Duke i uruar shërim të shpejtë të plagosurve në spital, dua t’iu them partive të vjetra të ‘Republikës së Vjetër’: Pushteti nuk merret me dhunë, vetëm me votë, dhe se vota e qytetarëve do t’iu ndëshkojë për zullumet 4-vjeçare, vota e qytetarëve do të jetë për qytetarët dhe vetëm për PD, vetëm nr. 6”, tha Basha nga Berati.

Çdokush me rrogën nën 320 mijë lekë, paguan 0 tatim mbi pagat

Lulzim Basha u tha qytetarëve dje gjatë mitingut mbyllës në Lushnjë, se çfarë janë zgjedhjet e ditës së dielë, dhe kush është alternativë që duhet të zgjedhin shqiptarët. Duke bërë krahasimin mes dy ofertave, në mënhyrë të detajuar, Basha tregoi pse shqiptarët ditën e dielë duhet të zgjedhin numrin 6. “Të dielën, me 25 qershor, zgjedhja do të jetë e qartë. Të dielën vendosim nëse do të kemi një ekonomi të fortë apo jo. Të dielën vendosim, nëse do t’i ulim taksat apo do të vazhdojmë me taksa të larta. Të dielën vendosim nëse do ta anulojmë taksën Rama mbi karburantin plot 240 lekë për litër, apo të vazhdojmë të kemi naftën më të shtrenjtë në Europë. Të dielën do të vendosim nëse paratë e taksave të shqiptarëve do të vazhdojnë të bëhen fasada, palma, rrush e kumbulla, apo do t’i bëjmë pensione për pensionistët tanë, shkolla me orar europian dhe drekë të paguar për fëmijët tanë dhe investime që nxisin punësimin. Kjo është zgjedhja që bëhet ditën e dielë; ekonomi e fortë, me taksa të ulëta, me stazhe për studentët dhe subvencione për fermerët”, tha Lulzim Basha. Kryetari i opozitës u shpreh se, Edi Rama është i njëjti, ai nuk mbajti asnjë premtim për 4 vite, nuk bëri asnjë përpjekje për t’i mbajtur ato, dhe zgjodhi prioritete të tjera, të kundërta me interesin e qytetarëve, dhe nuk mori asnjë vendim në favor të familjeve, të qytetarëve, por vetëm të oligarkëve të tij. “Edi Rama nuk i mbajti premtimet. Edi Rama nuk kishte prioritet ekonominë. Edi Rama nuk ka plan ndaj dhe ka frikë të përballet. Ka frikë nga debate dhe shkon e fshihet. Hedh gurin e fsheh dorën. Përballjen me mua e ka shmangur, sepse nuk ka plan. Nuk ka plan për gjendjen e vendit. I vetmi plan për ta nxjerrë ekonominë nga kriza për të krijuar vende pune për ekonominë e fortë dhe të nesërmen e sigurtë, është numri 6. Edi Rama pati 4 vite kohë dhe nuk mori asnjë vendim në favor të familjeve tuaja, të fëmijëve tuaj, të prindërve tuaj. Çdo vendim e mori vetëm për veten e tij dhe çetën që e rrethon. A nuk premtoi nga ky shesh 4 vite më parë taksa të ulëta për 97% të shqiptarëve?! Vjen me të njëjtat premtime që nuk i mbajti para shqiptarëve. Dëgjoni çfarë thotë sot nga Lushnja. Pastruesja e Kryeministrisë nuk mund të paguajë njësoj taksa si kryeministri. E njëjta gjë që ka thënë para 4 vitesh. Nesër me Republikën e Re çdokush me rrogën nën 320 mijë lekë, paguan 0 tatim mbi pagat. Edi Rama mësoje nëse nuk e di”, tha Basha. Kreu i demokratëve tha se, me Republikën e Re timoni dhe pushteti njëherë e mirë do të jenë në duart e qytetarëve dhe kryeministri i ardhshëm që do të dalë me votën e bashkuar të shqiptarëve, kryeministri i ekonomisë së fortë dhe i të nesërmes së sigurtë, do të ketë një dhe vetëm një detyrë; jo lojërat me timon, por të ndezë motorin e ekonomisë në Lushnjë dhe gjithë Shqipërinë. “Dhe këtë do ta bëjmë me planin tonë ekonomik, me të vetmin plan pa premtime boshe, por me modelin që funksionon në lokomotivën e Europës, në Gjermaninë e Kancelares Angela Merkel që dërgoi ekspertët e saj pranë meje dhe pranë PD-së. Do të nisim me taksat e ulta. Ulja e TVSh-së, hapi i parë që do të ndërmarr do të kthejë 400 milionë euro në xhepat e konsumatorëve shqiptarë”, u shpreh Basha. Kryetari i opozitës iu përgjigj po ashtu komenteve të Ramës për drejtësinë. “Ti thotë dikush Edi Ramës që Reformën në Drejtësi e kemi votuar vitin e kaluar. Ti thotë dikush Edi Ramës që vetingun e votuam dje dhe asgjë nuk do ta ndalë Reformën në Drejtësi. Asgjë nuk do ta ndalë forcimin e institucioneve shtetërore në shërbim të qytetarëve dhe jo në kontrollin e politikanëve”.

Exit mobile version