Transport hashashi me furgona të vjedhur, policia fsheh ngjarjen

Policia e Tiranës njoftoi dje se kishte goditur një grup që merrej me vjedhjen e furgonëve. Në operacionin “Spriter” ra në pranga Erion Mazhi, 25 vjeç, banues në fshatin Renxë, Dibër, ndërsa bashkëpunëtori i tij H. Elezaj, 48 vjeç është shpallur në kërkim. Policia thotë se ka dokumentuar 11 raste vjedhje furgonash. Sipas saj, H. Elezaj, në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se kryente vjedhjen e automjeteve të tipit “Mercedes Benz”, kategoria furgon, në qytetin e Tiranës dhe i dërgonte në rrethin e Dibrës, në një pikë grumbullimi mjetesh të përdorura, ku dhe më pas çmontoheshin dhe shiteshin për pjesë këmbimi.
Por një burim nga grupi hetimor tha se, furgonët nuk vidheshin për t’u çmontuar dhe për t’u shitur për pjesë këmbimi, por pasi modifikoheshin, mjetet përdoreshin për transportin e hashashit, më pas braktiseshin. Një furgon i tillë i braktisur u gjet në Shëngjergj të Tiranës pas vrasjes së 36-vjeçarit Besnik Pudja në një magazinë me hashash.
Policia thotë se, furgonët vidheshin në Tiranë, në zona të ndryshme. Burimi i mësipërm tha për lapsi.al se, policia e ka fshehur qëllimisht faktin se furgonët vidheshin për t’u përdorur për transportin e kanabisit. Prej disa javësh, policia ka njoftuar vazhdimisht se ka kapur sasi kanabisi nëpër furgonë.
Grupi i goditur së fundi i kryente vjedhjet në zona të ndryshme të Tiranës, ndërsa modifikimet i kryente në Dibër, një prej zonave problematike këtë vit të kultivimit të kanabisit.
Policia publikoi disa nga vjedhjet e furgonave. Vjedhjet në juridiksionin e Komisariatit Nr.1. Më datë 05.09.2016, në rrugën “Qemal Stafa”, është vjedhur furgoni i tipit “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit D.H. Më datë 20.11.2016, në rrugën “Fuat Toptani”, është vjedhur furgoni i tipit “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit A.Sh. Më datë 05.12.2016, në rrugën “Sotir Koleja”, është vjedhur furgoni i tipit “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit E.B.
Në juridiksionin e Komisariatit Nr.2, më datë 23.11.2016, në rrugën “Vaso Pasha”, është vjedhur furgoni i tipit “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit B.S. Më datë 24.11.2016, në rrugën “Tish Dajia”, është vjedhur furgoni i tipit “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit I.M. Juridiksioni i Komisariatit të Policisë Nr. 4. Më datë 26.11.2016, në rrugën e “Dajtit”, është vjedhur furgoni i tipit “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit F.K. Më datë 23.10.2016, në rrugën “Myslym Keta”, është vjedhur furgoni i tipit “Mercedes Benz”, në pronësi të një firme për produkte ushqimore.
Në juridiksionin e Komisariatit Nr.5, më datë10.11.2016, në rrugën “Skënderbeu”, është vjedhur furgoni i tipit “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit A.B. Më datë 04.11.2016, në Bulevardin “Blu”, është vjedhur kamionçina e tipit “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit Z.M. Juridiksioni i Komisariatit të Policisë Nr. 6. Më datë 20.02.2016, në rrugën “Teodor Keko”, është vjedhur furgoni i tipit “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit R.U. Më datë 13.05.2016, në rrugën “Sokrat Mihi”, është vjedhur furgoni i tipit “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit E.M.

Exit mobile version