Trafikanti i drogës me shefat e policisë pas vrasjes në Shkodër

Një punonjës i Policisë së Shkodrës bën të ditur se, pas vrasjes së shtetasit Angjelin Shkami mëngjesin e të dielës në makinë qëndron një trafikant droge i lidhur me shefat e policisë. Oficeri i policisë i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha ku shkruan se, në vendin e ngjarjes ishte Bardhok Plani, një person në kërkim i njohur për trafik droge dhe për lidhjet me Mark Frrokun. Ai shton se, Plani qëndronte në vendin e ngjarjes, duke folur në telefon i shqetësuar dhe duke komunikuar me shefat e policisë aty.
“Narkotrafikanti, famozi në kërkim Bardhok Plani, lidhje direkt e Noriegës, udhëheq Policinë e Shkodrës! Lexoni mesazhin e inspektorit dixhital”, shkruan Berisha.
“Mirmrama doktor, të uroj t’jesh mirë. Unë që po të shkruaj jam një punonjës policie të qytetit Shkodër. Dua të denoncoj një rast që ka ndodhur në qytetin e Shkodrës sot ku është vrarë një person në makinë. Me të shkuar në vendngjarje morëm çdo masë nga ana ligjore për shoqërimin e dëshmitarëve në vendngjarje deri këtu është krejt mirë. Por pas pak kohësh vumë re në vendngjarje ishte shtetasi Bardhk Plani një kontigjent policie i njohur në mbarë vendin për trafik lëndësh narkotike si lidhje e Mark Mark Frrokut, i cili ka qenë në automjet me atë kur i shpëtoi arrestimit dhe u lirua me urdhër direkt të Edi Ramës.
Megjithëse gjoja ishte në kërkim nga policia, sot ai po rrinte me telefon në dorë dhe shumë i shqetësuar, madje duke kërkuar informacion tek shefat e policisë, dhe duke bërë ekspertin në vendngjarje. Ne si punonjës policie nuk arrijmë me ba detyrën, pasi ky person asht lidhje e fortë e politikës, si dhe ka aktivitet kriminal në trafikun ndërkombëtar të drogës. Këtij shtetasi sot në vendngjarje ju bahet sehir nga shefat e policisë, duke mos mundur me marrë mundimin as për ta shoqëruar si dëshmitar në vendngjarje, ose person që tregon rrethanat e ngjarjes, pasi ashtë lidhje direkte ose indirekte me viktimën. Po t’i dërgoj dhe 2 foto që vërtetojnë se ky person kontigjent i krimit qëndronte në vendngjarje me punonjës policie”, shkruan oficeri i policisë.
Angjelin Shkambit u ekzekutua mëngjesin e së dielës pranë varrezave në Grudë të Shkodrës. Autori i dyshuar i vrasjes është Artan Koçeku, një i dënuar me burg për vjedhje, i cili ishte duke shlyer dënimin në Burgun e Fushë-Krujës. Por ndërsa kishte marrë leje nga institucioni i riedukimit, Koçeku ka marrë gjithë masat të kryejë një tjetër krim.
Ai ka ekzekutuar me dy plumba pistolete, njërin në kokë dhe tjetrin në trup Angjelin Shkambin, i cili u gjet i pajetë në automjetin e tij tip “Benz”, mëngjesin e së dielës. Edhe viktima, kishte qenë i dënuar më parë për trafikim dhe kultivim narkotikësh dhe kishte dalë nga burgu në prill të këtij viti. Policia ende nuk ka mundur të arrestojë autorin e ngjarjes.

Exit mobile version