Tom Palmer: Taksa progresive, varfëroi dhe largoi njerëzit nga Shqipëria

Tom Palmer, mbështetësi i politikave liberale, analist në Cato Institute dhe zv/ president për programet ndërkombëtare në rrjetin Atlas në një intervistë për ABC news thotë se taksa e komplikuar progresive, i bën njerëzit më të varfër dhe i largon nga vendi si dhe nuk krijon të ardhura në buxhet. Palmer sjell si shembull tipik të dështimit të politikave socialiste Venezuelën.
Decentralizimi i sistemit fiskal dhe më shumë pavarësi për qytetet dhe rajonet në mbledhjen e taksave dhe shpenzimin e të ardhurave që vijnë prej tyre do të ishin politika që sipas mbështetësit të politikave liberale Tom Palmer, analist në Institutin Kato dhe zv/president për programet ndërkombëtare në Rrjetin Atlas, do të krijonin një konkurencë të shëndetshme brenda Shqipërisë, por dhe t’i jepte mundësi vendit të ndërtonte lidhje të tregut të lirë origjinal me vendet e tjera të Europës.
Shqipëria nën qeverisjen socialiste po aplikon taksën progresive, një sistem që sipas Palmer është i komplikuar largon qytetarët nga vendi, dhe ata që qëndrojnë janë gjithnjë në përpjekje për t’ju fshehur taksave të larta, taksa që për më tepër nuk i kuptojnë. Çfarë duhet bërë që ekonomia e një vendi të rritet dhe në familjet shqiptare të ketë më shumë të ardhura.
“Mendoj se një prej gjërave që duhet zbuluar janë taksat e ulëta, të barabarta për çdokënd në mënyrë që të jenë të kuptueshme. Prej këtij modeli mund të gjenerohen më shumë të ardhura. Duket paradoksale, politikanët nuk mund ta kuptojnë se si kjo është e mundur, por njerëzit janë të prirur të mos i shmangen një takse kur është e ulët, e qartë dhe e lehtë për t’u kuptuar. Kështu që mendoj se taksa e sheshtë është një qasje shumë më e mirë se sa taksa progresive e komplikuar… një sistem taksash që ka tendencë të largojë njerëzit nga vendi. Ju e shihni njerëzit produktivë, të përgatitur kanë tendencë të lënë vendin kur taksat bëhen më të komplikuara dhe niveli i tyre rritet. E ulët, e thjeshtë, e sheshtë dhe e ndershme është një qasje shumë më e mirë për taksat”.
25 vjet demokraci dhe raportet ndërkombëtare më të rëndësishme: ai i progresit vjetor i BE-së dhe i Departamentit Amerikan të Shtetit flasin ende për korrupsionin si problem serioz e të shpërndarë në të gjitha nivelet e qeverisjes në Shqipëri. Si i qasen liberalët zgjidhjes së këtij problemi.
“Gjëja më e rëndësishme për largimin e korrupsionit është të shmangësh sloganet, billobordet, fjalimet e politikanëve dhe të shkosh tek shkaqet. Dhe një prej shkaqeve është arbitrariteti që pushteti, burokratët dhe politikanët kanë. Ata mund të të favorizojnë ty ose këtë tjetrin. Kur eliminoni këtë ju eliminoni mundësinë për bakshish, për korrupsion.
E dyta, është eliminimi i lejeve dhe licencave për biznesin. Kjo e ul mundësinë që punonjësit e shtetit të kërkojnë para në këmbim të një shërbimi më të shpejtë. Disa reforma institucionale që i kanë ndërmarrë disa vende si Gjeorgjia, Estonia etj. është kalimi i shumicës së shërbimeve qeveritare online, sepe kompjuterat nuk kërkojnë ryshfet.
Së treti, një burim i madh korrupsioni janë tenderat publikë përmes të cilëve kontratat qeveritare si për shembull për ndërtim rrugësh shkojnë tek miqtë e kryeministrit, ministrit të Transporteve etj.
Sinqerisht këto janë problemet kryesore dhe ju duhet të keni ligje të qarta që të mundësojnë 100% transparencë në mënyrë që kushdo që të garojë, tenderin ta fitojë ai që paguan më shumë në shtet, thjesht.
Së fundmi, përpiquni që të zhvendosni gjërat nga sektori publik tek sektori privat. Një prej problemeve të mëdha është se kur sektori publik është shumë i madh zgjerohen dhe mundësitë për korrupsion”.
Në optikën e tij, socializmi në çdo rast nuk është zgjidhje, edhe kur njerëzit në drejtim mund të kenë qëllime të mira. Gjatë prezantimit të librit me esse për liberalizmin, ai tha se edhe njerëz të mirë e inteligjentë mund krijojnë ferrin në tokë dhe si shembull mori atë që qeverisja socialiste po i bën një vendi si Venezuela.
“Të mendojmë për një shembull të thjeshtë: Vendosim të ulim çmimin e qumështit me qëllimin që të jetë lehtësisht i përballueshëm për njerëzit. Por, nëse ky çmim bie poshtë nivelit të tregut mund të sjellë korrupsion dhe gjithë llojet e problemeve. Pasoja është se, çmimi real që paguhet nga njerëzit në formën e parave, pritjes në radhë e ryshfetit, e çon koston më lart se çmimi i tregut. Kështu që ju duhet të tregoni vëmendje tek bazat e ekonomisë tek ato që njerëzit përballojnë dhe të lejoni çmimet të thonë të vërtetën.
Ajo që shohim tani në Venezuelë është është një çështje për t’u patur në vëmendje. Njerëzit thonë: uau ne kemi këtë qeveri që mbështet të varfërit… E cila është pasoja? Varfëri e pabesueshme, uri e vërtetë, por që zyrtarisht është një vend i pasur dhe këto politika socialiste e kanë shkatërruar Venezuelën pikërisht në sytë tonë.
Ky vend ka rezervat më të mëdha të provuara të naftës në botë. Çfarë na tregon kjo: që gjëja më e rëndësishme nuk është nafta, ari apo diamantet. Janë ligjet e duhura ato që të çojnë në një ekonomi të lirë tregu.
Merrni shembullin e Holandës. Nuk ka asnjë burim natyror aty, por si ka mundësi që ajo është një ndër vendet më të pasura… ose Luksemburgun…nuk ka asgjë aty, por ata kanë mirëqënie, sepse kanë ligje të mira, qeveri të kufizuar. Dhe në Venezuelë, vendi me rezervat e provuara më të mëdha të naftës shoqëria po shkatërrohet me politika socialiste”.
Dhe që të mos vuash edhe në shekullin e 21 shkurtimet e ushqimit – bukës, vajit, orizit apo kolapsit të shërbimeve sociale, një brutalitet të madh politik dhe kriminaliteti të lartë, Tom Palmer thotë se, liberalizmi ekonomik dhe politik është rruga e vetme drejt mirëqenies dhe prosperitetit.

Exit mobile version