“Ti je armik i betuar, do shkosh punëtor gjithë jetës”- Dëshmia e rrallë e Maks Velos: Kur dola nga burgu, askush nuk më fliste me gojë, ndërronin rrugë, vetëm Kadareja më takoi! Kurse Agolli…

Velo: “Agolli, kishte mbledhur letrarët e rinj të Devollit në Dardhë, që ishin të tërë myslimanë dhe mbasi hëngri e piu mirë raki dardhe e, djathë e mish, u tha; kaurët do t’i…”!

Piktori, publicisti, studiuesi dhe arkitekti i mirënjohur Maks Velo, në një intervistë për Blendi Fevziun në emisionin e tij të përjavshëm të Tv Klan, “Opinion”, rrëfen gjithçka për jetën e tij. Arkitekt, piktor, shkrimtar, studiues, Velo ndalet që nga ardhja në jetë në Paris, vala e përndjekjes nga Sigurimi i Shtetit dhe arrestimit e, deri në koleksionin e mrekullueshëm, prej një mijë veprash që disponon.         

Velo, cila është ndryshimi i kampeve dhe burgjeve?

Në fillim nuk ishin kështu; burgjet në 1947, ‘48 dhe ’50-të, ishin vetëm politike. Pastaj filluan që të fusin modelin e kampeve të Siberisë, ku nuk futeshin vetëm këta njerëz, por futeshin edhe vrasës ordinerë. Prandaj, unë kam kërkuar vazhdimisht të hapen dosjet dhe dosjet e të dënuarve dhe të shihen, sa janë politikë puro dhe sa janë hajdutë.

Për shembull, vriste ai në veri dhe kalonte kufirin në Jugosllavi dhe e kthenin jugosllavët, siç është ekstradimi sot, dhe e dënonin 8 vjet për vrasjen dhe 8 vjet, për arratisjen, si edhe me bashkim nenesh, 16, dhe e sillnin sit ë burgosur politik. Ky nuk kishte asnjë lidhje me politikën. Kishte një numër pafundësisht të tillë.

Ishin të dhunshëm në burg? 

Sigurisht. Më kanë vjedhur gjithë ato gjëra. Në këtë rast policia ishte shumë më e mirë se sa këta. Njëherë njëri donte të më hidhte në furnelë, një kuksian. Me hodhi, më shtyu, por u kapa mbas vagonit.

Pse?

Sepse na vunë të punonim të dyve në një nivel. Nivel quhej kur e hidhje materialin poshtë dhe pastaj dilte e ishte një hinke e madhe 60 metra e thellë, ku hidheshin materialet. Në këtë rast, këta shikonin njerëzit dhe i analizonin. Ata i kishin thënë që ky artist, njeri i butë, njeri qytetar dhe t’i vëre përfund?! Dhe ai më tha mua: Do t’i bësh ti të gjitha, edhe unë do të rri! Si? – i thashë unë.

Këtu ishte problemi. Unë nuk pranova, atëhere u konfliktuam, vajta në zyrën teknike dhe më thanë jo, do vazhdosh. Ne vagonin e hiqnim të dy dhe kur shkova te furnela, ai më shtyu me gjithë vagon dhe u kapa në vagon. E dola pastaj dhe u zumë me kandilat, më çau. Pastaj shkova te komandanti i kampit, Meto Kondi, dhe ai i ardhur dhe e hoqën.

Zoti Velo, cilët ishin personazhet e njohur të jetës artistike, që ishin bashkë me ju në burg?

Po unë aty kisha Edison Gjergon, i cili u lirua më parë. Kisha Fatos Lubonjën. Fatosi pastaj shkoi në Burrel. Ishte Ngjela, por që qëndroi shumë pak. Ngjela, siç është edhe sot, edhe në burg nuk pyeste as për polici, as për neve. Mendjemadh…!

Krijonte probleme?

Jo, jo, nuk krijonte probleme. Por, mënyra e të qëndruarit, mospërfillës me të gjithë.

Cilat ishin metodat më ekstreme, që përdoreshin në burgjet shqiptare? Ka shumë pak letërsi dokumentare. Përveç asaj që keni shkruar ju, ka disa të Agim Mustës, është libër-dënimi i Fatos Lubonjës, që është shumë interesant, por nuk ka shumë. Cili ishte problemi më i vështirë, mënyra më ekstreme që përdornin në burgjet shqiptare?

Unë kam bërë një listë me sa janë autorë të burgjeve. Janë nja 30 autorë. At Zefi që ka një nga dëshmitë më rrëqethëse të burgjeve. Prandaj shoqata nuk funksionoi, shoqata u kthye në një vend vjedhjesh dhe veprimesh aspak korrekte e, aspak dinjitoze.

Cili ishte problemi më i tmerrshëm?

Ishte ridënimi.

Ky ishte mekanizmi me i tmerrshëm që mbante zap burgun?

Mekanizmi ishte kështu, mekanizmi i spiunimit. Ministria e Brendshme, vendoste cilët nuk do të dilnin nga burgu dhe ia çonin listën operativit të kampit dhe operativi, me anë të spiunëve të brendshëm, bënte ridënimin e tyre. Edhe këtu është shumë jonormale, që një njeri – që ka çuar dy-tre veta në plumb dhe i cili ka dalë dëshmitar për 30 veta – merr shpërblime, do të marrë pará, si gjithë të tjerët.

Kjo është një gjë, që kam përshtypjen se nuk zgjidhet?

Jo, zgjidhet. Por nuk kemi dashur ne ta zgjidhim, sepse përderisa të tjerët e kanë zgjidhur, mund ta zgjidhim edhe ne.

Po flisnim për burgjet shqiptare, po flisnim për një realitet shumë të dhimbshëm, por edhe shumë pak të dokumentuar më pas. Ju më thatë, që ekzistojnë rreth 30 autorë…?

Është shumë e dhimbshme që ne e prishëm. Të paktën të kishim mbajtur Spaçin dhe ishte e mundshme.

A ka ndonjë tentative për ta kthyer Spaçin në një muze?

Unë nuk besoj, se nuk mund të rikthehet në këtë kuptim, jo se nuk mund të instalohet përsëri. Por, problemi qëndron se kush ka garanci, që nuk e shkatërrojnë prapë. Ata kanë vjedhur shinat e tri hekurudhave, kanë vjedhur stacione treni, zhdukën monumente.

Do të ishte më mirë t’i kemi dhe të kujtojmë apo t’i harrojmë?

Jo, duhet t’i kujtojmë, se gjithë bota i kujton, se po të ishte kështu bota perëndimore, gjermanët do t’i kishin zhdukur kampet. Po ato mbahen për t’u bërë më të mirë. Prandaj mbahen, që kjo t’i shërbejë kujtesës. Kujtesa është gjithmonë një fenomen, që pastron.

A ju duket se kujtesa na ka lënë pak në këtë drejtim?

Por, ne i bëjmë me qëllim, nuk na lë kujtesa. Por ne e lëmë kujtesën rrugës dhe ecim përpara, sepse duam të bëjmë të tjera.

Ne folëm për realitetin e burgjeve, por një realitet kaq i trishtueshëm ka qenë edhe post-burgu apo jo?

Në janar ‘86 u lirova…!

Si përfshihej në shoqëri një ish-i burgosur, sa e vështirë ishte?

Tani ishte problemi këtu, ata mua më bënë një ofertë. Tri ditë para lirimit, më thirrën tre oficerë të Sigurimit, ishte hera e shtatë, e sigurisht më ofruan që të bashkëpunoj dhe unë nuk pranova. Dhe nëse unë do bashkëpunoja dhe m’i thanë të gjitha. Më thanë: “e dimë që je dënuar kot”. Ma thanë vetë, pasi kisha mbaruar burgun.

Nëse do të bashkëpunosh, do të kthejmë arkitekt, do të japim pafajësinë, do të shpërblejmë. Etj., etj. Unë i thashë këtë gjë: “Unë tre gjëra në jetë nuk i bëj dot, të spiunoj, të jem homoseksual dhe të vjedh”. Po të isha se do ta kisha bërë deri tani, se kjo është hera e shtatë, edhe jua përmenda.

Nuk reaguan dhunshëm?

Jo. U munduan për një orë të më bindnin. Por, në fund, pastaj, më thanë me qetësi, se; “Ti je armik i betuar, do shkosh punëtor gjithë jetës”. Dhe kur dola, këtyre të shtëpisë nuk iu thashë. Menjëherë më nisën tek Abrazivi me kategorinë e parë dhe duke shkelur ligjin e shtetit, që edhe kur dërgohesh për riedukim, kuadrot e lartë, çohen me kategorinë më të lartë.

Ç’bëje tek Abrazivi?

Punoja punëtor. Mbaja thasët.

Për sa vjet keni punuar atje?

Deri në korrik të 1991.

Pra, për 5 vjet keni punuar punëtor. Si qëllonte, si ishte jeta e një ish-të burgosuri; dilte nga burgu në liri, a kishte përçmim, a kishte diferencime?

Po. Të gjithë të bënin sikur të ishe një fantazmë. Domethënë, një copë ajri, që lëvizte dhe nuk të shihnin fare. Kështu, edhe pastaj, mbas ’91-it, u përqendrua vëmendja, u hapën edhe buzëqeshjet, edhe dashuritë.

Mund të ma shpjegoni pak më mirë këtë, se ç’domethënë që ishit një fantazmë që nuk…?

Domethënë, të shikojë rrugës, e asnjeri nuk të shihte.

Bënin sikur nuk shihnin?

Po, sigurisht.

Dhe nuk përshëndesnin…?!

Jo, asnjëherë. I vetmi, i vetmi dhe e kam thënë, e këtë gjë nuk e harroj, ka qenë Kadareja…!

Të cilët të kanë përshëndetur?

Jo vetëm më kanë përshëndetur, por ka qenë përpara 15-katëshit; unë po kthehesha nga Abrazivi dhe bëra sikur nuk i pashë, që t’u shpëtoja. Ata më bërtisnin dhe kjo është e shkruar, që është e vërtetë. Kur kam parë Dritëronë me Alfred Uçin që po ecnin aty te trotuari. Sigurisht, që i njihja dhe bënë sikur unë nuk ekzistoja fare. Bënë një grimasë, një përshëndetjeje të lehtë.

A ju ka qëlluar ndonjë mik i afërt, që nuk ju ka folur…?

Të gjithë.

Si mund të jetonte një njeri kaq i izoluar, kur edhe miqtë, bënin sikur nuk e shihnin, zoti Velo?

Po pastaj kishte një gjë, duke kaluar burgun, kjo gjë nuk llogaritej më dhe unë këtë gjë e kisha parë një herë më përpara, te Leka Totoja, të cilin e kisha pasur në klasë në gjimnaz. Ai u fut në burg dhe mënyra se si sillej Leka, se si shkonte, se si ai bënte dhe atë teknike bëra edhe unë pastaj.

Ju thoni që ishte një arrestim kot, erdhi kot, dëshmitë ishin. Ndërkohë në librat tuaj, ju vetë keni thënë, se kishit vendosur të arratiseshit…?

E mirë…! Por, unë tani nuk e bëra arratisjen dhe atje unë ashtu kam shkruar. Kisha dëshirë të arratisesha, shkova deri në Sarandë, por nuk bëra arratisje. Tani arratisja ime, ishte më tepër, si ta quaj, se e kam këtu, tani që unë e kam pasaportën amerikane, do të jetoja në Shqipëri. Ky është fakti që lidhja ime me Shqipërinë, është shumë e fortë. Por, ishte më tepër një agjitacion artistik, sesa një urrejtje për Shqipërinë.

Ju keni jetuar në atë shoqëri, keni pasur mundësinë, patët fatin që të jetonit më pas, sepse shumë veta nuk arritën të dalin përtej kufijve të 1990-ës. A ka pasur elita reale Shqipëria, para viteve ’90-të dhe a ka pasur një jetë të dyfishtë?

Tani elitë ka gjithmonë. Domethënë, edhe në një shoqëri primitive, ku janë fare primitive, si në Afrikë, ka një elitë. Kështu që, e kishte një elitë dhe, për shembull, unë kisha mik mjaft të afërt, Skënder Luarasin, që ishte një njeri i mençur, një njeri që të frymëzonte.

Pra, kishte një elitë, nuk ishte problemi që nuk kishte elitë. Problemi ishte, se kjo elitë ishte shumë e trembur, shumë e deformuar, këtu ishte problemi. Kishte një reformacion, domethënë, që kishte një pjesë që rezistonte në heshtje dhe kishte një pjesë që tradhtonte veten, edhe për hir të…!

A do të rishikoni diçka tek vetja, ndaj akuzave që i keni bërë Lidhjes së Shkrimtarëve?

Jo, jo. Ata janë sjellë shumë keq. Unë po të them një gjë, që nuk e kam thënë ndonjëherë. Në Dardhë ishin rreth 30 familje dhe jepej mish një herë në javë. Te Naska, ishte kasapi dhe merrej një qengj ose një dele, therej të shtunave dhe ndahej, në kohën e komunizmit them. Kryetari i Lidhjes, Dritëro Agolli, bënte telefon dhe thoshte: “Ma piqni mishin”! Dhe tërë fshati ngelej pa ngrënë mish.

Ç’domethene kjo?

Ju mund ta verifikoni te kryeplaku i Dardhes, Koli Skënde, që ma ka thënë mua. Ishte anëtar partie, drejtor i shkollës dhe shko pyet atë, është e vërtetë apo jo. Dhe ka pasur raste që e ka marrë në telefon prej Tirane dhe i ka thënë: “Nuk vij dot, por po nis makinën, ‘Gaz’-in e Lidhjes dhe ma fusni në plasmas e, ma nisni në Tiranë”!

Gjithsesi, akuzat tuaja, kanë shkuar përtej kësaj…?!

Mirë, mirë, por kjo më ka vrarë shumë, kur ma kanë thënë, treguar. E kishte përsëritur disa herë, vinte në Korçë, po edhe në Tiranë, këtë gjë. Një tjetër ishte në Dardhë; kishte mbledhur letrarët e rinj të Devollit, që ishin të tërë myslimanë dhe mbasi hëngri e piu mirë raki dardhe e, djathë edhe mish, i tha, kaurët do i zhdukim. Pastaj mbasi fjeti, u çua dhe kuptoi se ç’kishte thënë, edhe tha që gabova. Pra, tani vijmë ke Lidhja.

Cili është mendimi për Lidhjen…?

Sigurisht që deri nga viti ‘45 edhe ju e njihni mirë atë situatë, kishte shkrimtarë, kishte botues, kishte artistë, kishte piktorë, që sa kishin filluar. Paskali, Mioja, Buza, sa kishin filluar dhe unë i kam parë edhe ekspozitat e para. Për shembull, ekspozitën e vitit 1957, që u bë tek Akademia, te salla e akademisë poshtë. Dhe ishte ekspozita e parë. Sigurisht që Lidhja bëri një punë të rëndësishme. Domethënë, u organizuan, u bënin ekspozita, ndihmonte artistët dhe ndikoj në jetën kulturore. Problemi është këtu, se çfarë ishte rezultati i kësaj pune? A është rezultati i bilancit pozitiv, apo negativ?

Si ju rezulton ju bilanci?

Bilanci më rezulton që përveç Kadaresë, që nuk ishte produkt i Lidhjes për mua. Është produkt personal, produkt i Gjirokastrës, i të tjera rrethanave. Të tjerë ka, Petro Marko, ka shkrimtarë të veçantë. Por, në tërësi i gjithë ai produkt, të bësh këtë gjë të marrësh të gjitha çmimet e Republikës, e çmimeve të para në ekspozitë dhe të ndërtosh një ekspozitë me çmimet e para te piktura e skulptura e, të shkosh t’i shohësh. Do shohësh që është negacioni më i madh në historinë e artit të botës.

Përse është negacioni më i madh?

Sepse është anti-art, Blendi. Ti që i blen ato, se i blen ato që i kërkon ato të luftës, nuk i blen si , por si anti-art, si dëshmi të një kohe. Por, dëshmi anti-artistike.

T’ju bej një pyetje, që nuk i janë bërë shumë personazheve, ndoshta edhe për specifikën e tyre. Ju keni qenë nga ata njerëz, që keni aspiruar të dilni përtej asaj shoqërie ku jetoni. Një shoqëri diktatoriale, jo e lirë, me antivlera dhe jo me vlera. Tani që kemi dalë në një shoqëri të ndryshme, nga ajo që në fund të fundit mbështet mbi lirinë. A ndjeheni i zhgënjyer nga kjo shoqëri, apo keni besuar një ëndërr reale, një ëndërr që vlente…?

Unë mendoja se fajin e kishte komunizmi. Jo vetëm komunizmi. Dua të them se, nuk ishte komunizmi që na çoi në atë gjendje, ishte para komunizmit, ishte 500 vjet Turqi, këtu është problemi. Është e pashmangshme, ajo periudhë do të paguhet. Në ato kondita jemi, vendi i vetëm, sepse ato nuk ndërruan fenë, greket, bullgarët, serbët, asnjeri nga këto vende, nuk e tradhtoj fenë.

Pra, ju thoni që janë probleme të mbartura?

Janë të mbartura të gjitha dhe shih dokumentacionin e klerikëve katolikë që shkruajnë për veriun, 600 vjet përpara, 500, 400, janë, po të njëjtat gjëra që i ke sot dhe i gjithë problemi është kjo. Mungesa e dashurisë për punën, që është problemi thelbësor, i shoqërisë shqiptare.

Zoti Velo, keni botuar shumë libra. Një prej tyre siç e thashë, është botuar në Paris, së bashku me ilustrime. është një botim special. Doja t’ju thosha diçka tjetër, dua të lexoj diçka në fund që shkruan se ky libër është në 30 ekzemplarë, që është libër për koleksionistët. 20 ekzemplar titullohet “Spaç” dhe 10 ekzemplarë, titullohen “Reps” e tre ekzemplarë, numërohen nga I-shi, te III-shi. Pse 20 “Spaç” dhe 10 “Reps”?!

Tani këtu thotë që është shtypur në 1500 ekzemplarë, në maj 1988. Dua të shënoj edhe një gjë që e kam për detyrë, që kjo është përkthimi i fundit i Kristina Montekos, pastaj ajo u nda nga jeta dhe që ishte përkthyesja më e mirë franceze dhe e kam një nder. Tani botuesi i kësaj vepre, kishte një shtëpi botuese tradicionalisht për tekste shkollore nga gjyshi dhe për herë të parë do të fillonte tekstin shkollor, por dhe do të fillonte edhe letërsi.

Atëhere, meqenëse unë isha edhe shkrimtar edhe piktor, mendoi që të bëhej edhe një botim në 33 kopje, që janë për koleksionistë me një çmim shumë të shtrenjtë. Domethënë janë, 20 ekzemplar “Spaçi” që është kjo, më tjetër kopertinë dhe kjo ka një tjetër gravurë brenda, kurse ajo ka tjetër.

Sa kushtonte një ekzemplar i tillë?

Kjo është te 500 euro, besoj një libër i tillë. Domethënë ajo blihet nga koleksionist pasanikë, që e kanë si për nder, është me letër japoneze dhe e pa grisur. Janë edhe tre ekzemplarë, por më duket se kjo, 500 më duket është kjo treshja. Janë edhe tre me lëkurë, që duhet të jenë më të shtrenjtë.

Shkruani përditë?

Po, unë punoj në atë periudhe kohe që më pushton. Nganjëherë jam i imazhit, nganjëherë jam i volumeve, dua të punoj arkitekturë, skulpturë dhe nganjëherë janë shkrimet domethënë, ajo që në atë periudhe e kam të papërballueshme që duhet ta bëj, është se nuk kam pasur edhe ndonjë fitim të madh.

Cili është projekti më i madh që keni në mëndje, për të gjitha këto fusha?

Unë kam dëshirë, kam disa projekte arkitekture në dorë. Kam disa makete skulpturash dhe dua të bëj ndonjë në qytet dhe kam nja pesë libra, që duan të botohen. Tani del një libër nga “Toena”, dhe titullohet “100 poezi” e, del në panairin e librit dhe pastaj dua të botoj atë librin me studimet, shumë me rëndësi ajo. Në radhë të parë për imazhet që ka Teatri Popullor dhe pastaj kam librin për arkitekturën. Do të dëshiroja një libër me kujtimet e burgut, këto projekte kam.

Shpresoj që një pjesë e kujtimeve që keni sjellë sot, nuk kanë qenë të dhimbshme për ju vetë?

Jo, jo. Aftësia e njeriut është që çdo gjë ta transformojë në art edhe dhimbjen. Edhe unë këtë e kam bërë. Pa dhimbje këto vizatime, nuk bëheshin, i gjithë ky produkt, pa dhimbje nuk bëhej.

Sa është koleksioni juaj?

Po mund të jetë, 1000 vepra.

Vazhdoni të shisni apo i ruani?

Unë kam kënaqësi, kur njerëzit i marrin dhe më vijnë shumë mesazhe të mira. Memorie.al

Nga Blendi Fevziu

Exit mobile version