Tërhiqet kandidati i Ramës, pasues i mandatit të Prengës, shkak dënimi me burg

Listës së të inkriminuarve të lidhur me Ramën nuk i gjendet fundi. Kastriot Piroli, kandidati për deputet në listën e Partisë Socialiste në Qarkun e Lezhës i ka paraqitur Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dorëheqjen e tij. Me arsyetimin se mbeten vetëm dy muaj mandat efektiv në Parlament, si dhe arsye personale, në letrën drejtuar KQZ dhe Kuvendit të Shqipërisë, Piroli tërhiqet kështu nga mandati i deputetit, që i takonte pas largimit të Armando Prengës, shkruan “Tv Klan”. Kastriot Piroli pasonte listën e kandidatëve socialistë në listën e zgjedhjeve të 2013-ës në Lezhë. Ai prekej nga ligji i Dekriminalizimit, pasi rezultonte se kishte patur probleme me drejtësinë. Ndaj tij ka dy vendime të formës së prerë në vitin 2016, për veprën penale “shpërdorim detyre”, gjatë kohës që ushtronte detyrën e drejtorit të Hipotekës së Kurbinit. Kastriot Piroli është dënuar me një vit e 6 muaj burg, që i është konvertuar me 18 muaj shërbim prove. Ndërsa herën e dytë është dënuar me 6 muaj burg, të cilin e ka shlyer me periudhën e paraburgimit. Në të dyja rastet, Apeli e ka shpallur fajtor, e për pasojë ai ishte subjekt i ligjit të Dekriminalzimit dhe nuk mund të zinte karrigen e lënë bosh nga Prenga. PS ka listuar 7 emra në këtë qark, dhe ka fituar vetëm dy mandate: Mimi Kodhelin dhe Armando Prengën. Kur Kodheli u bë ministre, dorëzoi mandatin, duke i lënë kështu mundësinë të hynin në Parlament gratë pasardhëse në listë. Merjeme Delishi dhe Mirela Neli të dyja nuk pranuan të merrnin mandatin, duke skualifikuar veten e tyre nga lista, e duke bërë deputet të tretin në listë, Arben Ndokën. Por edhe ky u dorëhoq prej akuzave të bëra ndaj tij për problemet e së shkuarës dhe mandati i kaloi Eduard Ndocajt. Emri tjetër, Ndrec Dedaj u bë kryetar i Bashkisë Mirditë, duke e ezauruar të gjithë listën e kandidatëve dhe duke lënë vetëm një emër: atë të Kastriot Pirolit. Por as Piroli nuk mund ta marrë dot për arsyet e renditura më lart. Në këtë rast mandati i kalon LSI-së, dhe për pak kohë, deri në 18 qershor, deputet bëhet Petrit Zef Gjoni.

Exit mobile version