Të qash apo të qeshësh? Prokuroria: Hetimi provoi se zgjedhjet në Dibër u blenë tërësisht, por u dogjën afatet!

Prokuroria e Dibrës njoftoi të premten se hetimet e saj për të ashtuquajtur “Dosja 184”, kishin “provuar tërësisht” blerjen e votave në Dibër në zgjedhjet e pjeshme të vitit 2016, por përshkak të kohës që kishte kaluar krimi ishte parashkruar dhe dosja për 11 të akuzuarit nuk mund të dërgohej në gjyq.

“Pavarsisht se nga hetimi është provuar tërësisht fakti i konsumimit të veprës penale “Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve”, kryer në bashkëpunim…, ndjekja penale nuk mund të vazhdojë për personat nën hetim dhe nuk mund të fillojë për personat me statusin e të kallëzuarit, pasi kundërvajtja penale e parashikuar nga neni 328/1 i Kodit Penal, (në fuqi në vitin 2016), është parashkruar”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Të akuzuarit, që sipas prokurorisë u provua se kishin kryer këtë vepër penale në mënyrë të organizuar, janë Korab Lala, (i njohur ndryshe edhe si Imer Lala), Robert Aga, Afrim Mikli, Drini Gjeci, Arben Keshi, Hasan Hoti, Bekim Krashi, Nuri Meda, Fatbardh Lala, Ylli Mikli, Dik Spata.

Kryebashkiaku aktual i Dibrës Dionis Imeraj, i cili përmendet nga prokuroria vetëm në listën e të hetuarve, mohoi në një telefonatë për BIRN akuzat. “Nuk e kam pranuar asnjëherë”, tha ai për akuzën, ndërsa tha që ishte thirrur nga prokuroria vetëm për t’iu njoftuar pushimi i çështjes. “Drejtësia e verifikon vetë atë pjesë”, tha Imeraj.

Prokuroria tha se do të dërgonte për gjykim ish-Shefin e Komisariatit të Dibrës Robert Aga, për “shpërdorim detyre”, dhe tre ish-zyrtarë të tjerë lokalë, Drini Gjeçi, ish-drejtor i Drejtorisë Arsimore, Hasan Hoti, ish-Administrator i Lurës dhe Nuri Meda, ish-Administrator i Tominit, që akuzohen për kanosje të zgjedhësve më shumë se njëherë dhe shpërdorim detyre.

Ish-drejtori i Drejtorisë Arsimore Drini Gjeci, i cili shkon në gjykatë për kanosje të zgjedhësve dhe shpërdorim detyre, tha se nuk kishte koment. Ndërkohë të tjerë të akuzuar dhe të hetuar nuk qe e mundur të arriheshin, para publikimit të shkrimit.

Dështimi i hetimeve dhe djegia e afateve për dërgimin e njërës prej dosjeve më të bujshme për vjedhjen e zgjedhjeve i atribuohet kryesisht ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda që mbajti për gati tre vjet “në sirtarë” dosjen, për të cilën më pas shpalli moskompetencën duke ia dërguar Prokurorisë së Dibrës. Ping-pongu me dosjen vijoi edhe pas kësaj, pasi prokuroria e Dibrës refuzoi fillimisht ta pranonte, duke cituar mungesë stafi dhe njohje e lidhje me të pandehurit.

Në qëndrimin e saj Prokuroria e Dibrës thotë se kishte kaluar periudha 3 vjeçare nga fillimi i hetimeve dhe se kundravajtja penale, që në këtë rast është blerja e votës dhe dhënia e premtimeve, ishte parashkruar.

Dosja 184 sëbashku me dosjen tjetër me nr.339, që i përket hetimeve të një organizata kriminale në Durrës të përfshirë po ashtu sipas prokurorisë në blerje votash dhe shatazh zgjedhësish, u bënë shkak për bojkotin e parlamentit dhe më pas edhe të zgjedhjeve lokale nga opozita, duke futur vendin në një nga krizat më të thella politike.

Përgjatë tre viteve, dosja ndërroi disa duar prokurorësh dhe Krimet e Rënda u përballën me kritika publike për zvarritje hetimesh për shkak ‘të zyrtarëve të lartë të shtetit të kapur në përgjime’. Një pjesë e këtyre përgjimeve që iu publikuan në tabloidin gjerman BILD, përfshinë kryeministrin Edi Rama, deputetin e Partisë Socialiste dhe ish-ministrin e Infrastrukturës Damian Gjiknuri dhe ish-deputetin, tani kryebashkiakun e Lezhës Pjerin Ndreu dhe ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Por ndërsa për zyrtarët lokalë ka vendime për dërgim të dosjes në gjyq, për bashkëbiseduesit e tyre nuk duket se ka pasoja, pavarëisht se në biseda del që i kanë inkurajuar dhe përshëndetur veprimet.

Më i qartë ndër to është rasti i ish-drejtorit të Drejtorisë Arsimore, i cili akuzohet për “Kanosje apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, edhe pse një nga telefonatat e përgjuara dhe publikuara tregon se të paktën në një rast ai kishte marrë porositë nga tani kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu, për t’i thënë një drejtori shkolle të shpallte publikisht votën për Partinë Socialiste. “Deklaro votën hapur atje, që e kë për PS-në, ndryshe ditën e hënë tregoja ku fluturon”, dëgjohet Ndreu në bisedë. Ndreu u mbrojt duke pretenduar se i kërcënuari rrezikonte vetëm vendin si kryetar i Partisë Socialiste edhe pse mesazhi po i përcillej përmes shefit të tij në zyrën arsimore.

Zgjedhjet e vitit 2016 në Dibër u fituan nga Partia Socialiste dhe koalicioni i saj i atëhershëm me PDIU (më pas një fraksion i kësaj partie që iu bashkangjit socialistëve), me rezultat më të thellë se zgjedhjet e mëparshme, ndërsa demokratët u ankuan për presione dhe blerje të votës. Mënyra se si rrodhën ngjarjet prodhuan një qeverisje lokale me probleme, ndërsa anëtarët e koalicionit fitues u rrahën me njëri tjetrin në zyrat e bashkisë në përplasjet për të ndarë vendet e punës./BIRN

Exit mobile version