Të blesh votën në SHBA dënohesh me burg

Flet Prof. Dr. Suzana Guxholli, shefe e Departamentit të Ekonomisë dhe Financës, në Universitetin e Nju Jorkut.
“Shqipëria duhet të mësojë nga mënyra sesi zhvillohen zgjedhjet në një demokraci. Ato janë të lira, të hapura, transparente dhe jo nën presione të pandershme. Blerja e votës atje dënohet nëse praktikohet. Transparenca e financimeve është e admirueshme dhe po kështu, edhe respektimi i rezultateve dhe ligjeve”, thotë Prof. Dr. Suzana Guxholli, shefe e Departamentit të Ekonomisë dhe Financës, në Universitetit e Nju Jorkut.

– Cili është vlerësimi juaj për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 8 nëntor? Për herë të parë në garë është edhe një grua? Çfarë kanë sjellë të re në bërjen e fushatave elektorale?
Këto zgjedhje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të veçanta dhe tejet interesante, për nga mënyra sesi ato zhvillohen. Në SHBA, zgjedhjet presidenciale janë një ngjarje karakteristike, që të tërheqin dhe të bëjnë t’i ndjekësh me interes. Demokracia amerikane të habit. Sapo mësohesh me të, nuk e braktis dot më.
Zgjedhjet në Amerikë kanë sjellë surpriza dhe më parë me presidentin Obama, si i pari president me ngjyrë.
Këto zgjedhje sërish kanë elementin surprizë, të veçantën e tyre, kanë faktin që një grua po garon për herë të parë për postin e presidentes në SHBA.
Në këto zgjedhje po mbizotërojnë sulmet personale dhe po bëhen gjithnjë e më agresive. Kanë të veçantë dhe faktin që përballë Hillary Clinton është një kandidat republikan jo aq popullor si politikan dhe njeri i popullit, por si biznesmen shumë i suksesshëm dhe shumë liberal në përqasjet me jetën dhe shoqërinë.
Si grua, më duhet të mbështes moralisht, një grua të veçantë, shumë të përgatitur e të përkushtuar për këtë pozicion, që në mënyrë racionale e me shumë punë ka arritur në këtë fazë. Si person i përfshirë në politikë, me një parti të djathtë, në mënyrë racionale favorizoj kandidatin e djathtë e programin e tij, veçanërisht në pjesën ekonomike.
Kurioziteti dhe një lloj “ankthi për së largu” do të na bëjë edhe ne të jemi të vëmendshëm për disa ditë, deri më datë 9 nëntor, kur votat e popullit amerikan të hedhura për zgjedhjet, të numërohen e të përcaktojnë se cili kandidat do të jetë presidenti i tyre.

– Cilat janë ndryshimet kryesore (nëse mund të përmendni disa) në programet e kandidatëve që bëjnë diferencën? Dhe a ka dallime mes fushatave të mëparshme presidenciale? Nëse po çfarë?
Më duhet të them se programet politike të të dy kandidatëve kanë qëndrime diametralisht të ndryshme, në shumë fusha. Disa prej tyre që mund të veçoj janë:
Hillary Clinton ofron në program një filozofi pro zgjedhjeve, ndërsa Donald Trump mbështetet në atë pro jetës.
Clinton në lidhje me emigrantët e paligjshëm është pro aktit “Dream”, pra i mbështet ata dhe siguron se do të ofrojë mundësi për integrimin e tyre me mjete e mënyra të ndryshme, për shembull, duke u ofruar mundësi mësimi gjuhe e zanati.
Trump është shprehur kundër kësaj kategorie. Ai propozon masa drastike, si: deportim, mbyllje kufijsh etj., me arsyetimin për të ulur krimin e problemet që mbartin emigrantët e paligjshëm.
Clinton është pro kufizimit të armëmbajtjes, ndërsa Trump kundër.
Clinton premton taksa të larta dhe me shkallë për më të pasurit, por edhe taksa më të larta në tërësi. Ajo thekson rolin e shtetit në rishpërndarjen e të ardhurave.
Trump është mbështetës i taksave të ulëta për të gjithë. Ai premton uljen e tyre, për shembull: taksën e korporatës e ka propozuar në 15%.
Trump është kundër planit “Obama Care” në shëndetësi, të cilin Clinton premton se do ta vazhdojë, duke përfshirë për shembull, 3 vizita mjekësore falas.
Clinton mbështet abortin, ndërsa Trump në fillim u shpreh kundër, por më pas premtoi se do ta kufizojë.
Clinton propozon një pagë minimale 12 dollarë/ora, ndërsa Trump flet në përgjithësi për rritje pagash.

– Çfarë do të sjellë për Shqipërinë zgjedhja e njërit apo tjetrit kandidat?
Zgjedhjet në SHBA, pavarësisht faktit se cili kandidat do të marrë mbështetjen e popullit, nuk influencojnë situatën në Shqipëri. SHBA është dhe do të jetë një nga shtetet më të preferuara për shqiptarët, simbol i mundësive e demokracisë. Ne duhet të respektojmë zgjedhjen e amerikanëve për presidentin e tyre dhe të vazhdojmë miqësinë e bashkëpunimin me këtë shtet të dashur për shqiptarët.

– Çfarë mund të huazojë Shqipëria, te modeli i të bërit të fushatës elektorale?
Shqipëria duhet të mësojë nga mënyra sesi zhvillohen zgjedhjet në një demokraci. Ato janë të lira, të hapura, transparente dhe jo nën presione të pandershme. Blerja e votës atje dënohet nëse praktikohet. Transparenca e financimeve është e admirueshme dhe po kështu, edhe respektimi i rezultateve dhe ligjeve. Aspekte që ne kemi shumë se çfarë mund të mësojmë. Tonet e larta të debateve dhe ofendimet e kandidatëve ndaj njëri-tjetrit, më të larta se herë tjetër, janë një cilësi, qe ne, për fat apo për “dert” e kemi.

Exit mobile version