Talebanët, letër të hapur Presidentit Trump

Grupi militant i talebanëve i ka nisur një letër të hapur Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duke i bërë thirrje që SHBA-ja të heqë dorë nga Afganistani, në vend që të rrisë numrin e trupave, pas konfliktit 16-vjeçar.
“Përvojat e mëparshme kanë treguar se shtimi i trupave në Afganistan nuk do të ketë rezultat tjetër, përveç shkatërrimit të mëtejmë të ushtrisë amerikane dhe ekonomisë së saj”, është thënë në letrën që u është dërguar gazetarëve në gjuhën angleze.
Në këtë letër, që mban autorësinë e zëdhënësit të talebanëve, Zabihullah Mujahid, po ashtu thuhet se tërheqja e trupave amerikane, “do t’i largonte trupat amerikane nga rruga e dëmshme” dhe do të sillte “fundin e një lufte të trashëguar”.
Mujahid ka thënë se Trump njeh ato që zëdhënësi i talebanëve i ka quajtur të metat e paraardhësve të tij, duke kërkuar rishikimin e strategjisë amerikane në Afganistan.
Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Jim Mattis, ka thënë se administrata e Presidentit Trump, është shumë afër prezantimit të strategjisë ushtarake në këtë vend.
Aktualisht në Afganistan gjenden rreth 8,400 trupa amerikane, pasi shumica e trupave të NATO-s janë larguar në vitin 2014.
Sipas raportimeve të mediave, Mattis ka rekomanduar, shtimin e trupave edhe për 4,000 në Afganistan, mirëpo ende asgjë nuk është miratuar nga Presidenti Trump.

Exit mobile version