TALAT XHAFERI, kryeministri shqiptar që do të drejtojë qeverinë teknike në Maqedoninë e Veriut

Qeveria e Maqedonisë së Veriut e drejtuar nga Dimitar Kovaçevski, ka dhënë dorëheqjen për t’i hapur rrugën formimit të qeverisë teknike, që do të drejtohet për herë të parë nga një kryeministër shqiptar.

“Dorëheqja e kryeministrit sjell dhe dorëheqjen e Qeverisë. Konstatoj se kryetarit të Qeverisë dhe Qeverisë i mbaron mandati. Qeveria mbetet në detyrë derisa të zgjidhet qeveria e re”, tha nënkryetari i Kuvendit, Goran Misovski.

Pas dorëhiqjes së kryeministrit, njoftohet Presidenti i vendit, Stevo Pendarovskin. Pastaj kreut të shtetit maqedonas i duhet të autorizojë nënkryetarin e Kuvendit që të udhëheqë seancën plenare, ku do të dorëzohet dorëheqja e Talat Xhaferit.

Qeveria teknike pritet që të votohet më 28 Janar nga parlamenti i Maqedonisë së Veriut. Theksojmë se kjo është hera parë që në krye të qeverisë maqedonase emërohet një shqiptar, Talat Xhaferi.

Kush është Talat Xhaferi, kryeministri shqiptar që do të qeverisë Maqedoninë e veriut?

Talat Xhaferi ka lindur më 15 prill 1962 në Gostivar, Republika e Maqedonisë së Veriut. Në vitin 1981 ai regjistrohet në Akademinë Ushtarake e Forcave Tokësore, drejtimi i këmbësorisë, dhe mësimin e ndjek në Beograd e Sarajevë.

Prej vitit 1996 deri në vitin 1998 u përkushtohet studimeve pas universitare me specializim në detyrat komanduese dhe të shtabit në Akademinë Ushtarake Shkup, ndërsa në vitin 2013, fiton titullin magjistër, pas mbrojtjes së suksesshme të tezës në Fakultetin Filozofik pranë Universitetit në Shkup.

Karrierën në forcat e armatosura e fillon në vitin 1985, fillimisht në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ),Me pavarësimin e Maqedonisë, ai kthehet në vendlindje dhe inkuadrohet në Armatën e Maqedonisë, duke qenë oficer i lart dhe pas një periudhe zgjidhet komandant i njësiteve të këmbësorisë në kazermën e Tetovës.

Më 28 prill të 2001, në konfliktin e armatosur në Maqedoni mes forcave maqedonase të sigurisë dhe UÇK-së, Xhaferri braktis radhët e Armatës së Maqedonisë dhe kaloi në radhët e UÇK-së.

Ai në këtë periudhë u njoh me nofkën komandant Forina. Gjatë viteve të përfshirjes në politikë në radhët e BDI-së, duke u zgjedhur deputet, zëvendësministër i mbrojtjes në vitin 2008 dhe ministër i mbrojtjes në Shkurt të vitit 2013.

Në një deklaratë për mediat, gjatë pranim dorëzimit të funksionit të ministrit të Mbrojtjes, Xhaferi deklaroi se qëllimi i tij do të jetë “forcat e armatosura të bëhen simboli i bashkëjetesës, i tolerancës dhe respektimit të dallimeve”.

Në vitin 2016, për herën e pestë zgjidhet deputet në Kuvend, ndërsa në vitin 2017, zgjidhet Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Më 21 gusht 2020, pas mandatit të tij të gjashtë si deputet, përsëri e fiton besimin e shumicës të deputetëve të Kuvendit dhe zgjidhet Kryetar i dhomës ligjvënëse. Talat Xhaferi flet gjuhën shqipe, maqedonase, serbe, kroate dhe angleze. Përgatiti A.Mënalla/ LIberale

Exit mobile version