Taksa e arsimit e faturuar për çdo NIPT sekondar makth për bizneset

Taksa e arsimit e faturuar për çdo NIPT sekondar është kthyer në një makth dhe kosto shtesë për bizneset, sidomos ato të shpërndarjes e tregtimit, që për vetë natyrën e aktivitetit janë të detyruar të pajisen me shumë NIPT sekondare. Disa prej tyre po e kalojnë atë në çmim, siç ishte rasti i shtrenjtimit të naftës së fundmi. (Lexo: Rritet çmimi i naftës, nga taksa e rilicencimit, arsimit dhe shtrenjtimi në bursa).
Në një takim të fundit me biznese të Dhomës Amerikane, përfaqësues të Bashkisë premtuan se do e merrnin në konsideratë rishikimin e pagesës për çdo NIPT, por vetëm vitin e ardhshëm, këtë vit nuk mund të bëhej gjë.
“Drejtoria e Taksave dhe Tarifave është e njohur me këtë problematikë, pasi janë të shumta rastet që na janë referuar dhe ne e kuptojmë shqetësimin e biznesit. Ky taksim në bazë NIPT-i argumentohet në bazë të Ligjit 9723 “Për regjistrimin fiskal të biznesit” dhe si Taksa e Pastrimit, ashtu edhe ajo e Infrastrukturës në Arsim duhet të paguhen për çdo NIPT, çdo përjashtim duhet të bëhet me vendim Këshilli Bashkiak. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë edhe me ju që kjo situatë të rregullohet, por deri në atë moment, këto taksa do të bëhen mbi këtë bazë”, tha Drejtori i Përgjithshëm i Taksave dhe Tarifave Vendore, Arli Naska.

Ankesat

Sipas bizneseve është e pakuptimtë që të paguhen këto detyrime për çdo NIPT, duke qenë se një subjekt mund të ketë më shumë se dy të tillë, (veçanërisht nëse kryen aktivitet distribucioni, shitje në shumë pika shërbimi etj.) shpërndarjeje. “Kompania jonë ka një sërë makinash në flotën e saj që realizojnë disbursime dhe për secilën prej tyre na duhet të paguajmë këto taksa. Kjo është diçka e papranueshme, pasi ka një kosto tepër të lartë”, tha përfaqësuesja e një kompanie shërbimesh në fushën e teknologjisë.
Vendosja e taksës së përkohshme për 7 vjet për arsimin ka ngjallur shumë debate, pasi cenon parimin kushtetues që arsimi fillor dhe i mesëm është falas.
Taksa do të jetë 1,800 lekë në vit për familjet dhe do të mblidhet në faturën e ujit, ndërsa për bizneset varion deri në 4,000 lekë në 37,000 lekë në vit për VIP-at.
Për nënkryetarin e Bashkisë, Arbjan Mazniku, vendosja e një takse të përkohshme është një e drejtë e sanksionuar me ligj që i jepet bashkisë, në rast se ajo çmon se të ardhurat që do të mblidhen do të shkojnë në të mirën publike.
Sipas përfaqësuesve të Bashkisë, të ardhurat nga taksat e përkohshme e infrastrukturës në arsim do të përdoren për të shtuar kapacitetet arsimore. “Kostoja për ndërtimin e një shkolle në qendër të kryeqytetit me atë në periferi nuk është e njëjtë. Zhvendosja e popullsisë dhe ndërtimet pa kriter kanë sjellë mbipopullime në shkolla dhe ne duhet të ofrojmë shërbime pa bërë dallime. Këto të ardhura do të shkojnë për këtë qëllim”, sqaroi numri dy i bashkisë kryeqytetase.
Në buxhetin e vitit 2016 të Bashkisë së Tiranës, nga 650 milionë lekë që planifikohen të mblidhen, 320 milionë lekë do t’i paguajnë familjarët dhe 330 milionë lekë subjektet tregtare. Në vitin 2017, planifikohen të mblidhen 690 milionë lekë dhe në 2018-ën rreth 720 milionë lekë.
Në total, për periudhën 2016-2018 pritet të derdhen në arkën e bashkisë rreth 2 miliardë lekë, apo rreth 15 milionë euro, të ndara pothuajse përgjysmë nga familjarët dhe bizneset.
Biznesi gjithashtu i propozoi Bashkisë që të ndërhyjë pranë QKB-së për të bërë të mundur që në NIPT të qartësohet nëse biznesi realizon shitje me shumicë dhe/ose me pakicë, pasi kjo do të lehtësonte procedurat e verifikimit dhe nuk do të ngarkonte me barrë të tepërt sipërmarrjet. Nga ana e përfaqësuesve të Bashkisë, ky u konsiderua si një propozim i vlefshëm, por që duhet të ndiqet nga QKB-ja

Exit mobile version