Tabaku: FMN konfirmoi shqetësimet e opozitës

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku e cilësoi dje raportin e FMN si konfirmim të shqetësimeve të ngritura prej kohësh nga opozita. “Raporti FMN për investimet e huaja rikonfirmon atë çfarë opozita ka kohë që e shpreh me shqetësim. Kemi më pak investime të huaja, jemi të parafundit në rajon, qeveria nuk ka asnjë politikë stimuluese fiskale apo ekonomike. U mungon vizioni sepse fuqitë i kanë harxhuar për tendera e koncesione. Ironikisht, sot kryeministri dhe ministri i Financave kanë shpallur nismën djallëzore të Rilindjes ‘Blej Shqipërinë përmes koncesionit’. Duan të shesin një vend, të cilin e kanë nxjerrë në koncesion, duan të shesin të ardhmen e qytetarëve pasi dështuan në çdo politikë ekonomike. Duan t’ia shesin bizneseve pranë tyre. Mbasi për 4 vite nuk ndërtuan asnjë shkollë të re, mbasi nuk hapën asnjë aks të ri rrugor, mbasi të ardhurat i ulen në nivele historike (vetëm vitin e fundit patën një mosrealizim prej 100 mln USD), filluan të riciklojnë premtimet e vjetra”, tha Tabaku. “Shifrat janë kokëforta, fatkeqësisht kjo mungesë vizioni, ky klientelizëm e kjo rritje kaotike taksash këto efekte ka. Kësaj mënyre qeverisje i duhet thënë jo! Taksa e sheshtë prej 9% e bën Shqipërinë përsëri konkurruese në rajon, kthen besimin e investitorëve e i jep frymë ekonomisë e biznesit! Shqipëria duhet të luftojë për çdo vend pune që krijohen në rajon! Shqipëria duhet të jetë përsëri konkurruese”, u shpreh deputetja e PD.

Exit mobile version