Sulmohet një i ri në Tiranë, përfundon rëndë në spital

Një i ri është sulmuar me mjete të forta nga 3 persona të panjohur në Tiranë dhe ka përfunduar në Spitalin Ushtarak me plagë të rënda në trup. Ngjarja ka ndodhur në rrugën ‘3 Dëshmorët’ në Yzberisht rreth orës 20:00 të mbrëmjes së enjte. I plagosuri është një 19-vjeçar dhe policia bëri të ditur se, ka nisur hetimet dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ende nuk janë zbuluar autorët e këtij krimi.
Ndërkohë, po të enjten në mbrëmje u plagos me armë në një atentat në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë 26-vjeçari Dejvis Rrustemaj. Autorët ende nuk janë zbuluar, ndërsa i plagosuri i ka thënë policisë se, ka qenë në gjendje të dehur dhe se nuk mbante mend kush e kishte qëlluar. Nga verifikimet e kryera është konfirmuar se autorët e atentatit, iu afruan 26-vjeçarit me një mjet fuoristradë “Volkswagen” Tuareg. Nga brenda saj një person ka qëlluar me armë zjarri, ndërsa më pas mjeti është larguar me shpejtësi.
Policia po kërkon pamje të kamerave të sigurisë së zonës, për të zbuluar drejtimin e mundshëm të lëvizjes së atentatorëve. Rrustemaj, njihet nga policia si person me precedentë penalë dhe i skeduar.
Rasti më i njohur është ai i kanosjes së Andi Fishekut, djalit të biznesmenit të karburanteve, Ilajz Fisheku. Për këtë ngjarje ai është hetuar nga Prokuroria e Tiranës në shtator të vitit 2005. Kjo është një prej pistave që po hetohet nga policia, ndërsa nuk përjashtohen edhe konflikte të tjera të mundshme që ai mund të ketë pasur.

Exit mobile version