Sulmi në Ohio mund të jetë terrorist

Një student somalez në Universitetin Shtetëror të Ohios e përplasi makinën mbi një turmë njerëzish dhe pastaj doli nga automjeti me thikë në dorë duke therur 11 persona. Ai u qëllua dhe u vra nga policia.
“Ne duhet ta shqyrtojmë këtë” si një sulm terrorist tha shefja e policisë në Columbus, Kim Jacobs.
Universiteti Shtetëror i Ohios, e identifikoi sulmuesin si Abdul Razak Ali Artan. Pjesëtarët e komunitetit në Columbus i thanë shërbimit somalez të “Zërit të Amerikës” se ai ishte me origjinë nga Somalia dhe ishte 20 vjeç.
Një student me të njëjtin emër ishte portretizuar në muajin gusht në gazetën e studentëve duke ngritur shqetësimin për mungesën e dhomave të lutjeve për myslimanët në kampusin e universitetit.
Zyrtarët e spitalit thanë se asnjë nga të plagosurit nuk është në rrezik për jetë.
Presidenti i Universitetit Shtetëror të Ohios, Michael Drake, tha se fillimisht pati thashetheme se mund të kishte edhe një të dyshuar. Megjithatë, Drake tha se policia kishte kontrolluar zonën dhe beson që ishte vetëm një sulmues. FBI u është bashkuar hetimeve.
Drake tha se nuk do të spekulojë për motivet e sulmit. Ai tha se sulmi ishte i qëllimshëm, sepse i dyshuari e drejtoi makinën mbi një turmë këmbësorësh mbi trotuar dhe më pas doli nga makina dhe filloi të therë njerëzit me thikë kasapi.
Policia tha se një oficer i kampusit arriti në vendin e ngjarjes dhe qëlloi të dyshuarin më pak se një minutë pasi ai filloi sulmin.
Studentët thanë se u barrikaduan në sallat e mësimit dhe në zyra duke bllokuar dyert me karrige kur ndodhi incidenti.
“Jemi të frikësuar, të gjithë janë të frikësuar”, i tha “Zërit të Amerikës” Suad Osman, anëtar i shoqatës së studentëve somalezë në Universitetin Shtetëror të Ohios.
Një profesor i tha “Zërit të Amerikës” se kolegët e tij ishin të “tronditur” nga ngjarja.
Në kampusin kryesor të Universitetit Shtetëror të Ohios ka rreth 60 mijë studentë.

Exit mobile version