Sulmi kimik ndaj opozitës, Prokuroria dërgon analizat në Gjermani

Prokuroria kërkon ndihmën e autoriteteve gjermane për helmimin kimik në mitingun e çeljes së fushatës së PD. Në Shqipëri nuk ka asnjë laborator, i cili të mund të përcaktojë brenda një kohe të shkurtër shkakun e helmimit të 140 pjesëmarrësve në mitingun hapës të fushatës së Partisë Demokratike. Për këtë arsye, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar ndihmën e autoriteteve gjermane.
Burime nga akuza e kryeqytetit thonë se, analizat e personave të helmuar, si dhe të dhëna të tjera të përfituara nga këqyrja e Bulevardit do të dërgohen në një laborator në Gjermani. Laboratori i Mjekësisë Ligjore nuk ka mundësi dhe kapacitet për të kryer veprimet, të cilat do të përcaktojnë saktë shkakun e helmimit të pjesëmarrësve në miting, brenda një kohe të shkurtër.
Janë rreth 32 mijë helme ose substanca kimike, të cilat duhet të kalojnë në sitën e ekspertëve. Laboratori jonë duhet që t’i marrë këto lloj substancash një e nga një, në mënyrë që të përcaktohet shkaktari. Ndërsa në Gjermani me anë të një aparature të veçantë, kjo procedurë kryhet në kohë rekord.
Prokuroria është duke hetuar këtë rast për pengimin e subjekteve zgjedhore për të zhvilluar normalisht aktivitetin e tyre. Paraprakisht u dyshua se helmimi mund të ketë ardhur nga prozhektorët e ndriçimit, por nuk përjashtohet që të ketë qenë një akt i qëllimshëm.
Burime nga organi i akuzës së kryeqytetit kanë bërë me dije, se ndryshe nga sa ishte referuar nga policia për ndotje të mjedisit, ngjarja do të hetohet për akuzën e caktuar nga Prokuroria. Një tjetër pistë që po hetohet është edhe ajo e konkurencës mes kompanive që ofrojnë shërbime për eventet, pas dyshimeve se mund të kemi të bëjmë edhe me një sabotim të kësaj natyre.
Gjithsesi, hetuesit janë në pritje të analizave dhe ekspertimeve te tjera për të vijuar më pas me procedurat hetimore.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 27 majit. Më shumë se 140 pjesëmarrës në mitingun e opozitës, përfshirë dhe kreun e PD-së, Basha u paraqitën gjatë orëve të mëngjesit të së shtunës (28 maj 2017) në Spitalin e Tiranës me shenja helmimi.
Që të gjithë kishin të njëjtat simptoma si skuqje, kruarje dhe djegie të syve apo dhe irritim në fytyrë dhe në pjesën e qafës. Disa prej tyre, kanë shfaqur edhe vështirësi të lehta në frymëmarrje. Vetëm një numër i vogël është mbajtur për kujdes të mëtejshëm, ndërsa pjesa tjetër ka lënë brenda një kohe të shkurtër spitalin.

Exit mobile version