Skenarët e kualifikimit

Do të jenë tre ditë të jetuara plot ankth, gjatë së cilave askush nuk do të ketë dëshirë të mendojë për pushimet. Shqipëria bëri hapin e parë drejt një shprese të madhe, ndërsa tani duhet të presë se çfarë do të ndodhë në grupet e tjera. Fitorja me Rumaninë u dhuroi kuqezinjve vendin e tretë, por kualifikimi në fazën e 1/8-ave është në dorën e të tjerëve. Me vetëm 3 pikë dhe me një golaverazh negativ 1 me 3, duket e vështirë, por jo e pamundur. Duhet që të paktën 2 vende të treta të bëjnë më keq se Shqipëria.
Në 2 nga 5 grupe, skuadra e tretë i ka tashmë 3 pikë. Sllovakia në Grupin B dhe Irlanda e Veriut në Grupin C. Shqipëria mund të shpresojë vetëm këto dy skuadra të humbasin dhe të përkeqësojnë golaverazhin. Sllovakia duhet të humbasë 3-0 me Anglinë, ndërsa Irlanda e Veriut me 4 gola diferencë me Gjermaninë. Në Grupin B në fakt ekziston edhe një mundësi tjetër në rast se humbet Uellsi me Rusinë me 3 gola diferencë e po kështu edhe Sllovakia me Anglinë.
Në Grupin D Shqipërisë i intereson vetëm ndeshja Çeki-Turqi. Kuqezinjve u intereson që çekët të mos fitojnë, ndërsa Turqia nuk duhet të triumfojë me më shumë se një gol diferencë.
Dita e fundit e fazës së grupeve do të jetë vendimtare. Të mërkurën në orën 18:00 luajnë Islandë-Austri dhe Hungari-Portugali. Në këtë rast në favor të Shqipërisë janë dy kombinacione të mundshme. Të mposhtet Portugalia e Ronaldos, ndërsa takimi tjetër thjesht të mos ketë fitues. Një barazim i luzitanëve ose në takimin tjetër bën që e treta e këtij grupi të ketë golaverazh më të mirë se Shqipëria.
Faza e grupeve mbyllet me Itali-Irlandë dhe Suedi-Belgjikë. Antonio Conte mund t’i japë një dorë bashkëkombasit të tij De Biasi, duke fituar ose barazuar me irlandezët, por në të njëjtën kohë Belgjikë duhet të bëjë të njëjtën gjë me Suedinë, pra të mos e lejojë të fitojë skuadrën e Zlatan Ibrahimoviç, ose Belgjika të mposhtet me katër gola diferencë nga suedezët, që të ketë golaverazh më të keq se kuqezinjtë, një hipotezë kjo thuajse e pamundur. Meqë skuadra e De Biasit ka ende shanse për t’u kualifikuar, e gjithë Italia do të ketë motiv për të mbështetur të kaltrit që të marrin të paktën një pikë me Irlandën, edhe pse nuk do të ketë asnjë vlerë.

Exit mobile version