Shqipëria, vendi që mban rekord për reformat ‘’anti-korrupsion’’

Nga Ervis Iljazaj

Edi Rama në një mbledhje të përbashkët midis deputetëve të mazhorancës dhe ministrave ka mbajtur një fjalim të gjatë. Pjesa kryesore e atij fjalimi ishte domosdoshmëria, sipas tij, për t’u bashkuar të gjithë në luftën kundër korrupsionit. Madje i bëri thirrje edhe opozitës për t’ju bashkuar kësaj nisme. Në fakt, sa herë që politika shqiptare bashkëpunon me njëra-tjetrën, ato që vuajnë dhe dëmtohen janë drejtësia dhe demokracia shqiptare. Këtë gjë na mëson historia e tranzicionit, duke filluar që nga marrëveshja e 2008-ës. Qytetarët shqiptarë duhet të shqetësohen sa herë që palët politike i bëjnë thirrje njëra-tjetrës për të luftuar korrupsionin apo për të ndihmuar drejtësinë, por ky është një diskutim tjetër.

Në fakt Shqipëria, me shumë gjasa duhet të ketë thyer rekord për reformat anti-korrupsion që kanë ndërmarrë qeveri të ndryshme. Mirëpo, edhe pse ka kaq shumë reforma kundër tij, madje edhe një ministri anti-korrupsion, raportet e specializuara në këtë fushë nga organizata të ndryshme ndërkombëtare e nxjerrin Shqipërinë si vend i korruptuar. Shqipëria në këtë drejtim të kujton shprehjen e famshme të një politikani dhe historiani romak Tacitus, që thoshte, “sa më shumë ligje ka një shtet aq më shumë i korruptuar është ai’’. Edhe në Shqipëri duket se ndodh e njëjta gjë. Sa më shumë qeveritë bëjnë reforma anti-korrupsion, aq më shumë të korruptuara bëhen ato.

Kjo ndodh për një arsye shumë të thjeshtë. Qeveria, apo parlamenti siç shkruhet në rezolutën e kësaj mbledhje, nuk kanë detyra hetuese. Parlamenti ka për detyrë të miratojë ligje dhe qeveria ti zbatojë ato. Detyra kryesore e luftës ndaj korrupsionit është e organeve të drejtësisë. Madje, Shqipëria me ndihmën e aleatëve ndërkombëtarë ka ngritur një prokurori të posaçme për luftën ndaj korrupsionit, që është SPAK. Puna e të cilit deri tani gëzon besueshmërinë e 70 deri në 80 për qind të qytetarëve shqiptarë.

E pikërisht tani, kur aktiviteti i SPAK ka filluar të intensifikohet, qeveria mendon se ka një domosdoshmëri për t’u bashkuar të gjithë në luftën kundër korrupsionit. Përse pikërisht tani? Cila është domosdoshmëria që klasa politike duhet të bashkohet për të bërë reforma, edhe në drejtësi? Aq me tepër kur aktiviteti i SPAK lëvdohet nga qeveria. A nuk e ka Shqipëria një institucion që merret me luftën ndaj korrupsionit dhe që deri më tani ka dhënë rezultate si kurrë më parë? Si mundet qeveria të bëjë reforma kundër korrupsionit, me një forcë politike që drejtohet nga një person i shpallur ‘non-grata’ nga ShBA dhe Britania e Madhe, si dhe në arrest shtëpie për hetim ndaj korrupsionit?

Të gjitha këto janë pyetje që ngrenë hije dyshimi të mëdha për sinqeritetin e aleancës që po kërkon mazhoranca, për të bërë reforma apo bashkëpunuar me të gjithë aktorët dhe faktorët politik. Më shumë se sa një aleancë kundër korrupsionit kjo duket si thirrje e një aleance të politikës kundër drejtësisë, sidomos SPAK. Sidomos në këtë moment kur ky institucion po merr njerëzit e pushtetit dhe bashkëpunëtor të afërt të Kryeministrit Rama.

Nëse vërtetë kjo qeveri dhe ky kryeministër ka vullnet të luftojë korrupsionin, e vetmja gjë që duhet dhe mund të bëjë është të mbështesë SPAK, organi i cili ka për detyrë ta hetojë atë. Të gjitha përpjekjet e tjera janë orvatje dhe një manipulim i opinionit publik.

Duket qartë se lufta ndaj korrupsionit e Ramës nuk është gjë tjetër veçse një strategji politike dhe komunikimi e cila me shumë gjasa do të jetë edhe kali i betejës së tij në fushatën e zgjedhjeve të 2025. Sepse e ka kuptuar mirë që shqiptarët po kërkojnë gjithmonë e më shumë drejtësi. Problemi qëndron se Rama nuk mund të japë drejtësi, atë e bëjnë organet përkatëse. Aq më tepër kur kjo presupozohet si një qeveri e korruptuar. Qeveria është subjekt i kontrolli i hetimeve për korrupsion dhe nuk mund të kthehet në një subjekt hetues.

 

Exit mobile version