Shpresoj që e ardhmja ime të jetë te Milan

Rino Gattuso ka kaluar çdo parashikim. Tanimë dihet se ai nuk ishte vetëm për një futboll me grintë dhe zemër. Milan duket një ekip i përgatitur teknikisht që nuk pëson gola dhe fiton ndeshjet. Kjo ndodhi në Bullgari kundër Ludogorets në ndeshjen e parë dhe u përsërit në ndeshjen e kthimit, ashtu si në disa takime të kampionatit italian. “Fakti që nuk pësojmë gola më lumturon, tha trajneri i Milan, në fund të ndeshjes. Përpara kësaj ndeshje isha i shqetësuar, jo vetëm për ndryshimet në formacion, por për mentalitetin. Duhet të vazhdonim të luanim me të njëjtin mentalitet si në ndeshjet e kaluara dhe ashtu bëmë. Ekipi po rritet dhe ata që kanë luajtur më pak kanë qenë gjithmonë gati kur i kam thërritur. Mes atyre që kanë luajtur më pak ka qenë edhe Andre Silva. “Mendoj se kam arritur të futem në kokën e tij”, ishte deklarata e Gattuso-s para ndeshjes, por në fushë portugezi ishte futbollisti i vetëm që zhgënjeu. Gjithsesi, Gattuso vazhdon ta mbrojë. “Silva bëri gjithçka që i kërkova. I mungoi vetëm finalizimi, por nuk është dramë”. Fjalë të mira për Kalinic: “Luajti shumë mirë!” dhe për të zakonshmin Cutrone, që luajti si sulmues krahu dhe dha pasimin për golin e Borinit: “Luajti në një rol që nuk i përket, por shkoi mirë. Mund ta provojmë sërish në të ardhmen, por me qetësi”. Përpara ndeshjes kundër Ludogorets, drejtori sportiv i Milan, Mirabelli deklaroi se Gattuso nuk ishte një trajner i përkohshëm dhe se klubi kuqezi synonte ta mbante edhe për sezonin e ardhshëm. Ish-mesfushori është i kënaqur. “E di që e kam thënë disa herë, por nuk mund të mos e përsëris se është një nder i madh për mua të drejtoj këtë skuadër. Kam shumë presion dhe lodhem, por jo më pëlqen jashtë mase. Falënderoj klubin për mundësinë që më dha dhe uroj të qëndroj në këtë stol sa më gjatë të jetë e mundur”, përfundoi Gattuso.

Exit mobile version