Shifra marramendëse

Te Interi tashmë flitet me shifra marramendëse. Zhang Jindong nuk ka ndërmend t’i ulë shpenzimet pasi pretendon ta rikthejë Interin menjëherë në majat e futbollit italian. Pas 270 milionë eurove të shpenzuara për të blerë 68,55% të aksioneve të klubit zikaltër, por edhe 72,5 milionë eurove të tjera për të sjellë në Milano, Joao Marion dhe  brazilianin Gabigol, manjati kinez i elektronikës, ka vendosur një premio nga 7 deri në 10 milionë euro për skuadrën në rast se Interi arrin të fitojë kampionatin. Pas tri fitoreve në 3 ndeshjet e fundit të Serisë A, ky është një sinjal mëse i qartë se pronarët e rinj kinezë besojnë shumë te stafi teknik dhe te futbollistët që ka aktualisht në dispozicion Interi.
Për t’i motivuar edhe më tepër këta të fundit Zhang Jindong ka gati një premio prej 300 mijë eurosh për kokë në rast triumfi në kampionat. Kjo shumë është thuajse dyfishi i premios që Juventusi do të derdhë në arkat e futbollistëve nëse bardhezinjtë arrijnë të fitojnë një tjetër titull kampion që do të ishte i 6-shti radhazi. Pronarët e rinj të Interit kanë parashikuar për skuadrën një sërë premiosh në rast të arritjes së objektivave në kampionat dhe Europa League. Një tjetër e dhënë kjo që Sunnig Group nuk do të ndalet së investuari te Interi, madje gjatë viteve në vazhdim shifrat që do të shpenzohen në merkato do të jenë më të mëdha. Me Zhang Jindong në krye paratë tashmë nuk do të jenë më një problem për Interin. Icardi me shokë kanë një arsye më shumë për të rikthyer skuadrën zikaltër në majat e futbollit italian dhe jo vetëm.
Prezantim “show” për Gabigol: Dua të fitoj me Interin
Interi jo më kot zgjodhi 40-vjetorin e fenomenit Ronaldo për të prezantuar Gabriel Barbosan, i njohur ndryshe thjesht si Gabigol. Sulmuesi brazilian u prezantua në një shfaqje madhështore në sallën e konferencave të sponsorëve pas këmbënguljes së Pirellit, që e ka shndërruar në futbollistin simbol, sikurse ndodhi me Ronaldon 20 vite më parë, por Gabigol nuk dëshiron të krahasohet me Fenomenin. “Unë jam Gabriel Barbosa dhe dua të shkruaj historinë tek Interi. Pavarësisht interesimit të shumë skuadrave të tjera dhe ofertave astronomike nga Kina, këmbëngula të vija në Itali. Interi ka qenë gjithmonë zgjedhja ime e parë. Jam vetëm 20 vjeç dhe ky është një ndryshim i madh në jetën time. Vij nga një verë e gjatë dhe plot impenjime, por jam në dispozicion të skuadrës për të mos humbur asnjë çast dhe për të qenë gati fizikisht. Pas grumbullimit me kombëtaren, Interi më la një javë pushim, por unë ndihem në formë”, u shpreh Gabigol.
Kanë qenë të shumtë futbollistët brazilianë që kanë arritur të lënë gjurmë tek Interi. Gabigol e pranon se konsultimi me disa prej tyre ka qenë një shtysë më shumë për të pranuar ofertën zikaltër. “Maicon, Lucio e Julio Cesar kishin shumë uri, por kohët kanë ndryshuar, tani kemi lojtarë të tjerë lider si Melo e Miranda. Me këtë të fundit dhe Coutinhon kur ishim të grumbulluar në kombëtare kam folur shumë për Interin. Pozicioni im në fushë? Mund të përshtatem në çdo rol në sulm. Po pres me padurim të debutoj me fanellën zikaltër. Kam biseduar gjatë me trajnerin De Boer dhe shpresoj ta jap sa më shpejt kontributin tim. Dëshiroj të fitoj gjithçka tek kjo skuadër”, përfundoi ai.

Exit mobile version