SHBA përshëndet arrestimin e kapos të krimit të organizuar

Shtetet e Bashkuara përshëndetën dje arrestimin e shefit të krimit të organizuar, Emiljano Shullazi. Ambasadori amerikan tha se, përgëzon këto hapa pozitivë dhe pret që të vazhdojnë të hetohen në mënyrë të pavarur.
Ambasadori amerikan Donald Lu e vlerësoi si një hap pozitiv arrestimin e Emiljano Shullazit dhe tha se, pret që çështja të shkojë përpara në mënyrë serioze dhe të pavarur.  Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën “arrest me burg” për Emiljano Shullazin dhe dy bashkëpunëtorët e tij, Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi. Prokuroria ka ngritur ndaj tyre një seri akuzash të rënda, mes të cilave edhe kërcënime ndaj disa biznesmenëve. Por avokati i Shullazit i hodhi poshtë ato, duke pretenduar se ndaj klientit të tij nuk ka prova.
Disa muaj më parë, emri i Emiljano Shullazit u përmend nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë Donald Lu, si shembulli i kriminelëve që lëvizin lirshëm në Shqipëri. Sot, ai foli sërish, ndërsa theksoi se gjatë vitit të fundit në Shqipëri janë vërejtur gjëra pozitive. “Janë arrestuar dhe hetuar gjykatës, prokurorë, deputetë, dhe një ish-ministër dhe tani një bos i dyshuar i krimit të organizuar, Emiljano Shullazi. Ne i mirëpresim këto hapa pozitivë dhe presim që këto raste do të ecin përpara në mënyrë serioze dhe të pavarur”, deklaroi ambasadori amerikan në një fjalë të shkurtër gjatë një takimi të Dhomës Amerikane të Tregtisë.
Sot për Shullazin ishte dita kur Gjykata do të duhej të shprehej për arrestimin e tij. Ai u shoqërua veçmas nga dy bashkëpunëtorët e tij, Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi, kur nga Drejtoria e Policisë mjete të shumta u nisën drejt Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku paradite, u zhvillua seanca për masën e sigurisë. Një numër i konsiderueshëm forcash policore kishin rrethuar ndërkohë godinën e Gjykatës. Gjatë seancës, mediat nuk u lejuan të ishin të pranishme, ndërkohë që mësohet se Shullazi përveç dhënies së gjeneraliteteve, ja ka besuar gjithçka avokatit të tij.
Ambasadori amerikan e cilësoi Reformën në Drejtësi si një rrugë të detyrueshme për politikën shqiptare. Por, duke folur në një forum ekonomik të rëndësishëm si Dhoma Amerikane e Tregtisë, Lu u shpreh se, kjo reformë do të ndihmojë biznesin, por dhe do të tërheqë investitorë të mëdhenj në Shqipëri.
“Një nga çështjet që kam diskutuar më shumë me ju është reforma dhe më keni thënë se, nëse do të keni një sistem të besueshëm drejtësie do të bëjë një ndryshim të madh në rritjen e bizneseve tuaja. Një reformë drejtësie do të tërheqë investitorët e mëdhenj, do të rrisë besueshmërinë e bizneseve”, theksoi Lu.
Ambasadori amerikan lëshoi thuajse një ultimatum ndaj politikanëve vendas kur, duke paralajmëruar miratimin e shpejtë të reformës në drejtësi, la të kuptohej se kjo do të vendoste vijën ndarëse mes së mirës dhe së keqes, edhe në politikë.
“Po jua them sinqerisht se jemi shumë pranë përfundimit të kësaj reforme. Liderët e partive duhet të influencojnë në përshpejtimin e Reformës në Drejtësi, sepse është e rëndësishme që të kemi politikanë që punojnë për popullin e tyre”, shtoi Lu.
Akuzat ndaj Shullazit janë mjaft të rënda që nga gjobëvënia, te kanosja për shkak të detyrës, shkatërrim prone me eksploziv, armëmbajtje pa leje, trafik droge e deri te organizim grupi të strukturuar kriminal. Gjykata mori parasysh kërkesën e Prokurorisë, duke vendosur masën e “arrestit me burg” paafat për të dhe dy bashkëpunëtorët e tij. Përveç rastit të Arjan Zakës, i cili ka bërë kallzim në Polici, duke rrëfyer se është kërcënuar nga Shullazi në mënyrë që të tërhiqet nga pronësia mbi një garazh nëntokësor me sipërfaqe mbi 1000 metra katrorë, Prokuroria deklaron se ka informacione se janë disa biznesmenë, të cilët mendohet të jenë shtrënguar me anë të kërcënimeve që t’i japin para Shullazit dhe grupit të tij. Por, gjatë ditës së djeshme disa prej tyre, përmes deklaratave të shpërndara në media mohuan të jenë kërcënuar apo kontaktuar prej Shullazit apo njerëzve të tij.

Deklaratat e Lu për të paprekshmit dhe Shullazin

Në nëntorin e vitit të kaluar, ambasadori amerikan lëshoi një nga deklaratat më të forta kundër kriminelëve, Froku dhe Shullazi. “Javën e kaluar pyeta se kush i trembet më shumë kësaj reforme. Thashë se shumë zyrtarë të qeverisë dhe gjyqësorit i tremben asaj. Personat e tjerë që duhet t’ia kenë frikën janë kriminelët, autorë të krimeve të rënda që ecin lirisht në rrugë çdo ditë. Persona si Arben Frroku, që vrau një shef policie, por që në mënyrë të mistershme u lejua të largohej nga vendi, derisa ishte në pritje të apelimit në gjykatë. Persona si trafikanti i dënuar për drogë, Emiljano Shullazi, që haptazi është akuzuar nga media për trafikim të vazhdueshëm të narkotikëve dhe vrasje, por nuk është çuar përpara drejtësisë. Dhe persona si Sokol Mjacaj, i cili u dënua për vrasjen e një djali 13-vjeçar, por që më herët u lirua në mënyrë të dyshimtë nga burgu dhe më pas vrau një çift çek. Këto janë llojet e personave që duhet të kenë frikë nga një sistem drejtësie efikas”, deklaroi ambasadori amerikan në tryezën e organizuar në Ministrinë e Drejtësisë.
Jo shumë kohë pas kësaj deklarate të bërë nga ambasadori amerikan, Prokuroria dhe Shërbimi Informativ kanë nisur punën për të mbërthyer atë që ambasadori amerikan Lu në muajin mars të këtij viti i konsideroi si të paprekshëm.
Deklarata e Lu bëhej me qëllim të miratimit të Byrosë së Hetimit. “Një njësi e pavarur hetimore për të luftuar korrupsionin dhe krimet e kryera nga zyrtarë të lartë. Ka një propozim që do të jetë pjesë e funksioneve të BKH sipas modeleve të FBI-së amerikane. Po pse duhet të besojnë shqiptarët që këta policë duhet të jenë përtej ndikimeve të korrupsionit. Sepse SHBA do të investojë. Kemi vënë mënjanë miliona dollarë për të trajnuar policët. Trajnimi i tyre do të bëhet nga FBI. Një agjent i FBI do të vendoset në Tiranë”, tha ambasadori.
Më tej ai tregoi një episod me filmin “Të paprekshmit”.
“Kur ishim në universitet, Hollwood nxori filmin e titulluar “The untouchables” ose në gjuhën shqipe “Të paprekshmit”. Aktori i famshëm shqiptaro-amerikan Robert De Niro luante rolin e gangsterit Al Capone. Historia zhvillohej mbi njësinë elitare hetimore të quajtur “Të paprekshmit”. Ata nuk ishin quajtur të tillë për shkak se qenë mbi ligjin, por sepse ishin të imunizuar prej korrupsionit dhe frikësimit në një kohë, kur Chicago ishte i mirënjohur për korrupsionin në nivele të larta dhe kontrollin e mafias të ngulitur thellë kjo njësi e pakorruptueshme e pavarur që ishte në gjendje të arrestonte Al Capone-n e famshme. Kjo është ajo që ne shpresojmë se do të krijohet në Shqipëri, një njësi e pavarur hetimore për të luftuar korrupsionin dhe krimet e kryera nga zyrtarë të lartë”, tha Donald Lu. Një muaj pas kësaj deklarate i paprekshmi ka rënë në pranga dhe Shullazi nuk bredh më i lirë, natyrisht në sajë të punës së Prokurorisë dhe SHIK.

Exit mobile version