SHBA-BE: Të finalizohet sa më shpejt reforma

Në Shqipëri, Komisioni i Posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi u mblodh dje pas më shumë se dy javë ndërprerjeje. Në Komision morën pjesë edhe përfaqësuesit e opozitës. Në një deklaratë të përbashkët, Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe ambasada e Shteteve të Bashkuara u shprehën se “mirëpresin rifillimin e dialogut në Komisionin parlamentar për Reformën në Drejtësi”, duke kërkuar që procesi të ecë drejt përfundimit me sukses pa vonesa apo pengesa. Të gjitha partitë politike kanë një rol në këtë proces dhe kanë përgjegjësinë madhore për të arritur një marrëveshje”, nënvizon deklarata.
Dy ditë më parë kryetari i këtij komisioni Fatmir Xhafaj, ndërsa njoftonte thirrjen e mbledhjes theksoi se, “ne sot kemi arritur në një moment shumë delikat. Reforma është në hapat e saj të fundit dhe kërkon padyshim një përgjigje në përputhje me interesat e vendit dhe të qytetarëve shqiptarë. Kjo është arsyeja që nuk ka nevojë për shumë negociata, por ka nevojë për më shumë vendimmarrje”. Komisioni i Posaçëm parlamentar, nisi dy javë më parë diskutimet me dyer të mbyllura rreth 10 çështjeve që opozita ka ngritur mbi projektndryshimet kushtetuese, pas publikimit dhe të opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias. Në mbledhjen e parë palët arritën të gjenin gjuhën e përbashkët për katër çështje.
Puna e komisionit u ndërpre më pas, si pasojë e tensioneve në Parlament dhe votës kundër të shumicës ndaj kërkesës së opozitës për t’ju drejtuar Gjykatës Kushtetuese për vlefshmërinë e mandateve të dy deputetëve socialistë, Valentina Leskaj dhe Rakip Suli. Sipas opozitës, ata janë në konflikt interesi, duke qenë se fëmijët e tyre kanë përfituar tendera publikë dhe se për raste të tilla Gjykata është shprehur qartë. Refuzimin e shumicës, e djathta e konsideroi një “atentat kushtetues”, duke argumentuar se “nuk ka kuptim të diskutohen ndryshimet kushtetuese, kur shumica nuk zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese”. Javën e shkuar të dy deputetët, iu drejtuan Parlamentit që pavarësisht vendimit të marrë, të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese vlerësim nëse janë apo jo në kushtet e konfliktit të interesit.
Dy ditë më parë, Parlamenti votoi në favor të dërgimit të rastit të tyre për shqyrtim nga Kushtetuesja. Vendimi i hapi kështu rrugë rikthimit të përfaqësuesve të opozitës në Komision, i cili po zhvillon punimet me dyer të mbyllura, në prani të ekspertëve të misionit amerikan të asistencës për institucionet e drejtësisë shqiptare, OPDAT dhe atij europian EURALIUS.
Pak ditë më parë, një sondazh i kryer nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA) në periudhën janar-shkurt të këtij viti, me 1000 intervista të drejtpërdrejta me grupe të ndryshme, tregoi se 91 për qind e të intervistuarve ose e mbështesin “plotësisht” (67 për qind) ose “deri diku” (27 për qind) nevojën për një reformë të tillë. Sipas sondazhit, të intervistuarit besojnë se, komuniteti ndërkombëtar është më shumë i interesuar për reformën krahasuar me secilin prej aktorëve vendas (më shumë se 3 në 4 qytetarë besojnë se BE-ja dhe ambasada amerikane janë “shumë të interesuar” për reformën, ndërkohë që maksimumi vetëm 1 në 2 qytetarë besojnë se ndonjë nga aktorët vendas, qoftë qeveria apo partitë politike, janë “shumë të interesuar” për këtë reformë). Referuar këtyre rezultateve në deklaratën e tyre të përbashkët, Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe ambasada e Shteteve të Bashkuara i bëjnë “thirrje të gjitha partive politike që të dëgjojnë 91% të shqiptarëve që e mbështesin këtë reformë të rëndësishme”.

Exit mobile version