Rritet numri i grabitjeve në Tiranë përgjatë këtij viti

Grabitjet janë kthyer në një shqetësim serioz për banorët e kryeqytetit. Në muajt e fundit, është rritur numri i të miturve që kryejnë vjedhje në banesa, rrugë, biznese, autobusë. Ata përdoren nga të rriturit, të cilët shfrytëzojnë moshën e tyre të vogël për të hyrë në banesa apo për të vjedhur telefona apo portofola në lokale apo rrugë. Janë kryesisht të mitur të vendosur në periferi apo në rrethe të ndryshme.
Në tre muajt e parë të 2017-ës, janë regjistruar 24 vjedhje ku më së shumti janë autorë, të cilët e kanë të përsëritur këtë vepër. Veç banesave apo qytetarëve në rrugë, në 2017-ën ka një rritje të vjedhjeve me dhunë të bizneseve. Në kategorinë e bizneseve autorët përqendrohen kryesisht në supermarkete, kazino, banka, farmaci, këmbime valutore, argjendari etj.
Ka pasur raste ku këta autorë kanë përdorur kapuçë, po ashtu ata mbajnë me vete armë pistolete, ose armë të ftohta thika, madje ka pasur raste ku autorët që kanë kryer një vjedhje e kanë lidhur personin që kanë dashur për ta vjedhur. Sipas një raporti të Policisë së Shtetit, vjedhjet kryhen pas orës 22:00 dhe zakonisht hajdutët zgjedhin ditën e hënë dhe fundjavën. Shumica e vjedhjeve të kryera në Tiranë përgjatë këtij viti janë zbuluar nga policia në masën 71%, autorët janë arrestuar.

Exit mobile version