Rikthehet tritoli, shpërthim në banesën e një ish-polici

Një shpërthim me eksploziv ka tronditur qytetin verior mëngjesin e djeshëm. Një sasi lënde plasëse ka shpërthyer në banesën e një ish-efektivi policie. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00 në lagjen “Skënderbeg” në Shkodër në pallatin 2-katësh, tek dera e jashtme e banesës së 58-vjeçarit Rrok Pepaj, ish-efektiv policie. Nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar në njerëz, por dëme materiale, ndërsa janë tronditur familja Pepaj dhe banorët e tjerë të pallatit 2-katësh.
Eksplozivi ka dëmtuar derën e jashtme dhe tavanin e korridorit të banesës së ish-policit 58-vjeçar, i cili, sipas policisë, është me precedent penalë. Pas njoftimit ka mbërritur policia, duke nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe arrestimin e autorëve. Ndërkohë që është marrë në pyetje edhe pronari i banesës që iu vendos eksplozivi për dyshimet dhe konfliktet që mund të ketë pasur.
Policia tha se, mësoi për ngjarjen rreth orës 04:00 me anë të një telefonate në sallën e komandimit. Apartamenti ndodhej në një pallat dy katësh. “Tek dera e jashtme e baneses shtetasit Rr.P, 58 vjeç, ka patur një shpërthim i dyshuar lëndë plasëse. Për pasojë është dëmtuar lehte dera e jashtme dhe tavani i korridorit të baneses tij”, informon policia. Policia thotë se po kryhen veprimet me grup hetimor, për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Grupi hetimor thotë se të gjitha pistat janë të hapura përfshi dhe ajo e mundësisë se mund të jetë shkaktuar nga ai vetë për të siguruar më pas azil në një shtet të Bashkimit Europian.
Kush është Rrok Pepaj? Rrok Pepaj në 2005 u arrestua si pjesë e një grupi të mirorganizuar të trafikut të lëndëve plasëse në Ballkan. Në atë kohë u arrestuan katër shkodranë dhe dy malazezë. Në këtë operacion u sekuestruan gjashtë bomba me celular të ardhura nga Mali i Zi. Për këtë akuzë, Pepaj u dënua me 5 vite burg.
Rrok Pepaj ka qenë i dënuar me 5 vite burg, pasi ka qenë njëri nga 4 personat e arrestuar në 2005 për transport eksplozivi nga Mali i Zi në drejtim të Shqipërisë. Në 2005, Rrok Pepaj u arrestua së bashku me Sandër Lekë Gjinaj, Mirash Lazër Dushku, Altian Nuro Saloviq dhe në bashkëpunim me policinë malazeze është ndaluar korrieri i eksplozivit C4, Branko Raiçeviq nga Podgorica.
Ata u kapën me disa bomba me telekomandë të përgatitura në Beograd, ndërsa u futën në Shqipëri përmes Malit të Zi. Në 2010 ai ka dalë nga burgu, ndërsa nuk dihet nëse shpërthimi i sotëm ka lidhje me arrestimin në 2005 apo ngjarje të tjera më pas. Policia duke nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe arrestimin e autorëve, ndërkohë që është marrë në pyetje edhe 58-vjeçari, por nuk bëhet e ditur se çfarë ka deklaruar ai para uniformave blu.
Deri tani nuk ka asnjë të ndaluar për këtë ngjarje të rëndë që ka tronditur qytetin verior. Banorët e lagjes “Skënderbeg” janë zgjuar të tmerruar nga shpërthimi i fuqishëm. Disa prtej tyre u shprehën se sapo kanë dëgjuar shpërthimin kanë dalë në dritare për të parë se çfarë kishte ndodhur. Mjaft prej tyre thanë se ndjehen të pasigurtë në banesat e tyre për shkak të rritjes së kriminalitetit.

Exit mobile version