Rikthehet Shqipëria!

3 pikë të arta, vendi i tretë dhe tri gola që rikthejnë buzëqeshjen e një skuadre dhe një populli të lidhur ngushtë me ngjyrat kuqezi. Kombëtarja shqiptare godet në shenjë në një moment shumë të vështirë pas 5 humbjeve rresht, duke i kthyer reston Izraelit që aq shumë dhembje koke na shkaktoi në “Elbasan Arena”, jo vetëm për shkak të disfatës, por edhe për çështjet e tjera që pak lidhje kanë me futbollin. Giovanni de Biasi gjithashtu goditi në shenjë duke mos gabuar asnjë detaj të ndeshjes më delikate në krye të stolit shqiptar. Trajneri 60-vjeçar u dha një shuplakë të gjithë kritikëve, duke rikthyer skuadrën në vendin e tretë.
5 humbjet rresht dhe disfatat ndaj Spanjës e Italisë tashmë janë një kujtim i largët sepse askush nuk kishte pritshmëri për rezultat ndaj dy superfuqive të grupit. Një skuadër që kishte zhvilluar një Europian pozitiv nuk mund të turpërohej nga demat spanjollë, por as nga të kaltërit e Venturës dhe ia doli mbanë të evitonte figurën e keqe, ndërsa ndaj Maqedonisë dhe Lihtenshtejnit bëri detyrën duke marrë pikët e plota. Kapitulli Izrael gjithashtu duket i mbyllur me sukses, jo vetëm për faktin se kuqezinjtë bënë rokadën e vendit të tretë, por treguan edhe në fushën e lojës se mbeten superiorë ndaj një kombëtareje që në Shqipëri i besoi fatit dhe arbitrit Aytekin. 3-0, njëlloj si më 11 tetor të 2015-ës kundër Armenisë. Dy fitore identike në transfertë, nga më të thellat në historinë e kombëtares shqiptare dhe me një emërues të përbashkët, vendimtare për fatet e skuadrës shqiptare.
Në Yerevan, djemtë e De Biasit prenë biletën europiane, ndërsa në Haifa treguan se kjo skuadër ka themele për të ardhmen. Ky vend i tretë që tashmë duhet të ruhet me fanatizëm nuk siguron vetëm prestigj, por edhe një vazo komode për kuqezinjtë në kuadër të shortit të Euro 2020, aty ku skuadra do të kërkojë të përsërisë të njëjtin sukses si 2 vjet më parë. Njeriu simbol i kësaj skuadre? Ashtu siç janë shprehur të gjithë lojtarët, skuadra vuan dhe feston e bashkuar, por padyshim që Armando Sadiku është njeriu që di të shënojë gola me peshë në momentet më kritike. Realizimi i tretë në Armeni vulosi biletën europiane, ndërsa goli ndaj Rumanisë e futi atë dhe Shqipërinë në histori. Gjithsesi, mbrëmja e Haifas do të mbahet mend gjatë nga bomberi shqiptar që tregoi klasin dhe vërtetoi se nuk është rastësisht ai pika e referimit në sulmin kuqezi. Duartrokitje për njeriun që iu kundërvu të gjithë faktorëve kundër, duke marrë për dore një grup që dukej i humbur mes errësirës.
Muri mbrojtës gjithashtu arriti të mbante një peshë të madhe duke u treguar kundërshtarëve se Shqipëria e sukseseve është pikërisht ajo që panë në Haifa, solide në repartin e tërhequr dhe cinike në sulm, armë të cilat e çuan këtë kombëtare në Francë. Një fitore që tregon gjithashtu se pavarësisht emrave që zbresin në fushën e lojës, skuadra është po aty, e gatshme të mahnisë me lojërat e saj dhe të frymëzojë shqiptarët kudo që jetojnë. Filozofia e injektuar nga De Biasi dha sërish efektet e saj dhe mentaliteti i kësaj skuadre nuk ka ndryshuar pas Europianit, ndoshta thjesht uria për suksese, por ky është një detaj që mund të korrigjohet. Tashmë në horizont është një transfertë ndoshta edhe më delikate. Në Maqedoni, për shumë faktorë, një pjesë e të cilëve jo sportivë, kuqezinjtë duhet të zbresin në fushë për një tjetër betejë. Fqinjët kanë një skuadër me jo pak elementë cilësorë dhe padyshim që objektiv kryesor kanë fitoren ndaj kuqezinjve. Tentuan të bënin surprizën në Shkodër dhe do të kërkojnë sërish të na shokojnë, por Shqipëria e De Biasit zbret në Maqedoni ndryshe, e riformatuar nga kjo fitore dhe me stilin e vjetër fitues, atë stil që e bëri të famshme në të gjithë botën.

Exit mobile version