Rey Manaj gati për sfidën ndaj Etrit Berishës

Rey Manaj riaftësohet nga dëmtimi dhe me shumë gjasa do të luajë titullar në sfidën e kësaj të mërkure ndaj Atalantës. Ai në stadiumin “Adriatico” do të jetë derbi shqiptarësh sepse nga njëri krah janë Ledian Memushaj dhe Rey Manaj, ndërsa në krahun tjetër Etrit Berisha, i cili po kalon një moment shumë të mirë forme dhe pasi frenoi sulmuesit e Interit do të përpiqet të ndalë edhe Memushajn e Manajn. 19-vjeçari nga Lushnja, i cili në këtë sezon luan si i huazuar nga Interi te Pescara e ka hedhur pas krahëve dëmtimin dhe është grumbulluar nga trajneri Massimo Oddo për sfidën ndaj Atalantës.
Manaj, i cili për shkak të dëmtimit humbi dy sfidat e kombëtares shqiptare ndaj Lihtenshtejnit dhe Spanjës është aktivizuar në 6 takime me Pescarën në këtë sezon të Serisë A duke realizuar dhe 2 gola. Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes ndaj Atalantës trajneri i skuadrës abruceze, Massimo Oddo konfirmoi faktin se Manaj është riaftësuar nga dëmtimi. “Për duelin kundër skuadrës së Gasperinit kemi rikuperuar Muriç dhe Manajn, i cili ka ende disa shqetësime të vogla, por besoj se është gati për të zbritur në fushë”, deklaroi Oddo.
Më tej ai shtoi: “Manaj mund të aktivizohet titullar, por gjendjen e tij do ta vlerësoj më mirë vetëm pak orë para ndeshjes”. Oddo shpjegoi edhe arsyet se përse nuk e ka aktivizuar si titullar 19-vjeçarin shqiptar në ndeshjet e para të sezonit. “Nuk e kam bërë diçka të tillë sepse skuadra po luante mirë dhe Manaj nuk ka qenë në 100% e tij. Me kalimin e javëve ai është rritur shumë, por kjo nuk do të thotë se me të në fushë do të kishim fituar ndaj Udineses”, theksoi në fund Massimo Oddo.

Exit mobile version