Renditja e FIFA, Shqipëria e Kosova fitojnë 1 pozicion

Shqipëria fiton një pozicion në renditjen e re të FIFA-s për muajin mars. Kombëtarja kuqezi është ngjitur në vendin e 54-t, në kuotën  e 623 pikëve. Në muajin e fundit Shqipëria nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje, por falë 5 pikëve të fituara në këto 4 javë, skuadra e Gianni de Biasit la pas në klasifikimin e ri përfaqësuese të tilla si Australia apo edhe Izraeli, kombëtarja që bën pjesë në të njëjtin grup kualifikues me ne dhe që në nëntor na shkaktoi atë humbje të hidhur me rezultatin 0-3, brenda në “Elbasan Arena”. Izraeli edhe pse ka arritur të ngjisë 4 pozicione, numëron 6 pikë më pak se kuqezinjtë, që përpara në renditjen e re kanë kombëtare të tilla si Algjeria, Japonia, Serbia e Panamaja.
Ka ngjitur një pozicion në klasifikimin e muajit mars edhe përfaqësuesja më e re e Europës, Kosova që për momentin renditet e 164-ta dhe ka lënë pas në renditje edhe një prej kundërshtarëve të Shqipërisë në Grupin G kualifikues të Botërorit, pikërisht Maqedoninë që pozicionohet e 166-ta. Italia që është edhe kundërshtari i ardhshëm i përfaqësueses shqiptare në eliminatoret e Botërorit nuk ka lëvizur me asnjë pozicion duke mbajtur vendin e 15-të me 1095 pikë. Spanja renditet e 10-ta, ndërsa Lihtenshtejni i 184-ti. Klasifikimi i FIFA-s edhe për muajin mars, kryesohet nga Argjentina e ndjekur nga Brazili, Gjermania, Kili e Belgjika.

Exit mobile version