Rekordi i Kryebashkiakut të Kurbinit me 4 emra për krimet

Artur Bardhi, kryetar i Bashkisë së Kurbinit, ka pranuar në Formularin e Dekriminalizimit se, para se të njihej me gjeneralitetet që mban sot, ka mbajtur respektivisht katër emra dhe mbiemra të ndryshëm; Gentian Lila, Altin Tanushi, Gent Bushi, në Bashki e njohin dhe firmos si Artur Bardhi, ndërsa në çertifikatë është Artur Ndoi, i biri i Ndues dhe Gjelës.
Në formularin e vetëdeklarimit në KQZ për efekt të ligjit të dekriminalizimit, kryebashkiaku i Kurbinit, Bardhi e ka pranuar vetë se ka përdorur katër emra të ndryshëm. Këto 4 emra, ai i ka vendosur në seksionin “emra të padokumentuara”, por nuk sqaron përse i janë dashur 4 emra.
Bardhi nuk jep asnjë sqarim se përse e ka ndryshuar katër herë emrin dhe ky fakt lë të dyshosh se ndryshimi katër herë i emrit ka të bëjë me të kaluarën e tij të errët dhe me problemet me ligjin. Kjo pritet të zbardhet nga Prokuroria.
Në Formular, Bardhi shkruan se ka qenë në Itali në Milano nga viti 2000 deri në vitin 2003 në emigracion. Bardhi thotë se nuk ka qenë i dënuar asnjë herë me emrin Artur Bardhi, por nuk thotë asnjë fjalë nëse ka qenë i dënuar me tre emrat e tjerë.
Emri që është i njohur si kryetar i Bashkisë së Kurbinit është ai i Artur Bardhi, ndërsa tre emrat e tjerë siç thuhet dhe në formularin e tij, janë gjeneralitete të përdorura dhe me këto tre emrat ai është akuzuar në media se ka qenë i arrestuar në Itali për trafik droge.
Artur Bardhi është një nga emrat bandës së të inkriminuarve të Ramës, të cilët drejtojnë bashkitë. Mediat kanë shkruajtur se Bardhi ka precedentë penalë të arrestimit në Itali për trafikun e drogës dhe konsiderohet si pjesë e krimit të organizuar në rajon. Ai është mbështetur personalisht nga Rama dhe elementë të tjerë të inkriminuar të zonës, të cilët edhe pse nuk ka pasur garë kanë manipuluar të gjithë procesin farsë të Kurbinit.
Artur Bardhi u zgjodh kryetar i Bashkisë së Kurbinit në zgjedhjet e qershorit të vitit 2015 pa garuar, pasi kandidati i opozitës u tërhoq nga gara, ndërsa KQZ i mohoi të drejtën opozitës që të garonte me një kandidat të sajin. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ligjëroi Bardhin kryetar Bashkie në kundërshtim me ligjin. Opozita nuk i njohu zgjedhjet në Bashkinë e Kurbinit. Në këto zgjedhje PD iu mohua të garonte me një kandidat pas dorëheqjes së parevokueshme që bëri kandidati Altin Biba. Që nga shkarkimi i kryetarit të KZAZ-së Nr.15 nis kalvari i gjatë i paligjshmërisë, duke emëruar anëtarë të presupozuar të Shoqërisë Civile, por që në të vërtetë janë militantë të PS e më pas, duke shkarkuar të gjithë anëtarët e PD në mes të natës, duke shkelur hapur ligjin.
Paligjshmëria për këtë bashki nisi që në momentin kur KQZ shkarkoi 8 anëtarë të një KZAZ në Kurbin. Kjo ishte një shkelje e hapur e ligjit, pasi duke cituar nenin 8, pika 29 ku theksohet se anëtari zëvendësohet vetëm në rast se vendi mbetet vakant ose në ditën e zgjedhjeve nuk paraqitet për tre orë. Kaso në fjalën e tij nënvizoi faktin se në Kurbin mund të flasim për çfarëdo gjëje, por jo për zgjedhje të drejta.

R.POLISI

Exit mobile version