Rekord ofertash!

Florentino Pérez i ka dhënë “letër të bardhë” Jorge Mendes, agjentit të Cristiano Ronaldos, për të paraqitur propozimet që ai ka për yllin portugez dhe për të negociuar largimin e tij. Ky informacion është dhënë dje nga gazeta “Record”, e cila vjen një ditë pasi “AS” zbuloi se Cristiano Ronaldo dëshiron të largohet nga Real Madrid, pasi ndihet i mashtruar nga Florentino Perez, pasi nuk i janë përmbushur premtimet financiare për ripërtëritjen e kontratës. Prioriteti i tij është të kthehet te Manchester United, klubi ku ai luajti nga viti 2003 deri më 2009, përpara se të nënshkruante për Real Madridin, në këmbim të 96 milionë eurove.
Kjo dëshirë e lojtarit të bardhë ka marrë entuziazmin e Anglisë, megjithatë, siç raportohet të martën nga “AS”, Manchester United e sheh të ndërlikuar situatën e CR7. “Djajtë e Kuq” e dinë se portugezi do të mbërrijë me 33 vite mbi supe, ndërkohë që do të kërkonte një pagë vjetore prej 50 milionë eurosh neto dhe se Real Madridi mund të kërkonte, si minimum, 100 milionë euro nga transferimi. Gazeta “Rekord” raporton se Florentino Perez, pavarësisht dhënies së “dritës jeshile” për Jorge Mendes, që të pranojë propozimet për lojtarin e tij ekskluziv, nuk ka përcaktuar një shifër minimale, mbi të cilën duhet filluar të flitet.
Është e qartë se, nëse kjo “letër e bardhë” e presidentit të Real Madridit është konfirmuar për përfaqësuesin portugez, ofertat për “7” nuk do të mungojnë. Manchester United e ka konsideruar në disa raste rikthimin e CR7, është një ëndërr e vjetër e PSG-së dhe futbolli kinez është ende në pritje të një shansi pas qershorit, për të ofruar nga 200 milionë euro dhe një pagë vjetore lojtarit prej 120 milionë €. “AS” zbuloi se Ronaldo “është plotësisht i dëshpëruar, sepse ndihet i mashtruar”.
Por nga ana tjetër, sulmuesi i Real Madrid Cristiano Ronaldo është zgjedhur nga tifozët si lojtari më i mirë i muajit dhjetor. Lojtari i përfaqësueses portugeze ka marrë trofeun e quajtur “Mohou Five Star Player” që jepet nga klubi i Real Madrid.
Cristiano është vlerësuar për paraqitjet e zhvilluara në muajin e fundit të vitit 2017, ku ai mori pjesë në gjashtë ndeshje të Los Blancos. Ai shënoi pesë gola në ato ndeshje duke ndihmuar ekipin e tij të fitojë Kupën e Botës për Klube.
Ishin vetë tifozët e Real Madrid ata që zgjodhën fituesin, si çdo muaj, nëpërmjet votimit që u zhvillua në rrjetet sociale.
Gjithsesi, Ronaldo është duke kaluar sezonin më të vështirë që kur ka ardhur në kryeqytetin spanjoll dhe forma e gjithë skuadrës ka bërë të kuptohet më shumë rënia e tij. Aktualisht Real Madrid ndodhet plot 19 pikë larg kryesuesve të Barcelona-s në La Liga.

 

Exit mobile version