Raporti i DASH, 2017: Shqipëria në rrezik nga pastrimi i parave

Në datën 14 mars, Departamenti i Shtetit publikoi raportin vjetor “Raporti i Strategjisë për Kontrollin e Narkotikëve-Pastrimi i Parasë dhe Krimet Financiare”, ku Shqipëria bashkë me Serbinë dhe Bosnjen është futur në listën e vendeve kryesore në botë që pastrojnë para. “Vendi mbetet në rrezik të konsiderueshëm për pastrimin e parave për shkak të korrupsionit të shfrenuar dhe institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare. Shqipëria ka një ekonomi të madhe në cash dhe të sektorit informal, me prurje të mëdha të parave nga jashtë në formën e remitancave.
Të ardhurat më të mëdha të gjeneruara nga krimi në Shqipëri përfshijnë trafikimin e drogës, evazionin fiskal, kontrabandën dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Shqipëria ka një treg të zi të konsiderueshëm për mallra të kontrabanduara, dhe kontrabanda është lehtësuar nga kontrollet e dobëta kufitare dhe procedurat doganore.
Shqipëria prodhon dhe eksporton sasi të konsiderueshme marijuanë, kryesisht për përdorim europian, dhe është një vend tranzit për heroinën afgane dhe kokainën, duke shërbyer si një portë kryesore për shpërndarjen e heroinës në të gjithë Evropën”, vlerëson raporti i Departamentit të Shtetit.
Në vitin 2015, agjencia FATF e Këshillit të Europës (Financial Action Task Force) vendosi ta heqë Shqipërinë nga lista e vendeve që pastrojnë para. Asokohe, edhe ministria jonë e Financave u mburr me këtë vendim dhe e paraqiti si sukses të reformave ligjore dhe bllokimit të qarkullimit të parasë së pisët në vend.
“Dalja nga procedura aktuale e monitorimit është me rëndësi të veçantë për vendin tonë, pasi së pari konfirmon efektivitetin e masave të ndërmarra tashmë nga autoritetet shqiptare në parandalimin e pastrimit të parave dhe krijon një bazë solide për ecurinë e mëtejshme të vlerësimit të vendit tonë”, thuhet në një reagim të Ministrisë së Financave në shtator 2015.
Çfarë ka ndodhur në 2 vite, ose më saktë në 1 vit (duke qenë se raporti i DASH publikohet në 2017, por përshkruan situatën në 2016)?
Asgjë më pak e asgjë më shumë se ajo që dihet publikisht nga opinioni, paraja e pisët që ka qarkulluar si rezultat i trafikut të drogës gjatë vitit të kaluar ka qenë në nivele rekord.
Plantacionet e mbjella në vitet 2015-2016 i dhanë “frytet” maksimale pikërisht vitin e kaluar. Avionë dhe pista të dedikuara për trafikun e drogës, qindra tonelata drogë të kapura (po sa të pakapura?) në Shqipëri, Itali dhe Greqi reflektohen në treg.
Çuditërisht euro është zhvlerësuar gjithnjë e më shumë dhe sipas specialistëve, kjo i kushtohet pikërisht fluksit të parasë informale që vjen nga Europa, tregu kryesor dhe ndoshta i vetëm i hashashit shqiptar.

Exit mobile version