Rama-Vuçiç në forumin e Nishit, a do të flenë bashkë në kazerma?

Nga Sevdail Hyseni

Selia e re e qeverisë së Serbisë, përkohësisht, nga Beogradi do të zhvendoset në Nish, me rastin e organizimit të forumit të biznesit serbo-shqiptar, në të cilin do të jenë të pranishëm dy kryeministrat: Aleksandër Vuçiç e Edi Rama, me kabinetet e tyre ministrore dhe 300 kompani vendore dhe rajonale.
Siç bën të ditur, Agjencia e Lajmeve “Tanjug” dhe gazeta me tirazh më të madh në Serbi, “Blic”-i, gjatë disa ditëve të punës në Nish, anëtarë të kabinetit Vuçiç do të diskutojnë me bashkëbiseduesit e ekonomisë, bashkëpunimit ndërkombëtar, politikën e tregtisë, por edhe për paqen, stabilitetin dhe marrëdhënie më të mira në rajon.
Lidhur me këtë forum ekonomik, me karakter ndërkombëtar, i cili do të fillojë më 13 e do të përfundojë më 19 tetor, për gjashtë ditë rresht, në qytetin e Nishit, të dytin më të madh në Serbi, pas Beogradit, kanë filluar përgatitjet e nivelit të lartë, meqë do të jetë hera e parë që Kryeministri Vuçiç, në mënyrë të tillë, organizon punën e tij. Ai, nuk do të ketë hotele të shtrenjta dhe luksoze, por me ministrat e tij do t’i kalojë netët nëpër dhomat e oficerëve ushtarakë të kazermës ushtarake të Nishit.
Kryetari i qytetit nikoqir të forumit të biznesit serbo-shqiptar, Darko Bulatoviç, i tha “Tanjug”-ut, se bisedimet do të zhvillohen në prani të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe ambasadorëve të akredituar në Beograd. Temë bisede në kuadër të këtij forumi do të jenë zhvillimi ekonomik, hapja e disa fabrikave të reja, pastaj do të nënshkruhen kontrata protokollare për ndërtimin e kompanive në të ardhmen, vizita e projekteve më të rëndësishme të infrastrukturës, siç është Qendra Klinike e Nishit, e cila duhet të përfundojë vitin e ardhshëm, si dhe do të flasin për trashëgiminë kulturore dhe historike.
Në fokus të ngjarjeve qendrore të forumit të ndërmarrjeve të Serbisë dhe Shqipërisë do të marrin pjesë mbi 200 kompanive vendore dhe rreth njëqind të tjera rajonale.
Ndonëse akoma nuk dihen të gjitha detajet e axhendës së punës së qeverisë në Nish, Kryeministri Vuçiç, kishte paralajmëruar më herët se, ai dhe ministrat e tij do të vizitojnë komunat në Toplicë, Jablanicë, Pirot, Pçinji dhe Qarkut Nishava.
Gjatë këtij turneu diplomatik, gjithashtu, nuk dihet se, a do të vizitohen komunat shqiptare në jug të Serbisë – Lugina e Preshevës, të cilat bëjnë pjesë në Rrethin e Pçinjit dhe Jabllanicës.
Sido që të jetë për shqiptarët e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, të cilat administrohen nga Serbia, është një surprizë e këndshme, meqë nga ky forum, do të aktualizohet gjendja e tyre e mjeruar ekonomike, varfëria ekstreme dhe harresa qeveritare për të investuar në jug të saj, të përbërë nga pakicat kombëtare, siç janë shqiptarët.
Vlen të theksohet se Rrethi i Pçinjit, me shtatë komuna, ku bën pjesë edhe Bujanovci dhe Presheva, gjendet në jug të Serbisë dhe paraqet rajonin më të prapambetur ekonomikisht, në shkallë republike. Dikur, në komunizëm, ky rreth administrativ me qendër në Vranjë, ishte njëra nga qendrat udhëheqëse industriale, sidomos në infrastrukturën e pambukut, duhanit, metaleve etj. Izolimi politik dhe ekonomik disavjeçar, ka rrënuar fabrika politike e kombëtare, duke e kthyer këtë rajon nga më të varfrit në rajon.
Gjithashtu, ky forum i lartë, me karakter ndërkombëtar, nuk do të kalojë pa jehonë në Kosovë, Shqipëri e vetë Serbinë, e cila, kohëve të fundit, skena e saj politike, është acaruar pas miratimit të ligjit për Trepçën, gjigantin ekonomik, në Kuvendin e Kosovës dhe arrestimin e drejtorit të Policisë Rajonale të Mitrovicës, Nehat Thaçi, nga autoritetet kufitare të Serbisë.
Kur t’i shtohen këtyre zhvillimeve jo të këndshme dhe të volitshme për skenën politike të Beogradit, të cilës i dhemb zemra për Trepçën dhe përgatitjen e liderëve të “Zajednicës”, serbe për bojkotimin e institucioneve në Kosovë, forumi biznesor shqiptaro-serb, nuk do të kalojë pa shtrëngime të muskujve dhe “mimikave” të fytyrës.
Po ashtu edhe për palën shqiptare Nishi apo Naissus-i, ngjall në kujtesën e tyre nostalgjinë për aromën e fryteve të Mollës së Kuqe, e cila figuron në analet e historisë, si vise shqiptare.
Nishin e forumit të biznesit shqiptaro-serb e njohin edhe ata shqiptarë, të cilët e lanë shëndetin nëpër Kazamatet e burgjeve famëkeqe dhe historinë e këngës së dhembshme të Çanakalasë, kullës së ndërtuar me kafka njerëzish, si trashëgimi kulturore.
(Autori është gazetar e publicist nga Lugina e Preshevës, kryetar i Bashkësisë Kulturore shqiptare “Perspektiva”)

Exit mobile version