Rama thërret 20 prokurorë në zyrë

Rama ka thërritur me urgjencë një natë më parë në zyrën e tij 20 prokurororë. Prokurorët janë thërritur një e nga një, ndërsa dëshmitarët i kanë parë ata të ngjisnin shkallët e Kryeministrisë në orë jo të zakonshme, pasi kanë qenë orët e vona të natës.
Thirrja e prokurorëve në një seancë pyetjesh dhe marrje urdhërash është një skandal i rëndë që kompromenton pozicionin e këtyre prokurorëve dhe të vetë institucionit në punën e tyre. Gazeta ka të plotë listën e prokurorëve që janë thërritur në zyrën e Ramës, dhe ajo mund të botohet gjatë ditëve të ardhshme në varësi edhe të zhvillimeve të tjera që po ndodhin gjatë ditëve të fundit.
Nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e këtyre 25 viteve që 20 prokurorë të thirren si të jenë ushtarë të Kryeministrit në zyrën e këtij të fundit. Kjo është një praktikë e viteve të diktaturës, kur kreu i partisë-shtet ishte në të njëjtën kohë edhe kryeprokuror edhe kryegjykatës.
Kjo po ndodh edhe sot dhe qëllimi është i njëjtë. Kontrolli i plotë i institucionit të akuzës nga kreu i qeverisë, i cili më pas synon të nisë edhe gjuetinë e shtrigave ndaj kundërshtarëve politikë me qëllim krijimin e pushtetit absolut të tij.
Burime nga takimet në Kryeministri kanë konfirmuar se Rama i ka dhënë kësaj skuadre besimin e plotë të tij, ndërsa i ka bërë të qartë atyre se të gjitha urdhërat për hetimet nuk do të merren nga askush tjetër, por vetëm nga ai. Të njëjtat burime kanë saktësuar se Rama i ka dhënë garanci edhe për Prokurorinë e Posaçme, e cila parashikohet që të ngrihet bashkë me miratimin e Reformës në Drejtësi për të hetuar korrupsionin e zyrtarëve të lartë.
Thirrja e Prokurorëve në zyrën e Ramës bëhet në një kohë që organi i akuzës ka nën hetim disa nga skandalet më të rënda që kanë ndodhur ditët e fundit. Prokuroria po heton aferën e përgjimeve, një skandal ku ministri i Brendshëm është kapur në flagrancë krimi dhe do të duhet të vihet në bankën e akuzës.
Në të njëjtën kohë këta prokurorë janë thirrur në zyrën e Ramës edhe pas një incidenti që ka ndodhur ditë më parë mes kryeprokurorit dhe një prej njerëzve të afërt të Ramës. Mediat kanë raportuar se, Kryeprokurori kishte firmosur urdhër-arrestin për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Çako disa ditë më parë, kur ai nuk lejoi prokurorët që të sekuestronin pajisjen e përgjimit. Urdhëri i Llallës sipas mediave është anuluar pas presionit që i është bërë atij nga politikani i lartë.
Prokuroria po ashtu ka nën hetim një tjetër çështje mjaft sensitive për Ramën. Ajo ka vënë në pranga krahun e djathtë të Ramës, Shullazin dhe dy krerë të tjerë të kësaj bande, ndërsa hetimet pritet të sjellin surpriza jo të këndshme për ministrin e Brendshëm. Duhet kujtuar se edhe ky arrestim u bë pas një përplasje të hapur mes prokurorëve dhe drejtuesve të policisë, të cilët me urdhër të Tahirit refuzuan për disa orë që të arrestonin kryekriminelin.
Prokuroria po ashtu po heton aferën e skandaleve të koncesioneve në shëndetësi, që prej kohësh vijon të mos sjellë rezultate për shkak të presionit në të cilin është angazhuar direkt Rama ndaj këtij institucioni. Dosjet e bandës së Ramës në duart e prokurorëve janë të shumta, dhe kreu i qeverisë ka zgjedhur si rrugën më të mirë për t’i mbyllur gojën prokurorëve, thirrjen direkt në zyrën e tij për t’i vendosur ata nën komandën e vet.
Hetimet ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit e kanë trembur Ramën. Takimi me 20 prokurorët është dëshmi e kësaj frike. Ai po kërkon që të bllokojë luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe ky është një mesazh i pastër për atë që ai kërkon të arrijë përmes paketës së Rama për reformën në drejtësi.

Reforma në Drejtësi

Një nga pikat kryesore të paketës së Ramës për Reformën në Drejtësi është ajo e ndërprerjes së mandatit të funksionarëve të sotëm të drejtësisë. Ajo çfarë Rama synon është ndërprerja e kryeprokurorit Llalla, i cili nuk shihet në planin e kreut të qeverisë. Ai kërkon zëvendësimin e Llallës me një kamikaz të bindur të tij. Kjo pikë e Reformës në Drejtësi të Ramës ka hasur në rezistencën e opozitës, ndërsa edhe Venecia është shprehur qartë se nuk e mbështet variantin e propozuar nga Rama.
Duke parë vështirësitë që po has në shkarkimin e Llallës, Rama duket se po suprimon pushtetin direkt të kryeprokurorit ndaj vartësve të vet. Thirrja e 20 prokurorëve në orët e vona të natës në zyrën e kreut të qeverisë mund të konsiderohet një puç i pastër në Prokurori për shkarkimin de fakto të Llallës dhe marrjen e kompetencave nga vetë Rama. Një takim i tillë e kompromenton akoma më thellë debatin për reformën, ndërsa i bën të qartë jo vetëm opinionin e brendshëm, por edhe partnerëve ndërkombëtarë se veprime të tilla si ky i Ramës janë shenja të pastra që kanë vetëm një synim dhe ky është nënshtrim i Prokurorisë dhe keqpërdorja e saj për interesa politike të kryebanditit që qeveris sot vendin dhe pas të cilit fshihen të gjithë kryekriminelët dhe kryehajdutët në këtë vend.

Prokuroria e Posaçme, si do funksionojë

Për funksionimin e Strukturës Speciale Antikorrupsion do të ketë një ligj të posaçëm, por në Kodin e Procedurës Penale janë përcaktuar elementë bazë mbi të cilët do të ngrihet ky organizëm. Ndër të tjera, aty janë përcaktuar dhe veprat penale që do hetohen nga Prokuroria e Posaçme dhe do gjykohen më pas nga gjykata e posaçme.   Në Kodin e Procedurës Penale janë përcaktuar dhe detaje se si do të funksionojë Prokuroria e Posaçme. Aty tregohet qartë se ajo ka superioritet ndaj të gjitha prokurorive të tjera.   Në këtë mënyrë, thuhet se nëse një prokuror i thjeshtë merr informacion se për një individ të caktuar ka nisur hetimet Prokuroria e Posaçme, ai duhet të kontaktojë direkt me këtë të fundit. Pasi e bën këtë është Kryetari i Prokurorisë së Posaçme ai që vendos se kompetencë e kujt është kjo vepër penale. Nga ana tjetër, një tjetër kompetencë e kreut të kësaj prokurorie është dhe shkarkimi i prokurorëve.  Një tjetër përcaktim është se kur një gjyqtar ose prokuror merret si i pandehur, kjo është kompetencë e Prokurorisë Speciale. Sipas përcaktimeve, Prokuroria e Posaçme është një strukturë e pavarur dhe ajo do merret vetëm me krimin e organizuar dhe korrupsionin.  Prokurorët dhe gjyqtarët që do të hetojnë zyrtarët e lartë, do të jenë të detyruar të heqin dorë nga privatësia. Kriteret e pranimit të tyre në strukturat e posaçme antikorrupsion  janë strikte. Ata dhe familjarët e tyre do të përgjohen  dhe do të jenë në vëzhgim të vazhdueshëm. Do të kenë  nga një telefon celular, një numër telefoni të dhënë nga strukturat ku punojnë, një adresë poste elektronike dhe duhet të bien dakord të mos përdorin asnjë formë tjetër komunikimi elektronik, raporton Ballkanweb. Ekspertët të cilët kanë bërë gati ligjin si do të funksionojë prokuroria e posaçme dhe byroja kombëtare e hetimit pranojnë se pika më delikate e draftit është ajo e përgjimeve të familjarëve. Zyrtarët e lartë që do të hetohen nga prokuroria e posaçme dhe byroja janë presidentë, ish-presidentë, anëtarë të këshillit të ministrave dhe ish-ministra, deputetë, kryetarë bashkish si dhe funksionarë të tjerë publikë. Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme janë të pavarur nga çdo prokuror tjetër. Ata kanë të drejtë të ndjekin penalisht njëri-tjetrin.

Propozimet e PD

Drafti i Partisë Demokratike ruan strukturën e draftit të ekspertëve të huaj, që mbështet qeveria, por eliminon disa institucione që -sipas saj, -ndërlikojnë sistemin e drejtësisë, vështirësojnë aksesin e qytetarëve, ulin besueshmërinë, pavarësinë dhe llogaridhënien. Një prej tyre është Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i cili në draftin e mazhorancës bën renditjen e kandidatëve për shumicën e vendeve drejtuese të sistemit të drejtësisë. Opozita ia jep këtë rol Gjykatës Kushtetuese, duke ruajtur formulën e përbërjes së saj. Përsa i përket shumicës së cilësuar, që është një nga mosmarrëveshjet kryesore mes mazhorancës dhe opozitës, Partia Demokratike propozon që deri më 1 shtatorin e vitit 2017, kur të plotësojë kuotat e tij për insitucionet më të larta të drejtësisë, Kuvendi të përdorë shumicën prej 2/3-ave. Me nisjen e legjislaturës së re, opozita propozon shumicën prej 3/5-ave, njësoj si mazhoranca. Megjithatë, ka një ndryshim thelbësor te formula e zgjedhjes së disa funksionarëve të lartë, përkatësisht në Këshillin Gjyqësor dhe atë të Prokurorisë. Formula i jep 2 vende listës së mbështetur nga mazhoranca, 2 nga opozita dhe 1 shoqërisë civile, që zgjidhet me 3/5-tat. Drafti parashikon që asnjë anëtar i organeve të reja të mos nisë detyrën pa kaluar procesin e kontrollit, si dhe ruan mandatet kushtetuese të të gjithë funksionarëve që kalojnë provën e rivlerësimit.

Arben SHAHINI

Exit mobile version