Rama refuzon të pyetet për aferën me CEZ

Megjithëse kryetar ka vënë Taulantin e Librazhdit, megjithëse hiqet si trim kur bie fjala për të burgosur fukarenjtë, sërish i druhet ligjit si djalli temjanit. Ai që sot duhet të jetë Kryeministri ynë ka një fobi të kahershme me komisionet hetimore, që kur ka qenë në krye të Bashkisë së Tiranës. Dhe atëherë në pushtet ishte dhe nuk linte arsye pa nxjerrë që të mos paraqitej në komisionin hetimor, megjithëse në pushtet ishin sivëllezërit e tij socialistë. Por edhe sot që është vetë në pushtet dhe kur në krye të tij vendos Taulantin që kërkon të bëjë si Arianit Çela në vaft, sërish e zë paniku nga një dëshmi e thjeshtë. Deklarata e vasalit e tij Gjiknuri, i cili në një moment sinqeriteti u shpreh se marrëveshja e mirëkuptimit me kompaninë çeke CEZ që i kushtoi shqiptarëve 630 milionë euro ishte një vullnet politik, duket se e ka futur në siklet kokën e karvanit. Deklarata e ish-Kryeministrit se kryerilindasi ynë mund të dënohet më së paku 35 vjet burg nga kjo aferë, ka bërë që të gjejë lloj-lloj arsyesh për t’ju shmangur përgjegjësisë….

Letra

Më datë 16 dhjetor, ditën e premte, në kalendarin e punës së Komisionit ishte parashikuar që të vinte të dëshmonte Edi Rama, një kërkesë kjo e bërë nga deputetët e opozitës në Kuvend. Por ditën e djeshme në Kryesinë e Kuvendit është dërguar një letër nga Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, të cilën gazeta “RD” e disponon të plotë, ku fillimisht pranohet se më datë 1 të këtij muaji është pranuar kërkesa për t’u paraqitur në Komision, por më pas shton se, “Duke ju konfirmuar disponibilitetin e Kryeministrit për të marrë pjesë në këtë seancë dëgjimore, ju informojmë se, në datën e paracaktuar më 16 dhjetor, Kryeministri e ka të pamundur pjesëmarrjen për shkak të një impenjimi tjetër institucional”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë. Më pas, Agaçi i kërkon Kuvendit një datë tjetër, ku të bihet dakord që të gjendet një datë tjetër e dakordësuar me qëllim që Kryeministri të jetë i lirë dhe të shkojë të japë dëshminë e tij në Komision. Pak i habitshëm ky justifikim i Kryeministrit, duke pasur parasysh kohën që ai shpenzon me ditë të tëra, si fjala vjen për të hapur ekspozitat e tij, që nuk i hyjnë në punë askujt dhe nuk gjen një orë kohë për të dhënë sqarime se si është abuzuar me 630 milionë euro nga një marrëveshje të urdhëruar prej tij.

A do e shoqërojë Taulanti me forcë kokën e karvanit?
Tani pritet të shihet se çfarë qëndrimi do të mbajë simboli i intelektualizimit dhe qytetërimit të Rilindjes, Taulant Balla ndaj shefit dhe idhullit të tij. A do të kërkojë dhe në këtë rast shoqërimin për në ambientet e Kryesisë së Kuvendit të kreut të karvanit? Në fakt duhet sqaruar qysh në fillim se, Taulanti deputet i Librazhdit, ende nuk ka dhënë një sqarim a është dënuar nga gjykatat e këtij vendi për shpifje dhe a i ka borxh njeriu nja 10 milionë lekë të vjetra? Gjithsesi, edhe po nuk e sqaroi këtë pikë sërish kjo nuk e pengon që të dërgojë letër në komisariatin e policisë që dëshmitari Edi Rama të vijë me forcë në ambientet e Kuvendit. Apo është thjesht një dakordësi me shefin e tij që të shtyhet sa më shumë, duke ditur se Kuvendi mbyll punimet e kësaj legjislature dhe pak ditë? Gjithsesi dhe në rast se nuk e bën Taulanti deputet i Librazhdit, sërish nuk përjashtohet që këtë veprim ta kërkojnë deputetët e opozitës, në rast se Rama vazhdon me justifikimet e tij “për mungesë kohe”, pasi një Kryeministër që lundron tërë ditën në Facebook dhe që përgjatë 3 viteve e ca nuk ka bërë asgjë, por i ka rënë më qafë atij institucioni, nuk e ka problem të gjejë një orë kohë që të dëshmojë se ku kanë shkuar 630 milionë euro të shqiptarëve. Kjo sepse ka fjalë që jo vetëm është përzier kokë e këmbë në këtë megaaferë korrupsioni, por sepse zëra të tjerë flasin dhe si një “nder” që ja ka kërkuar liderit global Kryeministrit të Çekisë, Bohuslav Sobotka për arsye që koka e karvanit do të mund t’i sqarojë më mirë në deklaratat e tij.

Exit mobile version