Rama nuk ndahet nga të inkriminuarit, i risjell në listën e kandidatëve

Saga e personave me të shkuar problematike dhe kriminale vazhdon ta shoqërojë dhe këtë herë listën e Partisë Socialiste të udhëhequr nga Edi Rama. Megjithëse po shkon drejt një procesi farsë, sërish ai nuk heq dorë nga persona me të shkuar kriminale. Edhe në mbledhjen e ditës së dielë u evidentuan 27 prej tyre, ndërkohë që portali “Lapsi.al” ka publikuar emrat e shtatë kandidatëve, dy prej të cilëve aktualisht deputetë të Kuvendit. Pjerin Ndreu i dyti, në listën e Lezhës i arrestuar në vitin 2004 për “keqpërdorim të thirrjeve telefonike” ose ndryshe kërcënim ose shtantazh nëpërmjet telefonit. Ndreu ishte dhe protagonist në goditjen ndaj deputetit Gent Strazimiri, duke treguar devotshmërinë e tij ndaj shokut të armëve Arben Ndoka. Por duhet theksuar se, këta janë vetëm ata persona, të cilët kanë deklaruar problemet e tyre në formular, ndërkohë që besohet se listat e të gjitha partive janë mbushur me kandidatë të tillë, por që KQZ s’ka marrë mundimin t’i verifikojë siç kërkon ligji. Ismet Beqiraj: Në Fier, i katërti në listën e PS. Në formularin e dekriminalizimit ai shënon se është ndaluar nga policia më 26 maj 1996, ditën e zgjedhjeve të përgjithshme. Ka qëndruar për 24 orë në Ballsh, por ndaj tij nuk ka filluar procedimi. Është ndaluar nga Policia e Ballshit edhe në shkurt 1997 sërish për verifikim. Alban Ramohitaj: Në Durrës, i 10-ti në listën e PS. Në vitin 2004, Gjykata e Durrësit e ka dënuar me 2 muaj burg ose 18 muaj me kusht për vjedhje të energjisë elektrike. Në vitin 2008 ka qenë nën hetim nga Gjykata e Pavias, në Itali, pasi u kap me një patentë shqiptare të pavlefshme. Ramohitaj shënon se ka bërë marrëveshje me drejtësinë italiane, duke pranuar fajin. Granit Kërxhalliu: Është i 29-ti në listën e kandidatëve të PS në Tiranë. Ai është akuzuar nga Prokuroria më 25 shtator 2012, për pengim të ekzekutimit të vendimeve të gjykatës. Gjykata e Tiranës e ka dënuar me detyrim paraqitje, ndërsa Apeli e ka pushuar çështjen. Ardit Konomi: Në Korçë është i 7-ti. Ai ka shënuar në formularin e dekriminalizimit një procedim për shkelje “Të rregullave të qarkullimit rrugor”. Kjo çështje ai thotë se është pushuar më 30 dhjetor ’97. Myzafer Bushaj: Në Shkodër, është i 10-ti në listë. Rezulton i ndaluar në periudhën 21-24 shtator të vitit 2009 pas një aksidenti rrugor. Gjykata e ka shpallur të pafajshëm. Pjerin Ndreu: I dyti në Lezhë. Ai është deputet aktualisht. Rezulton i arrestuar në shtator 2004 nga policia për përdorim me keqdashje të thirrjeve telefonike. Por është shpallur i pafajshëm. Spartak Braho: Është i 19-ti në listën e PS për Tiranën. Në formular ka shënuar se është dënuar më 22 dhjetor 1995 me 10 mijë lekë të reja gjobë për shpifje.

Exit mobile version